Sot reforma, nesër zgjedhjet

/ 13 minuta lexim

Kryetari i LDK-së dhe kandidati për Prishtinë, Isa Mustafa flet për Kosovapress rreth balotazhit, koalicioneve, reformës zgjedhore, zgjedhjeve të parakohshme, krizës në Kuvend, për forcën e re politike të përfolur se do ta themelojnë Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj si dhe çështjeve tjera.

Kosovapress: Z. Mustafa, po afrohet koha e fushatës për balotazh. Do të bëni fushatën e njëjtë, apo do të ketë ndryshime, qoftë në formën e fushatës, qoftë në premtimet, qoftë në prezantimin e programit?

Mustafa: Po mendoj se do ta mbajmë një kontinuitet të fushatës, programi është ai që ne kemi prezantuar edhe në pjesën e parë të fushatës, është një program gjithëpërfshirës, të cilin e kemi të veçuar edhe në pikëpamje të disa projekteve që ne i kemi thënë gjatë fushatës, por edhe në dokumente që i kemi aprovuar në Kuvendin e Komunës, sa i përket zhvillimit urban, zhvillimit hapësinor, sa i përket projekteve të ujësjellësit, projekteve të koogjenerimit të qytetit, rrugëve kryesore, që i kemi futur në kornizën afat mesme buxhetor dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm, janë çështje shumë konkrete, të cilat qytetarët i njohin deri më tani, mirëpo, do të bëjmë përpjekje që edhe në këtë pjesë t`i rikujtojmë qytetarët, për disa prej projekteve të rëndësishme, që ne do t`i zhvillojmë në periudhën e ardhshme.

Kosovapress: A mendoni se do ta rrisni numrin e përqindjes në balotazh nga ajo e raundit të parë?

Mustafa: Po tash në raundin e dytë, mbetet të votohet për dy kandidat, unë mendoj se do të kem vota më shumë se në raundin e parë, mund të ndodhë që s`kanë dal një numër i votuesve dhe unë jam shumë i bindur se do të arrij rezultatet dhe do ta përfundoj këtë raund me fitore të bindshme, të themi edhe të LDK-së dhe timen.

Kosovapress: A besoni se e njëjta përqindje e qytetarëve do t`i përgjigjet, më 1 dhjetor votës tuaj?

Mustafa: Unë besoj se sa i përket votuesve të mi ata do të dalin, do të dalin më shumë sesa ata votues që kanë votuar të themi herën e parë, tani mbetet që pjesa tjetër e votuesve – qytetarëve të cilët votojnë, të përcaktohen gjatë kësaj periudhe, për cilin program, për cilin kandidat, zakonisht nuk ndodhë që në raundin e dytë të dalin, numër sikur ai në raundin e parë, sepse njerëzit selektohen në bazë të përcaktimeve të tyre, por unë shpresoj në daljen e qytetarëve në votime dhe shpresoj se gjithë ata do ta kryejnë obligimin e tyre qytetarë

Kosovapress: Kushtimisht po them, votat e kujt i synoni në Prishtinë, të PDK-së, AAK-së, AKR-së?

Mustafa: Nuk i kam orientuar votat, mirëpo, unë ato i konsideroj si vota të qytetarit, sepse, nuk i dalloj qytetarët në bazë të subjekteve politike, njerëzit rezonojnë në bazë të pritjeve të tyre, në bazë të orientimit të tyre, në bazë të besimit të tyre për kandidatët dhe, në këtë aspekt, unë s`mund të them se cili qytetar, i cilës parti, do të votojë për mua, apo për kandidatin tjetër, por unë i referohem votës së qytetarit.

Kosovapress: A ndihen i “kërcënuar” nga Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje , në raundin e dytë ?

Mustafa: Jo nuk ndihem, mendoj se diferenca është shumë e madhe që ne kemi trashëguar në raundin e parë, unë vërtetë, kam pritur që kjo të kryhet në raundin e parë, por edhe vet s`kam mundur të angazhohem shumë, sepse kam punuar mjaftë shumë në komunat e tjera, mirëpo mbetet që rezultati përfundimisht të përcaktohet me 1 dhjetor.

Kosovapress: Keni fituar si parti mbi 50 mijë vota, ku ka qenë i bazuar ky sukses sipas jush. Në punën e LDK`së apo në mos punën e të tjerëve ?

Mustafa: Tash votat e qytetarët i japin gjithmonë në subjektin, për partinë, për individin, për rezultatet dhe punën e asaj partie, dhe unë mendoj se të gjitha votat, ne i kemi dhanë në saje të asaj që kemi punuar shumë në terren, kemi punuar shumë me Anëtarësinë, kemi punuar edhe me qytetarët në të gjitha komunat. Unë mendoi se kjo është çështje e rritjes së votës sonë, ndërkaq te subjektet tjera, ka pasur zvogëlim të votës, por unë nuk them se ato vota që janë zvogëluar kanë ardhur te ne, sepse nuk kemi informata të tilla, ne kemi informata, që neve na janë shtuar votat, prandaj këtë e konsideroi si rezultat tonin.

Kosovapress: Kryeministri Hashim Thaçi, shumë herë e ka përmendur se marrëveshjet me Serbinë nuk janë shumë popullore dhe mund ta dëmtojnë në elektorat. Ju edhe pse nuk keni qenë pjesë e këtyre bisedimeve, megjithatë, marrëveshjet i keni ndihmuar të kalojnë në Kuvend. Dihet shumë mirë, se pa përkrahjen e LDK-së marrëveshjet do të kishin qenë të vështira të arrihen dhe implementohen. A ju kanë dëmtuar juve në elektorat, apo 50 mijë votat, ndoshta tregojnë se nuk kanë pasur ndikim në elektoratin e juaj. Si e shpjegoni këtë?

Mustafa: T`ju them të drejtën, nuk do ta lidhja këtë votimin për pushtetin lokal, me negociatat që janë zhvilluar në Bruksel me Serbinë, ne kemi vlerësuar si Lidhje Demokratike se këto negociata janë të dobishme në pikëpamje të shtrimit të sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në asnjë rast, në debatet tona gjatë prezantimit të programeve me anëtarësinë, nuk jemi lëshuar në komente ose në interpretim, dhe nuk kemi pasur ndërhyrje ose reagime të qytetarëve lidhur me bisedat për veriun e Kosovës dhe për bisedat që janë zhvilluar në Bruksel, unë besoj se në këtë fazë, sa i përket zgjedhjeve lokale, nuk kemi pasur ndonjë input të drejtpërdrejt, qoftë pozitivë qoftë negativ të negociatave me Serbinë.

Kosovapress: Reforma zgjedhore parashihet të jetë gati për janar. A do të jetë gati sipas jush reforma zgjedhore?

Mustafa: Në qoftë se ne i përmbahemi disa parimeve, unë mendoj se mund të jetë gati, në qoftë se nuk hyjmë në ndryshime kushtetuese, në qoftë se reformën zgjedhore e bëjmë në suaza të asaj çfarë Kushtetuta tani lejon të bëhet, edhe sa i përket sistemit zgjedhor edhe sa i përket listave zgjedhore edhe sa i përket çështjeve teknike të organizimit të zgjedhjeve, mirëpo në qoftë se hyhet në problemet, të cilat implikojnë ndryshimet kushtetuese, nuk mund të them sa a do të jetë gati në fund të janarit, apo në fund të qershorit të vitit të ardhshëm, sepse ato pastaj hapin shumë procedura, procedura ligjore, kushtetuese, hapin probleme të harmonizimit të grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe nuk jam i sigurt për këtë, por për çështjet që i kemi biseduar deri më tani, edhe të cilat nuk prekin Kushtetutën, ato mund të jenë gati për janarin e vitit të ardhshëm.

Kosovapress: Sipas jush, a duhet të hyj vendi në zgjedhje të parakohshme ?

Mustafa: Nuk do të preferoj të hyjmë në zgjedhje të parakohshme, më shumë preferoj që ta bëjmë reformën zgjedhore, që të përgatisim ligjin zgjedhor, që të përgatitemi mirë për zgjedhje dhe që zgjedhjet e ardhshme, të jenë zgjedhje transparente, të rregullta, që do të monitorohen nga faktorët ndërkombëtar, nga organizata jashtë Kosovës, në mënyrë që ata që fitojnë votën, ta kenë legjitimitetin e plotë të ushtrimit të pushtetit në periudhën e ardhshme.

Kosovapress : A është Kuvendi në krizë meqenëse pozita ka humbur numrat dhe po e ka të vështirë t`i kalojë ligjet?

Uji Dea

Mustafa: Është në një krizë, prandaj unë mendoj se për ta tejkaluar këtë krizë, ne gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, edhe për çështjet, të cilat tani shtrohen në rendin e ditës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tani krizën po e shkakton edhe problemi i PTK-së, sepse, po insistohet që të shkon raporti mbi privatizimin e PTK në Kuvend , ndërkaq, opozita, po ashtu, po kërkon që të formohet Komisioni që ta vlerësojë ligjshmërinë e privatizimit të PTK-së dhe unë mendoj se duhet të arrihet një marrëveshje që këto dy çështje të prolongohen, ose që të konstatohet ligjshmëria nga ata që kanë privatizuar PTK-në, në mënyrë që ajo mos të kalojë në Kuvend që edhe një herë të kërkohet që Kuvendi të verifikojë atë, sepse, kjo paraqet rrezik të mbajtjes ose bllokimit, të mbajtjes së rregullt të seancave të Kuvendit.

Kosovapress: A janë zgjedhjet e parakohshme, zgjidhja më e mirë e kësaj krize ?

Mustafa: Po mendoj se nuk janë, mendoj se do të ishte më mirë që të bëjmë reformën, që Kuvendi të funksionoi në çështjet në të cilat Kuvendi mund të funksionojë, nuk e kemi asnjë çështje që është me nguti të madhe në Kuvend, e cila duhet ta rrezikojë funksionimin e Kuvendit deri në pranverën e vitit të ardhshëm ose gjysmën e vitit , kur ne mund të shkojmë në zgjedhje të rregullta, me reformë zgjedhore, është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të rregullta, sesa që zgjedhjet të jenë të parakohshme, sepse, askujt si ngutet që për dy, tre apo katër muaj përpara, ta marr pushtetin në Kosovë.

Kosovapress: Sot Komuna, nesër Kosova. A keni bërë para kalkulime me cilën parti do të qeverisnit?

Mustafa: Po ne do të dëshironin që në zgjedhjet e ardhshme, të futemi vetëm, do të thotë pa koalicione parazgjedhore, në mënyrë që çdo parti të matet, edhe të jemi të qartë se sa vota peshon një parti në Kosovë dhe në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që kjo pastaj lehtëson koalicionet pas zgjedhjeve, mirëpo, në qoftë se partitë e tjera praktikojnë që të futen në koalicione parazgjedhore, ne do ta rishqyrtojmë përcaktimin tonë, tani për tani, nuk e kemi një përcaktim të qartë, sepse, nuk kemi biseduar me asnjë subjekt politik që të merremi vesh që të bëjmë koalicion, jemi në një fazë ku jemi përkushtuar për zgjedhje lokale, te zgjedhjet lokale ju po e shihni se koalicionet po bëhen pa ndonjë rregull të veçantë, edhe atje ku jemi kundërshtar në disa komuna, bëjmë koalicione me rival që jemi në komuna të rëndësishme, kështu që është çështje më tepër e komunave e jo e jona, sa i përket zgjedhjeve lokale, për zgjedhjet qendrore, do të shohim më vonë .

Kosovapress: Cila parti ju përshtatet më së shumti me program?

Mustafa: Tash nuk e kisha veçuar ndonjë subjekt politik tani, do të thotë ne programet i kemi kryesisht të ngjashme me partitë e qendrës së djathtë, me ato që janë deklaruar si parti e qendrës së djathtë, mirëpo, si do të jetë çështja, orientimi i tyre më tutje, me disa parti jemi rival të drejtpërdrejt si me Partinë Demokratike, sepse jemi partitë më të mëdha në vend , partitë e tjera, tani duhet të shohin edhe forcën e tyre, pozitën e tyre dhe interesin e tyre për zgjedhjet e ardhshme.

Kosovapress: Po përflitet, spekulohet edhe për mundësinë e një koalicioni LDK-PDK të mundshëm në nivel nacional. Edhe pse ju keni deklaruar se nuk do të hyni në koalicion me PDK-në. Megjithatë, është ka spekulohet, ku ndoshta ju do ta merrnit Qeverinë – kryeministrin, e Hashim Thaçi, Presidencën? A ka ndonjë të vërtetë këtu. A do ta votonit në këtë rast Thaçin për President?

Mustafa: Nuk kemi biseduar kurrë për këtë koalicion, do të thotë nuk kemi biseduar e as s`kemi bërë, të themi llogari të tilla dhe ndarje të tilla të pozitave, njerëzit flasin jashtë kuluareve dhe gjejnë alternativa të ndryshme, por nuk janë asnjë prej këtyre alternativave, për të cilat ne kemi biseduar

Kosovapress: A do të qeverisni me PDK?

Mustafa: Po tash ne me dëshirë do të qeverisnim me partitë e tjera, sepse ndryshimet nuk mund të bëhen në qoftë se vazhdohet me këtë qeverisje, me subjektet që janë në vazhdimësi të qeverisjes.

Kosovapress: Nuk e përjashtoni mundësinë që të bashkëqeverisni me PDK -në?

Mustafa: Unë nuk jam ai i cili vendos dhe të them sot se në asnjë rast s`do të qeverisim me PDK, për arsye të tilla se vendime të tilla përpara duhet të merr Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, për koalicionet e ardhshme, prandaj këtë vendim ia lë përfundimisht, ta merr Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Kosovapress: Nëse fitoni postin e kryeministrit a jeni i gatshëm të takoheni me Ivica Daqic, meqë dihet se bisedimet po vazhdojnë ende.

Mustafa: Çdo njëri që e merr këtë post të kryeministrit duhet të tregojë gatishmëri për takime me liderë, me qeveritarët, në fqinjësi të vendit tonë, dhe me ata të Serbisë, liderët, qeveritarët e tjerë, sepse, edhe po të kryheshin këto bisedime, gjithmonë Kosova dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka nevojë për marrëveshje me qeveritë e vendeve fqinje, kështu që nuk përjashtohen kurrë mundësitë e takimeve të tilla.

Kosovapress: Një forcë e re, nëse mund ta quajmë kështu, që është shfaqur në skenën politike janë iniciativat e përkrahura nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi. Përflitet se do të themelojnë subjekt të tyrin politik. Si e sheh këtë forcë të re?

Mustafa: Ne nuk kemi bërë ndonjë vlerësim tash, është çështje e atyre iniciativave qytetare dhe çështje e njerëzve që nuk janë të panjohur në arenën politike në Kosovë, dhe orientimeve të tyre politike, unë mendoj se i kontribuon demokracisë në vend, interesave të qytetarëve, i kontribuon ideve alternativave të reja. Është e dobishme për këtë demokraci, prandaj, unë pa dëshirë që të ndërhyjë në subjektet e tjera politike, unë vetëm them se çdo gjë që është e mbarë, është e drejtë, që ofron alternativa, është në të mirë të demokracisë.

Kosovapress: Në rast se formohet ky subjekt politik për zgjedhjet nacionale, e shihni si konkurrent, apo partnerë të mundshëm të ardhshëm?

Mustafa: Gjithmonë subjektet politike shihen si konkurrent, të themi në shikim të parë, pastaj partneriteti varet prej interesave që reflektojnë subjektet e ndryshme politike, sepse ata e marrin një pjesë, një pjesë të kulaçit, një pjesë të hapësirës politike të vendit./Kosovapress/