Fundamenti

Smith: Limaj po sulmohet nga procesi i sistemit të drejtësisë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Avokati Gregory Smith është shumë i shqetësuar lidhur me procesin e gjykimit të deputetit Fatmir Limaj në rastin “Kleçka”.

“Është shumë problematik vendimi që zotëri Limaj të shpallet fajtor, marrë parasysh faktin se ai është gjetur i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte nga Haga. Duhet të vijë një moment, një kohë kur ndjekja ndaj individit duhet të përfundojë. Nuk mundet që ai të kalojë nëpër këtë pafundësisht, për çfarëdo akuzash që dikush i ka paraqitur ndaj tij”, ka thënë Smith për RTK.

Gjykata e Shkallës së Parë, duke i shpallur plotësisht të pavlefshme dëshmitë e Agim Zogajt, të njohur si dëshmitari X, e liroi deputetin Limaj nga të gjitha pikat e aktakuzës. Vetëm pak muaj më vonë, në bazë të ankesës së prokurorisë, Gjykata Supreme mori për bazë të gjitha dëshmitë e Zogajt, për ta rikthyer këtë çështje nga e para. E tërë kjo situatë, për avokatin Smith, është plotësisht e pakuptimtë.

RCCOLA

“Zotëri Limaj duket së është duke kaluar nëpër një barrierë apo një rrugëtim, njëri pas tjetrit, nëpër gjykata. Dhe, unë nuk e kam të qartë se çfarë është duke ndodhur me jetën e tij. Pa dashur ta ofendoj askënd, këtë situatë e shoh si tepër shqetësuese. Këtë e them ngase kam pasur rastin që zotëri Limajn ta takoj në Hagë, ta njoh atë dhe ta gjejë të jetë një individ me integritet të lartë dhe shpirtmirë – një qenie e ndershme njerëzore. Edhe të tjerët e kanë thënë të njëjtën gjë për të. Kështu që, të kalojë nëpër rrugëtime, kur në mënyrë konstante është i sulmuar – dhe nuk e shfrytëzoj këtë fjalë kot – nga procesi i sistemit të drejtësisë, kjo është diçka shqetësuese”, ka thënë ai.

Deputeti Limaj që nga nëntori i vitit të kaluar ishte në paraburgim, ndërsa kjo masë iu ndryshua më 8 mars. Ai ndodhet në arrest shtëpiak, ndërsa procesi gjyqësor në rastin “Kleçka” pritet të vazhdojë më 26 prill

“Edhe një herë po e them: unë nuk i kam të njohura të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, mirëpo bazuar në atë që di dhe që kam lexuar – posaçërisht kur flasim lidhur me dëshminë e dëshmitarit X – kam shqetësimet e mija në mënyrën e procedimit të rastit”, ka thënë Smith, i cili pret që të vërtetohet vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë. /Telegrafi/