Sorenseni në Berlin, diskuton me zyrtarët shtetërorë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, është takuar në Berlin me sekretarin e shtetit Geza von Geyr dhe këshilltarin për Politikë të Jashtme të kancelarit gjerman Friedrich Merz, Gunter Sautter.
“Gjithmonë mirë të jem në Berlin. Takime të para shumë të mira me sekretarin e shtetit Geza von Geyr dhe këshilltarin kryesor për Politikë të Jashtme të kancelarit Merz, Gunter Sautter. Diskutuam se si të çojmë përpara normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Mirënjohës për Gjermaninë për mbështetje ndaj përpjekjeve të BE-së”, ka shkruar Sorensen, transmeton Telegrafi.
Vizita e tij në Berlin vjen në një moment të ndjeshëm për dialogun Kosovë–Serbi, i cili ka hyrë në një fazë të zgjatur stagnimi, përkundër angazhimit të vazhdueshëm ndërkombëtar për të rifilluar negociatat dhe për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme. Gjermania, si një nga vendet kyçe brenda Bashkimit Evropian dhe me ndikim të madh në Ballkanin Perëndimor, ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për stabilitetin dhe integrimin evropian të rajonit.
Takimet e Sorensen me zyrtarët gjermanë sinjalizojnë për një rifreskim të përpjekjeve diplomatike evropiane dhe një përfshirje më të madhe të Berlinit në procesin e ndërmjetësimit. Roli i Gjermanisë shihet si vendimtar në ofrimin e një mbështetjeje më të strukturuar dhe në rritjen e presionit ndaj palëve për të respektuar obligimet e marra në kuadër të dialogut.
Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar është gjithnjë e më i shqetësuar për tensionet në rritje në veri të Kosovës dhe për mungesën e progresit konkret në terren. Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për veprime të maturuara dhe kthim në tryezën e bisedimeve, ndërsa paralajmëron se vonesat e mëtejshme mund të kenë pasoja në procesin e integrimit evropian të të dyja vendeve.
Vizita e Sorensen pritet të pasohet nga takime të tjera në vende të ndryshme të BE-së, si pjesë e një ofensivë diplomatike për të rifilluar me vrull dialogun dhe për të ndërtuar konsensus ndërkombëtar për një zgjidhje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse./Telegrafi/