Specialja zvarrit arrestimet, pushtetarët në gjah për të shpëtuar kokën
Askush nuk e di me saktësi se kur do të nisin arrestimet nga Gjykata Speciale apo ndoshta pushtetarët ia kanë gjetur “ilaçin” kësaj pune për të influencuar Gjykatën Speciale, që të mos nisin arrestimet para se gjoja të arrihen marrëveshjet e “mëdha finalizuese” me Serbinë, mes Aleksandar Vuçiqit e Hashim Thaçit dhe me ndihmesën e agjentëve të tyre të UDB-së serbe.
Në një përgjigje që ka ardhur të enjten për gazetën “Kosova Sot”, thuhet se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë mandatin për të implementuar procese gjyqësore të drejta, të pavarura dhe të paanshme.”Ashtu siç kërkohet, ne jemi të përkushtuar në përmbushjen e mandatit tonë pa asnjë ndikim apo ndërhyrje”, thuhet në këtë përgjigje, teksa shtohet se për hetimet e aktakuzat është përgjegjëse Zyra e Prokurorisë Speciale, kurse kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme.
Analistët thonë se kanë qenë inskenime të gjitha zhvillimet prej dhjetorit 2017 kur Hashim Thaçi me pushtetarët e tjerë aktualë tentoi të rrëzojë Gjykatën Speciale përmes Kuvendit të Kosovës, për të vazhduar pastaj me spektaklin me arrestimin e përfaqësuesit serb, Marko Gjuriqi, e shumë skandale të tjera, përfshirë edhe skandalin me ndarjen e Kosovës, përmes të ashtuquajturit ‘korrigjimit të kufijve’, vetëm e vetëm për të influencuar dhe për të përfituar kohë që të mos nisin arrestimet dhe në emër të “gjetjes së zgjidhjes” me Serbinë që pushtetarët të mos përfundojnë në Gjykatën Speciale. Megjithatë, analistët dhe qytetarët shpresojnë që Gjykata Speciale t’i japë shembull dhe mësim sistemit të brishtë të drejtësisë në Kosovë se edhe ‘peshqit e mëdhenj’ mund të arrestohen, por në të njëjtën kohë kanë frikë se edhe kjo Gjykatë Speciale po rrezikon të blihet me para nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me ta. Analistët thonë se Kuvendi i Kosovës nuk e ka guximin që t’ia marrë mandatin presidentit të vendit në dialogun me Serbinë, si dhe ta ndalë Thaçin të dialogojë me Serbinë, sepse nga çdo dialog përmes Hashim Thaçit, Kosova e rrezikon sovranitetin e shtetit në shkelje të Kushtetutës
Bislimi: Gjykata Speciale rrezikohet të blihet me para nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me ta! Politologia Liridona Bislimi, për gazetën “Kosova Sot”, theksoi se u bënë tre vjet prej se u votua në Kuvendin e Kosovës amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës që ia hapi rrugën krijimit të Gjykatës Speciale. Me krijimin e saj u tha se Gjykata Speciale do të pastronte imazhin e Kosovës, do të ndihmonte procesin e njohjeve ndërkombëtare dhe do të ndëshkonte kriminelët, mirëpo ja ku jemi, kanë kaluar tre vjet, janë shpenzuar afër njëqind milionë euro, por ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë e nuk ka filluar asnjë proces dhe nga ky përfundim bën ta kuptosh se Gjykata Speciale dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë rrezikohen të blihen me para nga nëntoka dhe pushtetarët e lidhur me ta”, është shprehur Bislimi. Ajo shtoi se më 22 dhjetor 2017 Thaçi kishte marrë nismë për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. “Me nënshkrimin e 43 deputetëve dhe i përkrahur nga Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj, presidenti kishte tentuar në mënyrë krejt të papritur ta shfuqizojë Specialen, për të cilën kishte bërë aq shumë thirrje që të votohej në kohën kur ishte themeluar. Thaçi, i përkrahur nga Haradinaj e Veseli, rrezikuan që Kosovën ta izolojnë nga bota perëndimore, rrezikuan që Kosova ta humbë mbështetjen e SHBA-së, aleatit kryesor dhe mikut më të madh të shqiptarëve, të cilët ishin kundër shfuqizimit të speciales, të cilën e kishte kundërshtuar ashpër gjithashtu edhe Bashkimi Evropian”, është shprehur ajo
Shkodra: Disa afera janë inskenime, si ajo me pezullimin e Gjykatës Speciale Ndërsa, analisti politik Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot” thotë se përherë disa afera janë inskenime, si ajo me pezullimin e Gjykatës Speciale, me ndihmën e Kuvendit, spektakli me Gjuriqin, apo ‘marrëveshja për ndërrime territoresh, herë korrigjime kufijsh’ për të ngritur tensione te qytetarët, në mënyrë që të krijohet panik, krejt qëllimi është që në opinionin e brendshëm të krijohet atmosferë ndryshe nga gjendja reale e përditshme.”Partitë janë ‘si patat në mjegull. Në këtë Kuvend nuk ka opozitë serioze. Të gjithë në mënyrë individuale e në mënyrë parciale i shohin këto punë. Asnjëri nuk shkon përtej asaj që mund të jetë e dëmshme. Mendojnë se Hashim Thaçi e ka mbi shpinë çdo gjë, prandaj nuk çajnë kokën shumë se çka do të ndodhë në sferën e përgjithshme të Kosovës”, është shprehur ai. Shton se nuk duhet të pritet shumë edhe për arrestimet nga Gjykata Speciale.
QARRI: PUSHTETARËT E INKRIMINUAR I GJETËN “ILAÇIN” PROKURORISË DHE GJYKATËS SPECIALE Analisti Gani Qarri për gazetën “Kosova Sot” thotë se, sa i përket nisjes së arrestimit të personave të akuzuar nga Gjykata Speciale për momentin, mund të bëhen vetëm spekulime, ngase që nga dorëheqja e ish- kryeprokurorit David Schvendiman, nga kreu i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Kosovë dhe emërimit të z. Jack Smith, një prokurori tjetër amerikan në vend të tij, asnjëherë më nuk është raportuar asgjë, nga fakti se siç duket pushtetarët e inkriminuar i kanë gjetur “ilaçin” edhe kësaj pune për të influencuar Gjykatën Speciale, që të mos nisin arrestimet para se gjoja të arrihen marrëveshjet e “mëdha finalizuese” me Serbinë, siç po i quajnë Aleksandar Vuçiqi, Hashim Thaçi dhe agjentet e tyre të UDB-së serbe me shokë. Qarri shton se fatkeqësisht, për momentin, Gjykata Speciale nuk mund t`i japë shembullin e duhur as sistemit të degraduar të drejtësisë në Kosovë.”Nisur nga ajo se si po zhvillohen ngjarjet tash e sa kohë në vendin tonë, jo vetëm që arrestimet nuk do të fillojnë shpejt as nisin me ‘peshqit e mëdhenj’, por dyshohet se pas gjithë zhurmës së zhvilluar kohëve të fundit pushtetarët e “dyshuar” tanimë t’i kenë gjetur “ilaçin” edhe kësaj pune, duke influencuar Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale që të mos nisin arrestimet para, se gjoja të arrihen marrëveshjet e “mëdha finalizuese” me Serbinë, siç po i quajnë në vazhdimësi Vuçiq e Thaçi dhe agjentët e tyre të UDB-së. Madje njëjtë si në të kaluarën, as tani Kuvendi i shtetit tonë të brishtë nuk e ka guximin e duhur që t’ia marrë mandatin presidentit të vendit në dialogun me Serbinë për ta parandaluar Thaçin të dialogojë kokë më vete me këtë shtet ish-pushtues. jo dëshmon katërçipërisht se të gjitha zhvillimet e përçudshme prej dhjetorit të vitit 2017 e këtej ishin vetëm inskenime të Hashim Thaçit me pushtetarët e tjerë aktualë, i cili në një mbrëmje të vetme mjegulloi çdo gjë dhe tentoi t`ua bënte terr para syve edhe deputetëve për të rrëzuar Gjykatën Speciale me votën e tyre. Madje, nisur nga ajo se si zhvillohen ngjarjet tash e sa kohë në vendin tonë, jo vetëm që arrestimet nuk do të fillojnë shpejt, e as të nisin me ‘peshqit e mëdhenj’, por dyshohet se pas gjithë zhurmës së zhvilluar kohët e fundit pushtetarët e “dyshuar” tanimë i kanë gjetur “ilaçin” edhe kësaj pune, duke influencuar Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale që të mos nisin arrestimet para se gjoja të arrihen marrëveshjet e “mëdha finalizuese” me Serbinë, siç po i quajnë në vazhdimësi Vuçiq e Thaçi dhe agjentët e tyre të UDB-së. Për aq më tepër, para sfidave në të cilat ndodhet Kosova, si bisedimet me Serbinë, epilogu i të cilave me gjithë paralajmërimet, ende nuk dihet dhe nuk është aspak i sigurt se mund të përfundojë deri në fund të vitit”, ka theksuar analisti Qarri.
KELMENDI: KEMI GRUPIMIN RRETH THAÇIT, KU BËN PJESË KLANI “PRONTO”, GRUPIMET NË PROKURORI, NË AKI DHE NËPËR GJYKATA E NË POLICI Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se zhvillimet në Kosovë ka kohë që janë duke ecur në rrugë pa krye dhe që dërgojnë nga shkatërrimi i Republikës dhe nga dëmtimi edhe i vlerave të Luftës Çlirimtare të bërë nga UÇK-ja.”Nuk është fjala këtu për një Hashim Thaçi, sepse sikurse të ishte vetëm ky, shumë lehte është çështja. Këtu në Republikë kemi shumë grupe dhe grupacione dhe vetëm në kuadër të pushteteve, sikurse pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, janë krijuar grupime dhe vartësi të mëdha. Natyrisht se në këtë rrugë prijnë dy grupime kryesore:1. Kemi grupimin rreth Thaçit, ku me këtë grupim bënë pjese, Klani “Pronto”, grupimet në Prokurori, në AKI dhe nëpër gjykata e në Polici. Kudo në këto organe kemi grupime të organizuara dhe të udhëhequra nga politika, të cilëve edhe iu shërbejnë me besnikëri. 2. Grupimi i krijuar nga LDK dhe Isa Mustafa. Ky grupim duket shumë i parëndësishëm, por ka ndikim të madh nëpër borde, në polici, në gjykata e në prokurori, sidomos nëpër komuna, prej nga po dirigjojnë dhe janë pasuruar së tepërmi. 3. Kemi edhe grupime tjera të krijuara nga partitë politike tjera apo nga mafia kriminale ekonomike, e cila është e lidhur ngushtë me grupimet politike të krijuara nga ana e subjekteve që joshin mbi 10 vjet në pushtet”, është shprehur Kelmendi për gazetën. Sipas tij, këto grupime me qëllim të jetës së tyre dhe vazhdimit të politikave shkatërrimtare vazhdojnë me nxjerrjen dhe krijimin e shumë vështirësive për të larguar vëmendjen e popullit nga problemet themelore.”Këtu bëjnë pjesë taktikat shumë të rrezikshme, si Gjykata Speciale, diskutimet rreth veriut, rreth krimit ekonomik, si dhe kalimet e ndryshme deri te tërheqja apo korrigjimi i vijës kufitare me shtetin serb. Të gjitha këto janë taktika që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së masave nga problemet kryesore dhe kalimin nga një çështje në tjetrën, në mënyrë që të jetojnë pa probleme dhe të vazhdojnë udhëheqjen dhe veprimtaritë tjera antiligjore pa pengesë dhe pa frikë nga shteti. Koka është te grupet e krijuara. Ato njihen nga shteti por edhe nga faktorët ndërkombëtar. Pa e drejtuar tehun e efektivitetit kryesisht kundër PDK-së dhe LDK-së si dhe kundër figurave kryesore të këtyre dy subjekteve, si Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, kuptohet me kompani, vendi dhe Republika nuk ecën përpara. Për atë duhet një spastrim i gjerë dhe në përmasa gjithëpërfshirëse të të gjitha poreve të pushtetit”, theksoi Kelmendi.
Ai nuk mendon se Gjykata Speciale aktualisht do të fillojë me punë. “Shkaqet janë të ndryshme, por kryesisht për shkak të fillimit dhe përfundimit të bisedave me marrëveshje me shtetin serb. Nga rezultatet e saj do të varet edhe puna e kësaj gjykate. Ka mundësi që pas përfundimit të marrëveshjes mbi bazën e propozimeve të z. Thaçi dhe të Vuçiqit që kjo gjykatë mos të fillojë nga puna. Një marrëveshje do të bëhet e sipas asaj që mendohet nga kryebiseduesit, futet edhe amnistia e tërë veprave të bëra në luftë. Natyrisht se juridikisht kjo nuk është e drejtë. Por, duke u mbështetur në fajet e z. Thaçi dhe Mustafa me ish-presidenten i kanë amnistuar kriminelet e “Rojës së Urës në Ibër”, ka mundësi kështu të përfundon kjo çështje. Por natyrisht se ky është një krim që nuk parashkruhet kurrë. Andaj i takon shtetit tonë të marrë masa dhe mos të lejojë mospërgjegjësinë për hir të disa vetave që as fare moral politik nuk kanë. Dhuna dhe terrori në Kosovë kanë qenë në intensitetit të lartë dhe atë pa e dënuar kurrë nuk duhet lejuat. Nuk mund të kalohet mbi vrasjet dhe djegiet, mbi përdhunimet dhe krimet e mëdha. Janë shumë të larta për ndonjë veprim tjetër, veç përgjegjësisë penale”, ka theksuar Kelmendi.
GURAZIU: DËSHTIMET PËR KOSOVËN DO TË MUND TË NDALEN VETËM KUR TË MOS JEPET MË VOTA PËR KRIMINELËT DHE PËR TRADHTARËT
Analisti Ragip Guraziu për gazetën “Kosova Sot” thotë se tash e tre vjet prej se u votua në Kuvendin e Kosovës krijimi i Gjykatës Speciale ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë e nuk ka filluar asnjë proces.”Andaj nga ky përfundim bën ta kuptosh se Gjykata Speciale dhe sistemi i drejtësisë në Kosovë rrezikohen të blihen me para nga nëntoka kriminale dhe pushtetarët e lidhur me ta. Tash presidenti Thaçi i ka hyrë edhe një aventure të rrezikshme. Ai duke mos pasur asnjë mandat për bisedimet me Serbinë, ka paralajmëruar ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, apo siç po e quan ai “korrigjim i kufirit”, është shprehur Guraziu. Sipas Guraziut, përfundimisht, dështimet e tilla për Kosovën do të mund të ndalen vetëm kur të mos jepet më vota për kriminelët dhe për tradhtarët.
BADALLAJ: HASHIM THAÇI, QË KA ARDHUR DERI KËTU, KA ARDHUR ME DALLAVERE, MASHTRIME, INSKENIME DHE MATRAPAZLLËQE
Analisti Reshat Badallaj për gazetën “Kosova Sot” thotë se edhe në Gjykatën Speciale i ka futur gishtat politika. “Politika dhe Gjykata Speciale janë duke luajtur lojëra të pista për të përfituar në kohë. Vetëm të mendojë njeriu esëll dhe do të bindet në dallavere në mes këtyre; së pari vetë Hashimi i Brojës e solli Gjykatën Speciale, bile-bile bënte trysni te deputetët që të votojnë, pastaj të aprovohet në atë mezlishtin rrugaçësh, që këta po i thonë Kuvend. Bënte trysni ky kapadai pa asnjë kusht, bile krahasonte xhelatin me viktimën”, është shprehur ai.
Sipas Badallajt, kur e pa se do t’i digjet bishti, atëherë bashkë me këlyshin e UDB-së serbe dhe tellallin e Aleksandar Vuçiqit ndërruan pllakën dhe nuk lanë gur e dru pa lëvizur kinse për ta rrëzuar këtë gjykatë. “Sa i përket marrëveshjes finalizuese se kinse do të arrihet shpejt, unë personalisht kurrë nuk e besoj këtë që thonë shpejt. Këta vagabondë do të pjellin gjëra tjera vetëm për t’i ikur Gjykatës Speciale. A e dini ju se deri tani Hashim Thaçi, që ka ardhur deri këtu, ka ardhur me dallavere, mashtrime, inskenime dhe matrapazllëqe. Ky njeri është i lindur për gjëra të tilla dhe për të futur pyka dhe për ta bërë katrahurë vendin. Unë personalisht aspak nuk i besoj kësaj gjykate, sepse kam fakte se sa e sa raste janë për t’u gjykuar. E kam fjalën nga kryebanditët dhe banditët që nga majat e shtetit e deri te bandat politike dhe herë pas here kanë bërë veten shou. Merre bandën mafioze të krimit të organizuar të kanaleve të nëntokës kriminale “Pronto” dhe çka ndodhi asgjë, merre bandën serbiane më të rrezikshme në Ballkan, që quhet “Devolli”, dhe çka ndodhi, asgjë. Merreni se sa krimineli ka bërë krime në Kosovë dhe sillet para hundëve të tyre dhe nuk arrestohet askush dhe si mund t’i besohet kësaj gjykate. Hashimi i Brojës ka këshilltarë që kanë bashkëpunuar dhe bashkëpunojnë me UDB-në dhe shih se sa shkuan në rrezik për vendin kinse “korrigjim kufijsh”, a nuk është kjo lojë e pistë. Kurrë nuk ka qenë serioz ky njeri, sot pështynte, nesër e lëpinte me lezet”, është shprehur ai.
ALIU: ÇDO DIALOG PËRMES HASHIM THAÇIT, KOSOVA E RREZIKON SOVRANITETIN E SHTETIT Analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot” theksoi se mbetet me shpresë se Gjykata Speciale është e gatshme që të nisë arrestimet, megjithatë pushtetarët tanë sikur ia kanë gjetur “ilaçin” kësaj pune, duke ngadalësuar arrestimet, para se gjoja të arrihen marrëveshjet e “mëdha finalizuese” me Serbinë. “Gjykata Speciale do t’i japë mësim dhe udhëzim sistemit të drejtësisë në Kosovë se edhe ‘peshqit e mëdhenj’ mund të arrestohen. Mirëpo e keqja është se përse Kuvendi i Kosovës ende nuk po e ka guximin që t’ia marrë mandatin presidentit të vendit në dialogun me Serbinë, si dhe për ta ndaluar atë të dialogojë me Serbinë, ngase nga çdo dialog përmes Hashim Thaçit Kosova e rrezikon sovranitetin e shtetit duke e shkelur edhe Kushtetutën”, ka theksuar Bislimi.
(Kosova Sot)


