Mobi Casa

SMS-të e Shefit!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Adrian Çollaku – Ditën kur “Zëri” publikoi se si aktakuza ndaj ish- ministrit të Transportit dhe Postë- Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ishte ngritur mbi bazën e disa mesazheve telefonike të falsifikuara, një mik imi që punon në sektorin e drejtësisë, me thirri me mëngjes për kafe. Pa një pa dy, po i thashë dhe lamë takimin. Qartazi, ishte trishtuar me të parë atë lajm në gazetë.

A është e mundur të ndodhë një gjë e tillë ashtu siç ka raportuar gazeta juaj, më thotë miku. Madje, ai nuk mund të besonte se një gjë e tillë mund t’i ndodhte edhe kujtdo qoftë, e sidomos dikujt që në atë kohë ishte ministër dhe hiç më pak se nënkryetar i parë i PDK-së , madje edhe ndër njerëzit më të votuar në Kosovë. Megjithatë, ishte diçka tjetër që m’u ngulit në kokë e që nuk po më hiqet nga mendja. Ajo pyetja interesante që e shtroi miku im.

A thua çka mund t’i ndodhë ndonjë zyrtari atje poshtë, ndonjërit nga idealistët që megjithatë ende kanë mbetur në këtë vend, ndonjërit nga ata idealistët që punon sipas parimeve ligjore që nuk është nga ata të fuqishmit dhe nuk ka askënd që i qëndron prapa?!

Me të drejtë, jo vetëm ky miku im, por edhe shumë zyrtarë e qytetarë të Kosovës mund të jenë shokuar kur kanë dëgjuar një lajm të tillë. Imagjinojeni nëse një falsifikim i tillë i SMS-ve i bëhet një nënkryetari të partisë dhe atë e çon në pranga, çka mund të na ndodhë mua edhe juve apo ndonjë zyrtari të thjeshtë, nëse nuk e ul shpinën dhe nuk u përshtatet shefave dhe politikave të “mëdha”? Pra, kushdo që nuk u përshtatet vijave politike, e ka rrezikun e madh që të digjet njëherë e mirë.

Pa dashur që të paragjykoj për rastin e MTPT-së, si ka ndodhur apo çka do të ndodhë në fund të epilogut, sepse këtë në fund do ta thotë drejtësia, të cilës çfarëdo qoftë, duhet t’i besojmë, e cila po deshi e po pati koqe, i ka të gjitha mundësitë t’i vërtetojë faktet, po shihet se prokuroria si vendore edhe ajo e EULEX-it, jo një herë i janë nënshtruar politikës.

Hidromorava

E lëmë anash rastin e MTPT-së, pasi është në vijim.

Një shembull tjetër, i cili e ka vërtetuar se Prokuroria me vetëdije apo pa të ka rënë pre e politikës, është rasti i ish- guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepit. Besoj shumëkujt i kujtohen ato pamjet e arrestimit teatral e spektakular të guvernatorit, njeriut të cilit i besohet thesari i shtetit. Dhe atë, domosdo para kamerave që ta marrë mirë vesh mileti, si të ishte kryekapoja i mafisë së Ballkanit. Dhe çka doli nga i tërë ky proces? Asgjë. Ajo që ishte synuar, u arrit. U diskreditua personaliteti i guvernatorit, iu shkatërrua jeta e karriera dhe, asgjë askujt. Dhe pse? Sepse nuk pranoi që t’iu nënshtrohet tekave të “Shefit të madh”, që për interesa të shkelë ligjin e maliqin.

Vetëm një krahasim i përciptë i këtyre rasteve me akuza të instrumentalizuara, si kamxhik për ndëshkimin e atyre që marrin guximin t’ia zënë udhën “Shefit” e harambashëve të tij dhe aferat milionëshe, kjo e fundit e Ministrisë së Punëve të Brendshme që e drejton Bajram Rexhepi dhe “avullimin” e 1.4 milionë eurove, tregojnë se këtu jo diçka, por shumëçka nuk po shkon. Andej ngrihen aktakuza dhe ish- guvernatori satanizohet e mbahet me muaj në paraburgim, për të konstatuar në fund atë që dihej, se është i pafajshëm, e këndej në MPB kur faktet janë evidente për hajni klasike, askush s’ luan vendit. Aq më keq, prokuroria s’ka shprehur as gatishmëri ta dëgjojë Natali Velijajn, e cila ishte udhëheqëse e firmës nënkontraktuese të kompanisë austriake OESD për prodhimin e pasaportave biometrike se ku kanë shkuar këto 1.4 milionë euro. Kur jemi të MPB-ja, kemi edhe shembullin tjetër ilustrativ. Ish- kompania e kontraktuar nga MPB-ja për akomodimin e të riatdhesuarve “Iliricum A”, ia ka dorëzuar prokurorisë incizimet që faktonin se i është kërkuar “haraç”, Drita Hajdari që kishte në dorë rastin, jo që nuk merret me të, por, merreni me mend, i zhduk faktet, përkatësisht i “humbin” incizimet.

Këto e raste të tjera, që ky shkrim nuk do t’i zinte, bëjnë të qartë se drejtësia dhe policia, për fatin e keq tonin, janë bërë vegël e politikës. S’ka as më të voglin dyshim se do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Neve, qytetarëve, Kosovës e së ardhmes së saj, se ata janë siguruar me pasuri milionëshe. Pa drejtësi të pavarur dhe jashtë ndikimit të politikës, shteti i Kosovës perspektivën e ka të zhytet në mesin e shteteve të udhëhequra nga krimi i organizuar dhe nga individë apo grupe mafioze.

Si ky tipi që falsifikon SMS -et dhe Shefi që “nuk di nga i kanë ardhur”. Por, që i mjaftojnë për ta hequr qafe, qoftë edhe përkohësisht.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.