Spahiu: Kujdes me ndriçimin festiv në ambientet e brendshme

Gjilan – Sami Spahiu drejtor për mbrojtje dhe shpëtim ka dhënë disa këshilla dhe rekomandime të rëndësishme për festat e fundviti. Në veçanti Spahiu ka thënë se duhet të ketë kujdes maksimal në ndriçimin festiv në ambientet e brendshme.
Komuna e Gjilanit përmes drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim që përfaqësohet nga drejtori Sami Spahiu ka dhënë disa këshilla shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me përdorimin e fishekzjarrëve gjatë festave të fundvitit.
Spahiu tha se qytetarët duhet të bëjnë me kohë pastrimin e oxhaqeve të shtëpive, pastaj të mos hedhin hirin me prush në kontejnera, kurse ka tërhequr vërejtjen që duhet të ketë kujdes me ndriçimin festiv në ambientet e brendshme, kujdes me fishekzjarrët gjatë festave të fundvitit “Të gjitha këto shkaktojnë zjarre dhe rrezik të përgjithshëm, të cilat janë të sanksionuara me ligj, sepse rrezikojnë jetën tuaj dhe të tjerëve” ka thënë Spahiu për rajonipress.
Spahiu ka dhënë edhe këshilla tjera që janë të nevojshme të kuptohen drejtë nga qytetarët, siç është edhe këshilla tjetër që në asnjë mënyrë mos të ndizen fishekzjarrë nga personat që janë nën ndikimin e alkoolit./rajonipress/