Mobi Casa

Spekulim apo e vërtetë, kreun e LDK-së e presin ndërrimet

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Kohëve të fundit jo vetëm po flitet me të madhe për ndërrimin e koalicionit qeverisës në vend, për çka tashmë kanë rënë dakord edhe partitë politike qeveritare PDK e AKR, sikundër ka pranuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që pritet ta zëvendësojë AKR-në në qeverisje.

Po ashtu, flitet se në kuadër të këtyre ndryshimeve qeverisëse, do të ketë ndryshime edhe në kreun e partisë më të madhe opozitare në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Burime ndërkombëtare, që kanë dashur të mbeten anonime, kanë bërë me dije se kreun e LDK-së, Isa Mustafa, do ta sjellim para aktit të kryer, përkatësisht dorëheqjes. Vendin e tij pritet ta zë njëri nga bashkëthemeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi, ose dy anëtarët e Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri apo Eqrem Kryeziu, informon Kosova Info.

Në LDK thonë të mos kenë informatë të tillë dhe e quajnë spekulim.

Fundamenti

Në LDK edhe një herë është konfirmuar se janë kundër hyrjes në koalicion dhe bisedimeve për veriun e Mitrovicës dhe se janë për respektim të marrëveshjes së arritur midis Thaçit, Pacollit e Mustafës, ndërkohë që sërish i kanë bërë thirrje presidentes Jahjaga që të japë dorëheqje.

Nga të apostrofuarit, veç Lutfi Hazirit, i cili gjendet në SHBA për një vizitë zyrtare, dhe Eqrem Kryeziut, që ishte e pamundur të kontaktohej, u shpreh njëri nga ish-themeluesit e LDK-së, Jusuf Buxhovi. Sipas vlerësimit të tij, “në kreun e LDK-së ndryshimet janë të domosdoshme, jo vetëm për LDK-në si parti politike, e cila ka përgjegjësi të veçantë për shtet-ndërtimin e Kosovës, por edhe për skenën tonë politike, e cila pa këto ndryshime rrezikon të ngulfatet në tërësi, gjë që do të ishte e dëmshme për ardhmërinë e shtetit të Kosovës”.

Ndërkaq, sa i ardhjes së tij në krye të LDK-së, ai tha se për këtë duhet të vendosë anëtarësia e LDK-së.