Fundamenti

S`merren vesh

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Dega e PDK’së në Viti nuk e ka respektuar afatin pesëditor të Kryesisë qendrore për t’i zgjidhur problemet. Nexhmedin Arifi thotë se qendra, përveç ultimatumit ka dhënë edhe një propozim marrëveshje për të dhe rivalin e tij, Daut Xhemajlin, por ky i fundit e ka refuzuar atë.

Anëtarët e Degës së Partisë Demokratike në Viti nuk po mund të merren vesh assesi.

Kryetari aktual i kësaj dege, Daut Xhemajli dhe Nexhmedin Arifi as të hënën nuk arritën t’i zgjidhin problemet mes tyre.

Kjo pavarësisht se afati pesëditor që ua kishte caktuar Kryesia qendrore ka kaluar dje.

Nexhmedin Arifi, i cili është edhe Kryetar komune në Viti, e fajëson Xhemajlin për mosbashkëpunim në këtë drejtim.

Arifi bëri të ditur për Express se Kryesia qendrore javën e kaluar kishte bërë edhe një propozim marrëveshje për t’i zgjidhur problemet.

Por, sipas tij, është refuzuar nga Daut Xhemajli dhe përkrahësi i tij Xhevat Bislimi.

“Problemet nuk janë tejkaluar sepse ata nuk kanë pranuar marrëveshjen e ofruar”, tha Arifi për Express.

Ndërsa ka refuzuar të tregojë për çfarë oferte të Kryesisë qendrore të PDK’së bëhet fjalë.

“Nuk dua të flas unë për propozimin le t’i mbetet kjo Kryesisë qendrore me fol, se edhe ashtu boll jam marr me këto sene. Por ta dini problem i vetëm i Vitisë është Daut Xhemajli dhe Xhevat Bislimi”, tha ai.

UBT

Express ka tentuar të kontaktojë edhe me Daut Xhemajlin si dhe koordinatorin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Basri Musmurati, mirëpo këta nuk u janë përgjigjur thirrjeve.

Ndërkohë, dega e Vitisë mbetet ndër më problematiket ë PDK’së. Atje ka pasur përplasje të mëdha mes dy grupeve –atij të Daut Xhemajlit dhe grupit të Nexhmedin Arifit. Në këtë komunë, zyrtarët e PDK’së kanë mbajtur kuvende paralele, duke synuar që secili grup ta prezantojë veten si legjitim.

Përveç Vitisë, PDK ka pasur probleme edhe në degën e Prishtinës, Prizrenit dhe Gjilanit, ku ka pasur më shumë se një kandidat për kryetar.

Ndërkohë, javën e kaluar, kandidati i deritashëm për Kryetar të Degës së PDK’së në

kryeqytet, Shemsi Veseli, është tërhequr nga gara, duke akuzuar se pretendentët e tjerë

për kryetar dege kanë bërë fushatë dhe lobime jodemokratike.

Akuza ndërkaq pati edhe Xhevat Bislimi.

Ky tha se Kryesia qendrore dhe zyrtarët e saj po manipulojnë opinionin me informata të rrejshme rreth zgjedhjeve brendapartiake.

Krejt këto probleme ndërkaq PDK po tenton t’i tejkalojë deri më 26 janar kur pritet të mbahet Kongresi Zgjedhor. Aktualisht kandidat i vetëm për kryetar i kësaj partie është Hashim Thaçi.(express)