ARKATANA

Speci djegës, efektet pozitive dhe rastet kur duhet shmangur

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Speci djegës nuk mungon në tavolinë, sidomos gjatë stinës së ftohtë. Por përtej shijes pikante, speci ka edhe një sërë funksionesh terapeutike, të cilat jo të gjithë i njohin.

Efektet pozitive të specit djegës në shëndetin e njeriut janë disa. Ai përmirëson qarkullimin e gjakut dhe mbron sistemin kardiovaskular, pasi zgjeron enët e gjakut dhe lufton me efektivitet kolesterolin. Në përbërje të tij ka yndyra .të pangopura, të cilat bëjnë të mundur forcimin e enëve të gjakut dhe ruajtjen e elasticitetit të kapilarëve, duke përmirësuar oksigjenimin e gjakut.

Speci ka veti antiinflamatore, madje rekomandohet në rastet e kollës. Ai lehtëson edhe dhimbjet reumatizmale. Për këtë mjafton zbutja e tij për një farë kohe në një sasi alkooli dhe aplikimi në vendin e dhimbjes.

Shija pikante e specit i detyrohet kapsaicinës, e cila gjithashtu favorizon tretjen.

FIDANISHTJA

Speci është i pasur me vitaminë C, e cila mbron nga infeksionet. Gjithashtu, te speci gjendet në sasi të mëdha vitamina E, të cilës i atribuohet edhe vetia afrodiziakë, që ka të bëjë me përmirësimin e funksioneve seksuale.

Efektet negative

Speci nuk këshillohet të konsumohet nga ata që vuajnë nga patologji si ulcera, gastroenteritet, cistitet, hepatitet, hemorroidet etj.

Për fëmijët nën 12 vjeç, konsumi duhet të jetë i kufizuar, pasi aparati i tyre tretës është delikat. Gjithashtu për të shmangur shqetësimet, në sasi të kufizuara duhet të përdoret edhe nga gratë shtatzëna apo ato që ushqejnë fëmijët me gji. Kremrat apo losionet që kanë bazë speci duhen shmangur nga personat me lëkurë të ndjeshme. Në mënyrë të veçantë, kujdes duhet bërë në kontaktin me sytë.