Fundamenti

“Smirasit”, komuniteti mbështetës i fshatit të origjinës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Diaspora e gjithë Evropës nga fshati Smirë e Kosovës u mblodh në Onex (GE) gjatë fundjavës së kaluar. Një komunitet me prejardhje nga i njëjti fshat dhe i cili përtej festës së organizuar na frymëzon me sistemin e tij të qëndrueshëm, duke vënë në pah kontributin e një diaspore në zhvillimin e vendit të saj të origjinës.

Tradita e një feste vjetore të “smirasve” të diasporës filloi para pesë vjetësh në mënyrë jozyrtare. Kryetari i shoqatës “Smira”, Ilir Zuka, na tregon se fillimisht kishte për qëllim “të bëjë diçka për të mbledhur fëmijët e fshatit, në mënyrë që të njohin njëri-tjetrin më mirë”. Herën e parë secili rrinte në qoshe të tij, ndërsa sot të gjithë e njohin njëri-tjetrin. “Blerta, e cila është e pranishme çdo vit, shpjegon se në takimet fillestare nuk kishte shumë të rinj, por me kalimin e kohës numri i tyre është rritur shumë”. Ne këtu ndjehemi si në gjirin e familjes dhe nuk ndiejmë nevojën të kujdesemi për sjelljet apo fjalët tona. Jemi si në shtëpi”.

Shihet dukshëm se festa vjetore e “smirasve” njeh një sukses të madh brenda komunitetit të saj. Në mesin e tyre mund të takojmë natyrisht ata që jetojnë në rrethinën e Gjenevës, por gjithashtu njerëz që kanë ardhur enkas për këtë festë nga Gjermania, Franca dhe madje edhe nga Anglia. Të pranishëm ishin rreth 350 të ftuar, për të cilët kjo festë tani është bërë një traditë e rrënjosur në zakonet e tyre.

Por organizatorët e ngjarjes nuk duan të mbesin me kaq. Smira është një fshat që gjendet në qytetin jugor të Kosovës, në komunën e Vitisë, ndërmjet Ferizajt dhe Kaçanikut, me një popullsi prej rreth 4000 banorësh dhe ai mund të llogarisë në mbështetjen e anëtarëve të saj të diasporës, e cila përbëhet nga rreth një e katërta e popullsisë, për zhvillimin e saj.

Në fakt, këtë vit, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet, organizatorët e ngjarjes kanë themeluar shoqatën “Smira”. Kjo shoqatë ka për qëllim të sjellë ndihmën e saj në përmirësimin e jetës së fshatit të tyre të origjinës. Kohezioni social i fshatit, i cili është i mbajtur kryesisht përmes faqes së dedikuar për Smirën (www.fshatismire.com) është shumë i rëndësishëm për autoritetet lokale. Në vitin 2013 smirasit kanë fituar fondin e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), me të cilën ata kanë ndërtuar tri ministacione të autobusëve, një rrugicë në oborrin e shkollës, si dhe kanë arritur gjithashtu t’i vendosin perdet në shkollën e fshatit.

Eco Higjiena

Nënkryetari i shoqatës, Ramadan Rrahmani, shpjegon se këta shembuj duhet të inkurajojnë njerëzit për të propozuar iniciativa të reja dhe për të marrë pjesë në projekte. “Njerëzit janë të gatshëm për të marrë pjesë financiarisht, por shumë pak duan të angazhohen në mënyrë aktiv”. Prandaj, ne do t’u ofrojmë smirasve që të kontribuojnë duke i falur një ditë pune në vit fshatit të tyre.

Planet e ardhshme përfshijnë krijimin e një baze të dhënash me të gjithë banorët e Smirës, për të përcaktuar se kush ka nevojë për ndihma dhe kush mund të japë kontributin e tij dhe në cilën fushë. Anëtarët e shoqatës do të donin gjithashtu të përkujdesen për ndriçimin dhe mirëmbajtjen e varrezave. R. Rrahmani, i cili është gjithashtu një sipërmarrës, duke kryesuar një ndërmarrje për përpunim të mishit “Eko PRODUKT” në Gjilan, dëshiron që të rinjtë të angazhohen në shoqatë për të mbështetur punën e tyre.

Në të vërtetë, shqetësimi në lidhje me angazhimin e brezit të dytë me prejardhje nga fshati Smirë është një shqetësim që prek gjithashtu gjithë diasporën shqiptare. Ndërsa vendi mbetet i varur nga dërgesat e të hollave nga diaspora e saj, shuma e dërgesave do të bie në mënyrë të pashmangshme me rënien e lidhjes sociale në mes të ashtuquajturve “secondos” (brezi i dytë) dhe familjeve të tyre, nëse asgjë nuk ndërmerret për të ruajtur këtë lidhje. Modeli i babait, i cili ishte në mërgim për të mirëmbajtur familjen e gjerë në vendlindje nuk qëndron më. Tani të rinjtë, në mënyrë graduale, kthehen më rrallë në vendin e origjinës për pushime, duke preferuar destinacione të tjera me plazhe.

Shembulli i shoqatës “Smira” na ofron një ide interesante që vlen të mendohet, për shkak se lidhjet familjare zbehen në çdo brez. Lidhje të tilla gjeografike janë më të qëndrueshme. Pjesëmarrja në zhvillimin e vendit të origjinës përmes projekteve mundëson pamjet e rezultateve konkrete. Kjo formë e lidhjes është më motivuese sesa dërgesat automatike e të hollave, të holla që lënë familjet të ngecin në një rehati të rrënuar./albinfo/