Smakaj, fitues mes skandalesh në AKI

Bashkim Smakaj, para pak ditësh ka fituar edhe një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë. Por, për këtë pozitë nuk ka qenë i vetëm në garë. Burime të gazetës Tribuna kanë bërë të ditur se në shqyrtim për këtë pozitë kanë qenë edhe pesë emra zyrtarësh të lartë, që aktualisht punojnë në institucionet e sigurisë. Në mesin e tyre ka pasur edhe punonjës që janë në AKI. Mirëpo, Smakaj ka qenë sërish i preferuari i presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi.
Pas disa takimeve dhe diskutimeve që kanë pasur mes vete, ata kanë vendosur që të njëjtit t’ia japin besimin që edhe për pesë vjetët e ardhshme ta udhëheqë inteligjencën kosovare. Të njëjtat burime kanë treguar edhe arsyen pse dy zyrtarët më të lartë të shtetit kanë vendosur që këtë institucion t’ia besojnë sërish Smakajt, edhe pse kanë qenë të vetëdijshëm se AKI ka pasur vështirësi në funksionim, sidomos me ankesat e stafit, disa prej të cilëve edhe kishin dhënë dorëheqje.
“Presidentja e kryeministri kanë vlerësuar se është më i rëndësishëm funksionimi institucionit të inteligjencës sesa individët. Në këtë fazë është vlerësuar se nuk është momenti i duhur për zëvendësim të shefit, pasi i njëjti tashmë është përshtatur me punën e tij. Njëherësh është marrë parasysh që pesë vitet e para kanë qenë të themelimit të këtij institucioni. Smakajn tash e presin sfida siç është Siria dhe shkuarja e kosovarëve atje, por edhe veriu i vendit”, ka thënë burimi i afërt me procesin…(Tribuna).