RCCOLA

Sot 10 vjet Kosova e fitoi Pavarësinë, por një dekadë izolim

/ 2 minuta lexim

Kosova sot shënon 10 vjetorin e pavarësisë së saj. Ajo u shpall e pavarur më 17 shkurt 2008. Por që nga ajo kohë qytetarët e Kosovës vazhdojnë të mbeten pa lëvizje të lirë në zonën Shengen e BE-ja nuk duket e qartë në strategjinë për integrimin e Kosovës.

Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, projekt ky që u mbështet nga shumica e vendeve demokratike, Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete të botës.

Uji Dea

Gjatë kësaj periudhe dhjetë vjeçare, Kosova përmbylli mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, nisi dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili akoma nuk ka përfunduar, themeloi Gjykatën Speciale për Krime Lufte dhe po vazhdon përpjekjet për t’u përfshirë në strukturat evropiane, ndonëse qytetarët e saj akoma nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Kosova akoma nuk cilësohet shtet i pavarur nga Bashkimi Evropian, ndonëse 23 shtete të BE-së individualisht e njohin pavarësinë e saj. Në strategjinë e fundit të BE-së për Ballkanin, tek pjesa për Kosovën, u tha se “Kosova ka mundësi të bëjë përparim të qëndrueshëm me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe të avancojë në rrugën e saj evropiane, kur të lejojnë rrethanat objektive”./Express