RCCOLA

Sqarohet Riadi

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Është për tu habitur fakti se si kryetari i nderuar i komunës së Kamenicës deklarohet pa asnjë rezervë se nuk ka qenë fare i interesuar për një proces shumë të rëndësishëm për kompaninë e Higjienës e që ka pasur të bëjë edhe me komunën e tij, si dhe e shprehë pakënaqësinë e tij me punën, shërbimet dhe me ish-bordin e kësaj kompanie thotë Riad Rashiti.

“Komuna e Gjilanit ka vepruar sipas ligjeve, e jo sipas logjikës së komunës Kamenicës “. Kështu është shprehur Riad Rashiti ish kryesues i komisionit komunal për partneritetin publiko privat në rastin “Higjiena” në Gjilan. Rashiti këto komente i bëri për rajonipress pas deklaratës së kreut të Kamenicës Shaip Surdulli .

Rashiti tha se Surdulli ka treguar një papërgjegjshmëri sepse ai është personi kryesor përgjegjës për komunën e Kamenicës .”Ju është dashur që së paku një herë më parë të kishit dhënë vlerësimin dhe mendimin tuaj për këtë kompani, sepse këto vërejtje tuaja me kohë ndoshta do të kishin pasur efektin e dëshiruar nga ana e juaj” ka thënë Rashiti.

Deklaratat tuaja i respektuar kryetar Surdulli po tregojnë jogadishmërinë tuaj që nga fillimi i këtij procesi për të bashkëpunuar me komunën e Gjilanit, si dhe njohurit shumë të pakta që i keni pasur lidhur me një proces të realizuar me sukses nga ana e komunës së Gjilanit.

Komuna e Kamenicës dhe ju zoti Kryetar, së pari e keni shumë të mjegulluar situatën që nga fillimi e deri më sot me gjendjen në të cilën e keni sjellë ish-njësinë e KRM “Higjienës”.

Fundamenti

Duke dhënë një kronologji të rrjedhës së “Higjienës”, Rashiti tha se me vendimin nr. 1-75 të datës 30.06.2011 të marrë nga Kuvendi i Kamenicës është shprehur kundërshtimi i privatizimit të kompanisë regjionale të mbeturinave „Higjiena“ sh.a Gjilan, e çka nënkupton se një Kuvend Komunal ka qenë keq i informuar si pasojë e mjegullës të cilën e keni krijuar ju kryetar Surdulli, sepse procesi i PPP nuk ka pasur dhe nuk ka të bëjë aspak me privatizim të KRM Higjienës, dhe besoj se e kuptoni mirë dallimin e menaxhimit të një ndërmarrje me marrëveshje përmes Partneritetit Publiko-Privat me kohë të caktuar, nga një proces i privatizimit të një ndërmarrje.

Rashiti thotë se kreu i Kamenicës ka formuar Komision Komunal për menaxhimin e ish-njësisë punuese “Higjiena” në Kamenicë, duke u bazuar në Ligjin e vetëqeverisjes lokale, statutin e Komunës dhe në vendimin plotësisht të paqartë nga ana e Kuvendit të Komunës së Kamenicës (sepse me atë vendim keni kundërshtuar privatizimin, e jo PPP), ndërsa fare nuk keni mundur të bazoheni në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Ligjin mbi Shoqëritë Aksionare, sepse nuk e lejojnë aspak një vendim të tillë të marrë nga ana e juaj.

Nuk do të mundohem të ju bindë për vendimet dhe veprimet nga ana e Institucioneve të Komunës së Kamenicës e as të tuajat si Kryetar i Komunës së Kamenicë se pse, dhe si është dashur të veprohet? Por vetëm dua të sqarohem rreth kësaj çështje.
“Unë fillimisht kam shprehur vlerësimin se njësia e „Eko-Higjienës“ në Kamenicë është duke operuar dhe vepruar jo ligjërisht, (për këtë vlerësim timin do të bindeni së shpejti). Nuk keni të drejtë ju si komunë të faturoni klientët e kësaj njësie të kompanisë, me vulën e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, sepse nuk e keni në asnjë rregullore të Kuvendit Komunal. Nuk mund të inkasoni mjete financiare për punët dhe shërbimet e kryera nga ish-njësia e KRM Higjiena, dhe ky komision ti inkasoj dhe menaxhoj ato mjete financiare” ka sqaruar Rashiti.

Andaj nuk e kam thënë rastësisht se për këto veprime duhet të merret hetuesia, unë nuk ju kam akuzuar e as nuk ju kam shpallur fajtor juve, se nuk është në detyrën dhe në kompetencën time ta bëjë këtë, por janë institucionet përgjegjëse dhe kompetente që merren me këto çështje.

Ne, në bashkëpunim me „Eko-Higjienën“ do të paraqesim këtë gjendje të krijuar nga komuna e Kamenicës para organeve kompetente me dokumentacionin dhe dëshmitë tona për të zgjidhur këtë situatë të krijuar ka thënë Riad Rashiti, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, dhe ish-kryesues i komisionit të Kuvendit Komunal për procesin e PPP në KRM Higjiena./rajonipress/