Stojanoviq i kënaqur me investimet në fshatrat serbe

Gjilan – Vetëm në fshatin serb Kmetoc atë që nuk e ka bërë Serbia për 200 vjet po e kryen pushteti komunal dhe institucionet kosovare thotë Millan Stojanoviq.
Nënkryetari serb për komunitete në Gjilan Millan Stojanoviq i cili njihet për kritikat e tij ndaj Beogradit dhe lëvdatat që i jep institucioneve kosovare, në një bisedë për rajonipress thotë se atë që nuk e ka bërë Serbia dhe Beogradi për 200 vitet e shkuara,tash po e bëjnë institucionet lokale dhe ato qendrore të Kosovës.
Stojanoviq rast konkret e merr fshatin serb Kmetoc ,ku sipas tij është lënë pasdore në të gjitha regjimet e Serbisë,madje edhe në kohën e Kraljit. “Kmetoci vetëm gjatë dy viteve të fundit është bërë me ujësjellës,shkollë të re dhe urë .Janë investuar mbi 230 mijë euro dhe ky investim ua kthen shpresat atyre banorëve që të qëndrojnë aty dhe t`i heqin ëndrrat nga kokat e tyre se Beogradi do ua përmirësojë jetën”.
Stojanoviq thotë se edhe në fshatin Cërrnicë është kthyer tashmë besimi i serbëve të atjeshëm karshi institucioneve lokale.”Në Cërrnicë po rinovohet një kishë e vjetër ku komuna ka ndarë 35 mijë euro. Me këtë investim po tregohet se shqiptarët dhe serbët mund të bashkëjetojnë” u shpreh ai.
Stojanoviq që vije nga fshati më i madh serb në Gjilan ,Shillova tha se edhe në fshatin e tij është investuar në të gjitha drejtime.”Rruga është asfaltuar,kanalizimi gjithashtu dhe tani po e presim trotuarin dhe ndriçimin. Pse të mos e përkrahim qeverinë komunale dhe pse serbët e Shillovës të mos i paguajnë taksat e tatimet,kur jeta po u rregullohet çdo ditë e më tepër” shprehet Stojanoviq.
Stojanoviq tha se Shillova ka afërsisht 350 shtëpi dhe shumë biznese e lokale afariste kanë hyrë në sistem të Administratës Tatimore të Kosovës.”Duke i pasur të gjitha këto të mira dhe këto investime shumë domethënëse u kam shpjeguar vendësve të mi se është turp që mos t`i paguajnë kontributet shtetërore të shtetit të Kosovës” tha Stojanoviq./rajonipress/