Fundamenti

Sot 9 maji, Kosova feston, Evropa punon

/ 3 minuta lexim

Kosova feston sot edhe një festë. Është 9 maji, dita e Evropës. Përveç Luksemburgut që këtë festë e ka vendosur si shtetërore në vitin 2019, por në këtë vend ndodhen shumë institucione të BE-së, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që festë zyrtare e ka këtë datë, madje pa qenë fare anëtare e BE-së e as pa pasur së paku, liberalizim të vizave.

Një festë të tillë nuk e festojnë thuajse as shtetet anëtare të BE-së. Në shumë prej tyre, kjo datë kalon pavërejtshëm, por kështu nuk ndodhë në Kosovë.

Bazuar në Ligjin për Festat Zyrtare në Kosovë, kjo ditë është festë me plot kuptimin fjalëve administrata shtetërore nuk punon, nuk punojnë as shkollat apo universitetet, e gjithashtu as shumë qendra mjekësore të nivelin primar.

Sa i përket festimit të kësaj dite, festë e kanë vetëm të punësuarit në vendet anëtare të BE-së që punojnë në institucionet e Bashkimit Evropian.

Nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, është vetëm Luksemburgu që 9 majin e ka shpallur ditë feste dhe atë në vitin 2019. Megjithatë, duhet rikujtuar se shumë nga institucionet e BE-së ndodhen në këtë shtet të vogël.

Sa i përket vendeve të tjera në BE dhe jashtë BE-së por që janë në kontinentin e Evropës, vetëm Kosova e ka 9 majin si ditë feste zyrtare, raporton RTKlive.

Kjo është festa e dytë në Kosovë që festohet brenda harkut kohor pre 9 ditëve, pasi me 1 maji ishte gjithashtu festë zyrtare.

Por çfarë është 9 maji, që njihet si Dita e Evropës?

Mobi Casa

Në një fjalim historik të mbajtur në Paris në vitin 1950, Robert Schuman, asokohe ministër i Jashtëm i Francës, shpalli idenë e tij për një mënyrë të re bashkëpunimi në Evropë, që do ta bënte të paimagjinueshme rikthimin e një lufte midis kombeve të kontinentit.

Schuman propozoi që anëtarët themelues të komunitetit – Franca, Gjermania, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu – do të bashkonin prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut dhe të krijonin një treg të përbashkët duke hequr taksat e importit dhe eksportit.

Ideja ishte pjesërisht me bazë ekonomike, propozimi i Schumanit vinte vetëm pesë vite pas fundit të Luftës së Dytë Botërore e cila la pas pasoja shkatërrimtare në kontinentin Evropian.

Por ishte edhe politike. Ideja që të ndërthuren interesat politike të Francës dhe Gjermanisë do të ulte rrezikun e një konflikti të mundshëm midis tyre në të ardhmen.

Marrëveshja ku u shpalosën idetë sesi do të drejtohej komuniteti u firmos në Paris më 1951 dhe hyri në fuqi një vit më pas.

Gjashtë vendet themeluese thelluan integrimin ekonomik me krijimin e Komunitetit Ekonomik Evropian dhe nënshkrimin e Traktatit të Romës në 1958.

Akti i Vetëm Evropian i 1985 vendosi objektivat për krijimin e një tregu të vetëm, ndërsa Traktati i Mastrihtit në 1992 i çeli rrugën Bashkimit Evropian, asokohe me 12 shtete anëtare.

Që atëherë, BE është zgjeruar me 28 vende në 2013 dhe u tkurr në 27 pas largimit të Britanisë.