Sondazhi i ‘hesht’ partitë

Sondazhi i publikuar para dy ditësh nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili tregonte rangimin e partive politike në rast se zgjedhjet do të mbaheshin tash, ka heshtur drejtuesit e subjekteve politike në vend. Disa prej tyre kontestojnë rezultatet e sondazhit, duke thënë se rezultatet në terren e thonë të kundërtën, madje edhe mohojnë ta kenë parë sondazhin e publikuar nga KDI-ja, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Vetëm drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila është radhitur si partia më e votuar në këtë sondazh, kanë konsideruar se ky sondazh është i saktë dhe i pritur.
Përfaqësuesit e këtij subjekti janë shprehur të vendosur se edhe nëse mbahen zgjedhjet LDK-ja do të dalë partia fituese. Por kështu kanë konsideruar edhe zyrtarët e PDK-së, të cilët pavarësisht se janë ranguar si partia e dytë nga sondazhi, janë shprehur të bindur se do të dalin subjekti më i votuar në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkaq edhe partitë e tjera, LVV-ja e AAK-ja, janë deklaruar të gatshme për zgjedhje, ndonëse deputetët e kësaj të fundit janë shprehur të bindur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.