KKVITI

Sparks kërkon largimin e MUP-it nga Kosova

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparks, tha se misioni i BE-së në Kosovë nuk mundet ta përmbushë mandatin në tërë Kosovën, për shkak të operativëve ilegalë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MUP) që janë të vendosur në veri.

“Duhet të largohen nga Kosova qindra pjesëtarë të MUP-it. E dimë se janë atje në kundërshtim me Rezolutën 1244”, ka thënë Sparks gjatë një bisede me gazetarët serbë, duke shtuar se Beogradi është i detyruar të respektojë Rezolutën 1244, sipas së cilës asnjë operativë i Serbisë nuk duhet të jetë në tokën e Kosovës.

“Ne kemi shumë informacione për këtë, të cilat mund t’i ndajmë me autoritetet serbe, natyrisht nëse këtë ata e duan”, ka shtuar ai.

Në lidhje me vizitën e fundit të drejtorit të Zyrës së Qeverisë për Kosovën, Aleksandar Vulin, i cili në fund të qëndrimit u dëbua me përcjellje të Policisë së Kosovës, Sparks ka rikujtuar se ekzistojnë mekanizmat për vizitat zyrtare të autoriteteve serbe në Kosovë, të cilat shkojnë nëpërmjet Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së. Sipas tij, vizitori duhet të tregojë qartë se ku shkon, ndërsa autoritetet e Kosovës e pranojnë vizitën sipas agjendës së dorëzuar. Në këtë aspekt, autoritetet kosovare kanë thënë se Vulini nuk e ka respektuar agjendën e tij.

“Ekziston marrëveshja dhe EULEX-i nuk përzihet këtu”, porositi Sparks, duke shtuar se situata nuk është e përsosur dhe se është në interesin e të gjithëve që të normalizohen raportet përmes bisedimeve.

“Tash për tash, në shumë zona situata është e komplikuar, por duhet të përdoren mekanizmat që ekzistojnë”, thekson zëvendësshefi i EULEX-it.

Uji Dea

EULEX-i, sipas tij, ka marrëdhënie të mira me organet e Serbisë, që mundësojnë konsultime në lidhje me sundimin e ligjit.

“EULEX-i shpesh është edhe lidhja në mes të Beogradit e Prishtinës, përkitazi me statusin”, shton Sparks. “Këto marrëdhënie nuk kanë ndryshuar as pas ardhjes së qeverisë së re serbe, meqë kanë vazhduar bisedimet e punës”.

Sparks shton se shefi i EULEX, Xavier de Marnhac, e ka ndërmend që së shpejti ta vizitojë Beogradin, ku do të takohet me autoritetet e qeverisë së re serbe.

Kur është fjala për veriun e Kosovës, Sparks tha se niveli i krimit të organizuar atje është shumë më i lartë se në viset tjera të Kosovës.

“Është e vërtetë se në veri kriminelët e kanë më të lehtë të veprojnë, për shkak të sundimit të limituar të zbatimit të ligjit, për shkak të situatës politike. Por, ne e dimë se krimi i organizuar, që ne kemi parë në pjesën veriore, është i lidhur me kriminelët e Kosovës. Bashkëpunimi i tyre lulëzon “, theksoi njeriu i dytë i EULEX-it.

I pyetur nëse EULEX-i është i kënaqur me funksionimin e institucioneve të Kosovës në zgjidhjen e “krimeve etnike”, ai tha se ka progres, por se duhet bërë një hap para. Qëllimi i autoriteteve të Kosovës, sipas tij, duhet të jetë puna e paanshme, siç do të duhej të ishte në një “shtet multietnik”. Ai theksoi se duhen shumë vite për hetimin e rasteve të ndërlikuara, ndërsa beson se në të ardhmen e afërt ato do të zgjidhen. /Telegrafi/