S’mund të jetosh me pagën e modelimit

Kadrije Canolli është një modele e suksesshme. Deri më tani ajo ka arritur të kurorëzohet me disa çmime që për të vazhdojnë të jenë shumë të veçanta. Një sukses të madh Kadrija e ka arritur në Turqi ku përveç çmimeve që ka marrë atje, ka arritur të bëhet pjesë e disa kompanive të njohura.

Ajo pohon se modelizmin e ka vetëm hobi dhe në të ardhmen nuk mendon të vazhdojë me të për shkak të moshës që të kushtëzon vetë fusha e modelizmit. Kadrija në intervistën dhënë “Zërit” do të flasë më shumë rreth modelizmit dhe planeve të saj për të ardhmen.

– Tani e disa vite keni hyrë në botën e modelizmit, jo rastësisht e nisët këtë profesion?

– U bënë tashmë tetë vjet që kam hyrë në botën e modelizmit dhe kam pasur mjaft suksese. Uroj që gradualisht të arrij edhe më shumë në sferën e modelizmit dhe të jem një modele edhe më e suksesshme.

– Cila është sfilata juaj e parë?

– Sfilatën e parë e kam pasur pikërisht para tetë viteve në një eveniment të bukurisë të mbajtur në Prishtinë. Menjëherë pas saj kam nisur me fotoshoting dhe jam bërë imazh i disa kompanive të njohura në vend.

– Je zhgënjyer ndonjëherë nga modelimi?

– Nuk jam zhgënjyer asnjëherë, sepse çdo herë jam munduar të punoj me njerëz profesionistë të cilët e kanë vlerësuar punën time.

– Cili është suksesi më i madh që e keni arritur deri më tani?

– Viti 2010 mendoj se ishte vit i suksesit tim, ku për herë të parë përfaqësova Kosovën në një kompeticion jashtë vendit që u mbajt në Turqi. Në këtë garë hyra në top-pesëshe dhe mora çmimin kryesor të vendit, “Çmimin e Publikut”. Po ashtu në këtë vit isha finaliste në “Miss Shqipëria” dhe në Kosovë mora çmimin “Miss Top Model 2010”.

– Dihet se me modelim nuk fitohet shumë këtu në Kosovë, keni menduar që këtë profesion ta ushtroni diku jashtë vendit në mënyrë që të fitoni më shumë?

– Në vitin 2007 isha në Turqi me një agjenci të modës, ku kam bërë disa fotografi, mandej në atë kohë fotot e mia janë përzgjedhur nga disa firma të njohura në Turqi. Në realitet aty edhe kam fituar bukur shumë, mirëpo arsyeja që nuk kam vazhduar atje ka qenë arsyeja që isha shumë e re dhe nuk dëshiroja të jem larg familjes. Andaj them se jashtë vendit nëse merresh me modelizëm është fakt se fiton shumë, ndërkaq këtu tek ne nuk mund të jetosh me një pagë që të sjellë modelimi. Jemi një vend i varfër për nga fusha e modelizmit sa i përket anës materiale.

– Me çka merret Kadrija jashtë modelimit?

– Jashtë modelizmit merrem me studime, gjegjësisht jam studente e vitit të dytë në drejtimin gazetari. Ndërkaq tani e një vit jam e angazhuar edhe në fushën e aktrimit. Në realitet së fundi jam pjesëmarrëse në projektin filmik “Tigrat” me disa aktorë të njohur.

– Mendoni se keni talent në aktrim?

– Sa i përket aktrimit kam talent, ky profesion më ka pëlqyer edhe më parë dhe ja tani po e gjej momentin e duhur për t’u marrë me këtë fushë.

– Cila është jeta private e Kadrijes?

– Sa i përket jetës private nuk ka diçka konkrete që vlen të ceket, shpeshherë bëhem pjesë e spekulimeve për jetën time private, por kjo tashmë nuk më bën përshtypje.

– Cila është thashethemja e fundit që ke dëgjuar për veten tënde?

– Thashethemja e fundit që kam dëgjuar për veten time ka qenë “buzët botox”. Por duke u nisur prej asaj që te ne thashethemet janë bërë përditshmëri, nuk më bëjnë aspak përshtypje.

– Deri kur ke vendosur të merresh me modelizëm?

– Duke u nisur prej asaj që puna e modelizmit e ka një periudhë të caktuar dhe për mua është vetëm hobi nuk pretendoj që edhe në të ardhmen të merrem me të. Pra, natyrisht se edhe modelizmi e ka një moshë të caktuar dhe kështu që kur të arrij në atë moshë do të shkëputem nga kjo fushë.(zeri)

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS