RCCOLA

Sot votohet në Tërnoc, shpresa e fundit që shqiptarët të kenë deputet në Serbi

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Për herën e katërt në njësinë numër 6 në Tërnoc të Luginës së Preshevës, sot (e enjte) do të organizohet procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, me shansin e fundit që Shaip Kamberi të zërë një ulëse si deputet në këtë Kuvend.

Tri herët e para procesi u përsërit, ndërsa një herë Kamberi siguroi ulësen, por në procesin e fundit të përsëritur e humbi.

Partia për Veprim Demokratik ditë më parë bëri thirrje për votim duke kërkuar pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve. Siç kanë vlerësuar PVD-ja dhe partnerët, po ka tentativa në vazhdimësi për të penguar përfaqësimin e shqiptarëve në Parlament.

Eco Higjiena

“Edhe me këtë rast u ritheksua se lufta kundër diskriminimit shtetëror të Serbisë, i cili po shtrihet në të gjitha sferat e jetës e që po ngushton hapësirat për një perspektivë më të mirë, duhet të vazhdojë me të gjitha mjetet politike, prandaj, edhe beteja për përfaqësim të dinjitetshëm parlamentar mbetet një ndër objektivat kryesore të veprimit tonë politik. PVD është e vetdijshme se ky proces zgjedhor që po zvarritet me ndërhyrje të shuma të shtetit, është shndërruar në lodhje për zgjedhësit e njësisë gjashtë, por, duke parë rëndësinë e momentit në të cilin ndodhemi, perspektivën në të cilën gjendet mbarë rajoni, i fton gjithë përkrahësit e dashamirët që, edhe kësaj radhe, t’i përgjigjen në mënyrë masive daljes në zgjedhje, për të dëshmuar fuqinë politike e përfaqësuese të shqiptarëve”, thuhej në komunikatën e PVD-së dhe Kamberit.

Për Kamberin përkrahje kanë ofruar edhe liderë partiakë e institucionesh në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Ai ishte deputet në legjislaturën e fundit.