Sokol Haliti uron nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor 2026/2027
Viti – Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/2027, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka përcjellë urimet e tij për nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, duke veçuar posaçërisht fëmijët që për herë të parë ulen në bankat shkollore.
Në urimin e tij, Haliti ka theksuar rëndësinë e dijes, përkushtimit dhe punës së palodhshme në rrugëtimin e brezave të rinj drejt së ardhmes.
Ai u ka dëshiruar të gjithë nxënësve shëndet, suksese dhe rezultate të mira, duke i inkurajuar që t’i ndjekin me këmbëngulje ëndrrat dhe synimet e tyre.
Një vëmendje të veçantë kryetari Haliti ua ka kushtuar fatosave të klasave të para, duke uruar që hapi i tyre i parë në botën e dijes të jetë i shoqëruar me gëzim, kureshtje dhe përvoja të bukura.
Haliti ka shprehur mirënjohje edhe për mësimdhënësit vitias, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.
Kryetari i Vitisë ka bërë të ditur se Komuna do të vazhdojë angazhimin për përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
“Ju jeni e tashmja dhe e ardhmja e vendit tonë”, është mesazhi i Halitit drejtuar nxënësve, në urimin për një vit të ri shkollor të mbushur me dije, suksese dhe arritje të reja./rajonipress/


