United Hospital

Sogojeva: Numri i turistëve në Kosovë rritet çdo vit, duhet të themelohet Agjencia Kombëtare e Turizmit

/ 6 minuta lexim
HW

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se Kosova po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të turistëve, ndërsa ka bërë thirrje për më shumë investime në promovimin e vendit dhe themelimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

Sogojeva në një intervistë për Ekonomia Online tha se, sipas statistikave, vendi po regjistron rritje vjetore të turistëve nga 19 deri në 25 për qind.

“Po, e vërteta është që ne çdo vit, edhe është një lajm kështu i mirë, që çdo vit kemi rritje të numrit të turistëve. Do të thotë, në bazë të statistikave tona, diku prej 19 deri 25% çdo vit kemi rritje. Dhe kjo është një lajm i mirë për Kosovën, përkundër këtyre kushteve edhe përkundër kësaj që kemi probleme ekonomike, sociale, veçanërisht pak edhe politike, të themi ashtu. Megjithatë, Kosova është vënë në njëfarë qendre, të themi ashtu, të vëmendjes për të mirë, si destinacion i mirë për me mundur me ardhur turistët me vizituar. Dhe kjo është ajo diku prej 19 deri 25%”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka potencial të madh për t’u shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik, por nevojitet mbështetje më e madhe institucionale dhe promovim i vlerave turistike.

“Shiko, Kosova, krejt Kosova, nëse e shikojmë, edhe ashtu jemi një vend i vogël, po në bazë të pozitës që ka dhe në bazë të kombinacionit të terrenit që ka, krejt Kosova mund të shndërrohet në një destinacion të jashtëzakonshëm turistik, mjaft të përshtatshëm. Këtu llogarit që kemi Alpet edhe Malet e Sharrit si potencial të madh për turizmin në Kosovë. Bile-bile, për këto potenciale turistike që i ka Kosova, neve na marrin zili shumë vende. Prandaj, këtë destinacion, këtë hapësirë, duhet me zhvilluar. Kush është ai që e zhvillon? Është shteti, përkatësisht qeveria. Qeveria duhet me i ndihmuar bizneset, duhet me i ndihmuar ata akterë të cilët ndikojnë direkt në zhvillimin e turizmit. Pastaj, duhet me shkuar në drejtim të promovimit. Pa promovim vlerat mbesin. Tani ne kemi vlera natyrore, kulturore, historike. Natyrore kemi pjesën tonë, do të thotë i kemi potencialet natyrore, këtu përfshirë për shembull edhe këto shpellat, Shpella e Gadimes e tjerë. Kemi kulturore siç është Ulpiana, do të thotë është e njohur në botë. Po kemi në kohën e fundit edhe këtë pjesën historike ku kompleksi “Adem Jashari” është një prej më të vizituarve, afër 1 milion turistë brenda vitit në atë qendër, në atë destinacion, më i vizituari në Ballkan për momentin. Prandaj këto duhet me i promovuar, krejt këto duhet me i promovuar. E qysh promovohet? Me themelimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Me themelimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, pa të nuk ka turizëm. Unë shpesh e kam thënë edhe e them sepse jam njohës i kësaj fushe dhe e di, edhe jam i bindur që pa të nuk ka, se të gjithë rajoni e kanë. Edhe Maqedonia, edhe Shqipëria, Mali i Zi, vetëm ne nuk e kemi. E mira është që tani e kemi Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, është hera e parë që e merr karakterin e ministrisë pjesa e turizmit. E mira e kësaj është që tash në kuadër të kësaj të themelohet edhe agjencia e promovimit të turizmit edhe kishim shkuar puna shumë më mirë”, tha Sogojeva për Ekonomia Online.

Ai shtoi se organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare ndikon drejtpërdrejt në rritjen e numrit të turistëve dhe zhvillimin ekonomik.

ARKATANA

“Këqyr, shteti duhet edhe forma të tjera të promovimit me i plasuar, gjithsesi me i ngritur. Për shembull, e kemi rastin e Sunny Hill-it, e kemi rastin e Dokufest-it, e kemi rastin tash në Kukaj. Do të thotë këto kanë filluar me vënë evente ndërkombëtare. Sa më shumë evente ndërkombëtare, turistë më shumë. Sa më shumë turistë, ata shpenzojnë më shumë. Do të thotë ndikojnë në konsumin turistik. Konsumi turistik tani ndikon direkt në çdo pore të zhvillimit ekonomik, prandaj kështu mund të rritet. Edhe ne këto ngjarjet kulturore, sportive, arti e këto çka janë me renome botërore, këto janë ambasadorë kryesorë të promovimit të turizmit”, tha ai.

Sogojeva u shpreh i shqetësuar edhe për mungesën e kapaciteteve akomoduese në Kosovë, sidomos në rastet kur organizohen ngjarje të mëdha ndërkombëtare.

“Kosova me akomodim nuk i ka punët mirë nëse e marrim kështu, sidomos kur kemi ngjarje ndërkombëtare, pavarësisht a janë ato kulturore apo sportive. Sepse në bazë të Agjencisë së Statistikave, krejt Kosova i ka diku afër 21.000 shtretër, ndërsa diku afër 10.000 dhoma. Prandaj nuk mjaftojnë. Unë po flas në bazë të Agjencisë së Statistikave. Unë e di që ka edhe Airbnb-ja e këto të tjerat të cilat ende s’janë regjistruar, po megjithatë nuk kemi kapacitete të mjaftueshme për me mundur me prit valë të mëdha të turistëve. Prandaj kjo në mënyrë urgjente do njëfarë studimi, gjithashtu duhet që ata që janë përgjegjës, për shembull ministritë, komunat, me sensibilizuar këtë çështje që me i dhënë shans që bizneset me u zhvilluar më shumë edhe me pasë më shumë ardhshmëri në dhoma e kështu me radhë”, tha ai.

Duke folur për organizimin e Lojërave Mesdhetare, ai tha se Kosova duhet të gjejë zgjidhje alternative për akomodimin e vizitorëve.

“Po ajo për neve është një ngjarje mega e madhe, jo e madhe, po mega e madhe. Prandaj kjo ngjarje, me këtë duhet ne me gjetur formën se me këtë kapacitet hotelier që e kemi të dhomave dhe të shtretërve nuk mjafton, nuk mjafton as ndoshta 20% prej atyre që pritet me ardhur me mbuluar. Prandaj duhet me gjetur forma të tjera, e forma të tjera janë: Ne kemi pasur një takim edhe me kryetarin e komunës, besoj që komuna, njëfarë sugjerimi që i kemi dhënë, do të thotë me i evidentuar këto banesa të cilat janë për momentin bosh edhe ato me i shndërruar në kapacitete, do të thotë në dhoma, për me mundur me i prit. Sepse nëse kjo, atëherë mos të harrojmë se mundemi me dështuar shumë në këtë drejtim. Edhe kur mbyllen rezervimet, mbyllet gjithçka që s’ka rezervime, ata vijnë edhe më pak. Domethënë edhe Lojërat Olimpike, Lojërat Mesdhetare nuk e kanë atë karakterin e Lojërave Mesdhetare”, tha Sogojeva.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.