Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit i bashkohet fushatës kundër kancerit të gjirit
Gjilan – Spitali i Gjilanit me thirrje për ndërgjegjësim dhe kontrolle të rregullta kundër kancerit të gjirit. Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit i është bashkuar fushatës për ndërgjegjësimin dhe parandalimin e kancerit të gjirit, duke përcjellë mesazhin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
Në kuadër të kësaj nisme, stafi infermieror dhe profesionistët shëndetësorë të këtij spitali, nën udhëheqjen e Drejtorit të Infermierisë, Kushtrim Syla, kanë ngritur zërin për rëndësinë e kujdesit shëndetësor dhe diagnostikimit në kohë.
Përmes kësaj fushate, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit u bën thirrje grave që të mos e neglizhojnë kujdesin për shëndetin e tyre dhe t’u nënshtrohen kontrolleve të rregullta. Mesazhi i profesionistëve shëndetësorë është i qartë: zbulimi i hershëm mund të jetë vendimtar në trajtimin e kancerit të gjirit.
“Mos prit. Kontrollohu me kohë!”, është thirrja e përcjellë nga stafi shëndetësor, me synimin që ndërgjegjësimi të shndërrohet në veprim konkret dhe kujdesi ndaj shëndetit të bëhet pjesë e përditshmërisë.
Fushata synon të përcjellë një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për të gjitha gratë, nënat, motrat dhe vajzat, duke vënë në qendër rëndësinë e kujdesit, kontrollit dhe diagnostikimit të hershëm./rajonipress/


