RCCOLA

Streha e Kasandrës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Strehimorja për arinjtë pret banorin e parë të saj. KFOR’i transportoi Arushën Kasandra nga Qafa e Duhlës për në Badovc me ndihmën e fondacionit “Vier Pfoten”. Gjatë këtij viti asaj pritet t’i bashkohen edhe 15 arinj të tjerë. Pjesë e këtij aktiviteti ishin edhe Ministrat Dardan Gashi e Vlora Çitaku, Komandanti i KFOR-it dhe Ambasadori austriak në Kosovë.

Kasandra bëhet me shtëpi. Të shtunën ajo u bart nga kafazi i restorantit ku gjendej deri tash për t’u strehuar në strehimoren afër liqenit të Badovcit.

Bëhet fjalë për ariun e gjinisë femër, e cila mban emrin Kasandra e cila tash ka shtëpinë e vet që është ngritur me ndihmën e Fondacionit për Mbrojtjen e Kafshëve “Vier Pfoten”, me seli në Vjenë të Austrisë.

Transporti i Kasandrës u bë nga ana e Iniciativës së Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës për eliminimin e “mini-kopshteve zoologjike”. Kjo është jetësuar me qëllim që të mbrohen llojet e rrezikuara të faunës, ndërsa strehimorja është ndërtuar enkas për arinjtë e murrmë. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor njofton nëpërmjet një komunikate për medie për transportimin e parë të këtij lloji të ariut. Sipas zëdhënëses së Ministrisë së Mjedisit, Gëzime Hasani, të shtunën është hapur strehimorja për arinjtë e murrmë ku mori pjesë edhe ministri Dardan Gashi, ministrja për Integrim, Vlora Çitaku, komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer dhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.

Sipas Hasanit MMPH gjatë vitit të kaluar ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin për Mbrojtjen e Kafshëve “Vier Pfoten”, për mbajtjen dhe përkujdesjen e arinjve të murrmë në strehimoren në Badovc.

“Ky projekt financohet krejtësisht nga Fondacioni, duke përfshirë edhe ndërtimin e rrethojës me tela elektrikë dhe trajnimin e stafit për përkujdesje të arinjve”, tha Hasani. Ajo sqaroi se komuna e Prishtinës ka ndarë 15 hektarë për këtë strehimore.

Uji Dea

Por Kasandra nuk do të jetë banorja e vetme e strehimores në Badovc. Asaj gjatë këtij viti pritet t’i bashkohen edhe “shoqet dhe shokët” nga tërë territori i Kosovës. Zëdhënësja Hasani tregon se deri më tani janë evidentuar 15 arinj të murrmë që mbahen mini-kopshte kryesisht në kuadër të restoranteve.

“Gjatë këtij viti, të gjithë do të transportohen në strehimoren në Badovc”, tha Hasani.

Nuk dihet koha që Kasandra ka kaluar në kafazin e restorantit ku jetonte, por bëhet e ditur se ajo të shtunën ishte mjaft e shqetësuar dhe agresive. Kanë qenë ushtarët e KFOR-it që e kanë sjellë atë në strehimore madje janë kujdesur që t’i japin edhe qetësues. Problem për ta marrë Kasandrën ka paraqitur edhe pronari i restorantit që kishte mbajtur Kasandrën në mini kopshtin e tij, mirëpo sido që të jetë ajo u soll në “shtëpi”.

Hasani sqaron se praktika të tilla zbatohen në shumë shtete të botës, ku llojet e mbrojtura të arinjve mbahen në strehimore të veçanta gjysmënatyrore dhe shërbejnë edhe për çështje komerciale.

“Rasti i Kosovës është i pari në rajon që po arrin të finalizohet, edhe pse ‘Vier Pfoten’ ishte përpjekur që strehimore të ngjashme të hapen edhe në Shqipëri dhe Serbi”, tha Hasani.(express)