Stankoviq: Qeveria do zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të Luginës

Preshevë – Qeveria e Serbisë absolutisht është e interesuar për zgjidhjen e problemeve të pakicës shqiptare në jug të Serbisë, ka thënë kryetari i trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duke theksuar se të gjitha çështjet do të zgjidhen nëpërmjet institucioneve shtetërore me dinamikën që e parasheh ligji.
“Në prani të përfaqësuesve të qeverisë dhe ambasadorëve, personalisht që nga 23 shkurti deri tani kam qenë në këto komuna 10 herë dhe atëherë nga njerëzit që jetojnë në këto hapësira kam marrë shumë kërkesa për zgjidhjen e çështjeve jetësore” ka thënë Stankoviq, transmeton Presheva.
Ai ka thënë se Shërbimi i Trupit Koordinues është në kontakt të përhershëm me drejtuesit e komunave dhe se ekipi po përgatit mendimet e Ministrisë së qeverisë serbe si dhe në çfarë mënyre mund të zgjidhjen kërkesat e liderëve shqiptar.
“Përkujtoj se me 25 prill në Odën ekonomike të Serbisë nën organizimin e Trupit Koordinues është mbajtur Panairi i potencialeve të investimeve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe në të kanë marrë të gjithë përfaqësuesit e komunave me ekipet e tyre si dhe ndërmarrjet” ka thënë Stankoviq.
Ata me përfaqësuesit e qeverisë, ministritë, sekretarët shtetërorë, ambasadorët, përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe investitorët e interesuar kanë prezantuar mundësitë të investimeve në këtë tri komuna në jug të Serbisë.
“Kjo është njëra ndër pikat në të cilat liderët shqiptar më së shumti kanë insistuar, pasi pa nxitje të ekonomisë nuk ka as punësime të të rinjve” ka thënë Stankoviq.
Stankoviq ka theksuar se nuk e ka të qartë se pse liderët shqiptar gjithmonë janë të paknaqur me atë që është bërë dhe se në këto tri komuna duhet të respektohen rregulloret dhe ligjet sikur në pjesët tjera të Serbisë.