GRANDEMALL

Skender Selimi: Zoti dashti e shpëtova gjallë…

/ 12 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Lufta nuk harrohet lehtë. Ajo ka lënë njerëz me dhembje. Me dhembje është edhe Skender Selim nga Zhegra, por i lindur në fshatin Nasalë. Ai ka shpëtuar nga më e keqja, por akoma ka dhimbë trupi. Ai sot flet s’ndalet. Kjo është ajo “dhimbja” e tij e brendshme, e cila, sa herë flet për luftën, ai rrëfen, e sytë i mbushen me lotë.

Këta janë lotët e dhimbjes dhe të tmerrit të kohës së rëndë që ka përjetuar më 29 mars të vitit 1999. Me fjalë të tjera, ai e ka parë vdekjen me sy. Si sot i kujtohen ato fytyra të maskuara të paramilitarëve serbë. Vetëm se ishte shqiptar, Skender Selimi e pësoi keq e rëndë në shtëpinë e tij në Zhegër. Pësoi keq, për faktin se nuk deshi ta lëshojë shtëpinë se i dhimbsej. Ai gjer në momentin e fundit qëndroi me nënën Hasibe në shtëpi. Por, kur erdhi 29 marsi (1999), gjendja e tij ndryshoi krejtësisht. Erdhën në Zhegër afro dhjetë autobusë me paramilitarë serbë. Ishin zbarkuar te Kooperativa Bujqësore, e cila gjendet në hyrje të fshatit Zhegër. Ishin ardhur “mysafirë të paftuar” me mjekra të mëdha, njerëz me fytyra të egra, të cilët mezi pritnin hakmarrjen ndaj popullatës së pafajshme shqiptare të këtij lokaliteti të Malësisë së Karadakut.

Skenderi, rrëfen: “O, kur po e rrëfej këtë ditë, ditën e 29 marsit 1999, po më rrënqethet trupi. Po më mirren mendtë. Po e ndjej në vetën një dhimbje e një ngarkesë të rëndë të kësaj gjendjeje. Isha vetëm me nënën Hasibe në shtëpi. E vendosa të rrij. Mendova se kjo “gjendje” e rëndë do të kalojë. U ngujova brenda në shtëpi. Fillova të përgjoj nga dritarja gjendjen jashtë. Nga dritaret shoh e dëgjoj zhurmë tek kooperativa e fshatit. Paramilitarët e egërsuar e të armatosur gjer në dhëmb, vijnë duke bërtitur: “Do ta shihni sonte se çka do t’ju bëjmë!” Vinin në grupe kah shtëpitë tona. Unë fillova të dridhem. Ata ishin mbi 300 vetë. Kaluan afër derës sime, si të egër. Unë dridhesha nga frika. Shkuan te Shkolla fillore, tash “Agim Ramadani”. E thyen derën e shkollës. U futën brenda.

Disa paramilitarë rrinin përjashta. Ishte koha e mesit të ditës. Shpejt u bë natë. Ne nuk e dinim se çka do të bëhet më vonë. Nënës sime, Hasibes, iu drejtova: “Sonte do t’na haj dreqi!” Ku të shtojmë, ma priti. Njëherë do të shkojmë te Behxheti, aty afër. Shkuam. Ishte natë. Natë e errët, por me drojë e me ethe jete… Natën filluan krismat nga katër anët e fshatit. Ishte ora 19-të. E mbyllëm derën e shtëpisë. Filloi dhuna në njerëz të pafajshëm. E lëshova qenin nëpër tel. Edhe nga këtu përgjonim gjendjen. Tre ushtarë serbë (paramilitarë) e kishin marrë Milazim Idrizin me dy gra e një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar. I çonin me dhunë te shkolla. Kur i kanë quar te shkolla, ata i kanë fyer e maltretuar rëndë. Milazimit i kishin thënë: “Ku e ke Rugovën he… Shkoni në Shqipëri, atje është vendi juaj”.

Kur i dëgjuam këto fjalë, neve na hyri frika gjer në asht. Vinin lajme se, pak kush mbeti në fshat. I madh e i vogël janë larguar me kohë. Zhegrasit kanë ikur Grykës së Karadakut e nëpër fshatrat tjera, si në: Remnik, Gjylekreshtë, Goden, Preshevë etj. Edhe unë desha të largohem dhe të shkoj në fshatin e lindjes, Nasalë. Por…
Fëmijët e kushëririt tim, Naseri e Selveri ndjenin frikë.

Ata, si një, na lusnin t’mos largohemi prej tyre. Filluan të qajnë para nesh. Iu drejtova: “Jo, nuk do t’ju lë vetëm. Do të jem me ju gjer në fund”! E vendosëm me nënën të qëndrojmë një natë në shtëpinë e Behxhetit. Nuk kaloi shumë kohë, filloi krisma e automatikëve. Këtë e bënin ta frikësojnë popullatën e këtushme që të largohet sa më parë nga vatrat e tyre. Ishte ora 20 e mbrëmjes. Krismat nuk ndaleshin dot. Mbyllëm derën. Mbyllëm mirë edhe dritaret me çebe. Nuk na zënte gjumi. Të gjithë rrinim si të “vdekur”.

Nuk guxonim t’i heqnim as rrobat e trupit. Fëmijët e Selverit, nga frika, vinin e më përqafonin, herë njëri, e herë tjetri. Kur u bë ora nëntë, iu drejtova burri të tezës, Behxhetit: “Sonte s’di qysh do ta kalojmë, por nesër nuk guxojmë të jemi këtu. E kanë vendosur të na vrasin të gjithëve… Ora e keqe po na pret. Si u zgjova, vendosa të shkoj në Gjilan. Atje e kisha banesën. Edhe Selverit, djalit të tezës, i thash të vijë me ne. Kalo një natë pa gjumë. U bë ora shtatë e mëngjesit. Nëna Hasibe dridhej nga frika. I kishte hyrë frika gjer në palcë. Gjer sa isha duke përcjellur gjendjen, Selveri na ftoi të shihnim një paramilitar serb me automatik në dorë në oborrin e T. Mihajlloviqit. Por, nga ne shihej edhe dhëndërri i tij, Vinca, djalë i Zhivk Ruzhanit nga Zhegra. Djali i T. Mihajlloviqit, na përcillte lëvizjet tona. Paramilitari lëvizte në oborrin e Tomës. Ky paramilitar ishte trup shkurtër e i zi. Kur zbriti nëna Hasibe poshtë, më tha: “Skender, bir, mos dil përjashta oborrit!” Ushtari ishte i armatosur. Herë-herë kthehej nga shtëpia jonë. Unë e nëna u bëmë sy katër duke përcjellë situatën. Në atë moment erdhi në oborr T. Mihajlloviqit, vozitësi, Stojan Çuçki.

Ai bisedoi me djalin e Tomës, Rankin. Kur ata deshën të udhëtojnë për Gjilan, nëna e çeli derën e oborrit për të parë gjendjen. Në atë moment, paramilitari gjuan kah dera ku gjendej nëna. Nëna shpëtoi, por unë nuk u durova pa e hapr derën. Rafalet nuk u ndalën kah unë. Plumbat vinin për afër këmbëve, por asnjë nuk më rrokte. Përnjëherë ushtari i zi, rom, vrapoi kah unë. Dera ishte e hapur. Hyri dhe mu drejtua mu: “Ku shkon, ku shkon…? Ku e keni familjen?” Unë ia përgjigja se familjen e kam në Gjilan. Por, familjen e kisha të larguar në Tetovë, te motra, Mirija. Ai përsëri më provokoi me fjalët: “Këtu është UÇK-ja?” Iu përgjigja: “Këtu s’ka UÇK”. Iu drejtova: “Çka po kërkoni? Unë jam në shtëpinë time. S’po dua të largohem nga këtu…” Ai, pa një pa dy, më mbështeti për muri. Disa herë më tha: “Ktheu mbrapa!” Unë nuk e bëra këtë. Më tha: “Do të vras…!” Në atë moment erdhën tre ushtarë serbë. Nëna bërtiti: “Mos djalin, se ai nuk ka faj…!” Sa u afrua qeni, atë e vranë. Mua më kapën për qafe e më futën me forcë në kuzhinë. Njëri më kërcnoi me fjalë: “Ku i ke paratë, arin, devizat?” U thashë. “Nuk kam. Mi ka marrë gruaja me vete. Njëri më grushtoi.

Të tjerët filluan t`i kontrollojnë dhomat. Më kërkonin gjëra me vlerë. Me gjysmë zëri e dëgjova kur njëri i tha, mos e vritni. Më tërhoqën gjer te dera. Më pyetnin se ku i kisha fshehur armët. Po, u thash, armët i kam me leje. Ja lejen. Ajo është në kuti të vitrinës. Më thanë: merre ti me dorë. Kur unë tentova ta kapi revolën, ushtari i zi ma mëshoi me automatik në dorë. I tregova se armët janë në katin tjetër të shtëpisë. Më quan në katin ku gjendeshin armët. U thashë se armët i kam fshehur prej fëmijëve. Ja këtu janë armët, revolja, pushka e gjuetisë dhe pushka karabini.

Revolën e morën dhe e vunë në brez. Isha tepër i lodhur. Në atë moment, paramilitari ma drejtoi automatikun drejtë në këmbën time. E lëshoi rafalin me plumba. Ma këputi këmbën. Rashë për tokë. Gjaku vlonte pa ndërprerë. Nuk dija. Isha në agoni. E mbaja këmbën varur. Nëna ishte zënë peng. Atë a marrin me dhunë ta kontrollojnë shtëpinë e vjetër. E kontrolluan edhe plevicën. Kur nuk gjetën tjetër, filluan të më fyejnë: “Kush është fajtor, ju apo ne?” Nëna nga frika iu përgjigjet: “Ne s’po bëjmë asgjë. Ju po na vritni…”

Uji Dea

Kur e lirojnë nënën, ajo vjen tek unë e trishtuar. I ra të fiktë. Pas pak kohe, u zgjua. Mori një shishe ujë e ma afroi mua. Në atë moment erdhën tre eprorë serbë. Ata, për t’i humbur gjurmët e krimit, para nesh filluan t’i fyejnë “shokët” e tyre: “Çka keni bërë, o budallenj?” Më thanë se ata kanë qenë pijanecë. Isha i ligështuar. Nuk kisha fuqi të flisja asnjë fjalë. Më thanë: “Mos e dëno vetën dhe merre një çarapë të ngushtë e fute mishin e këmbës brenda”. Nuk kisha forcë të flisja. Nëna ma dha pak ujë. E fërkova qafën. Gjuha më ishte dalë jashtë. Pushova pak. Më erdhi vetëdija. Nënës Hasibe i thashë ta heqin shaminë për t’ma lidhur këmbën. Ajo ma lidhi, por gjaku nuk ndalej…Nëna kishte frikë se mos po vdes. Zbrita poshtë. Më erdhi një forcë. Eca ngadalë due u mbajtur për krahë të nënës Hasibe.

Nëna ma solli legenin. Këmba më rridhte gjak. Ajo qante e nuk dinte ç’ka të bëjë. S’di si kam ardhur në spital, në Gjilan. Më kanë lënë në korridor të spitalit. Këtu kam luftuar me vdekjen. Sa kishte filluar lufta. Në spital dëgjoj britma të njerëzve. Dëgjoj kah vijnë njerëz të plagosur e të vrarë. Një polic e pyeti motrën: “Çka është kjo “zhurmë”? Po iu përgjigj ai. Ushtarët janë vrarë në mes veti. Janë të Mogillës së Vitisë. Janë vrarë për mallin e plaçkitur të shqiptarëve. Ata janë rrahur në mes vete. E dëgjoj një motër tjetër: vdiqën katër, gjashtë, shtatë… Mjekët vraponin nëpër korridore.

Sa isha në spital, mua më doli në ndihmë Ajet Ajeti, mjek. Më ndihmoi edhe motra Bahrije Kastrati. Pa më vonë më ndihmoi motra Mirsije Ajeti. Ajo shumë më ka ndihmuar. Edhe motra Ajete më ka ndihmuar. Por, më ka ndihmuar edhe doktori Rrahman Hajdari. Ishte kohë e vështirë. Dëgjoj se në spitalin e Gjilanit ishin shumica e mjekëve nga Leskoci e Vraja.

Kur bombardonte NATO-ja, mjekët serbë futeshin si në birë të minit. Edhe motra dridheshin. Në spital kam parë njerëz që vinin pa këmbë, pa duar, por edhe të vdekur… Vinin fëmijë, gra, burra e të tjerë. Si sot më kujtohet, thotë Skender Selimi, kur në sallë sollën disa fëmijë. Ata bërtitnin nga dhembjet e tyre. Shtuan se janë nga Ramnishta e nga Zllatari, komuna e Ferizajit. I kam parë ata pa këmbë, pa duar… Serbët shtonin se NATO-ja ka gjuajtur. Por, jo! Këtë tragjedi e kishin bërë forcat ushtarake serbe. Me 13 prill (1999), ora 15 e 15 minuta më doli gjumi. Vërej një ushtar në dhomë.

Ai vazhdimisht i kontrollonte sirtarët e të sëmurëve. Në dorë mbante një thikë. Pata frigë shumë. Më shkonte mendja se ai do t’na prejë të gjithëve. Unë e mbulova kokën. Vërejsha vetëm me një sy. U dëgjua një krismë e madhe e NATO-s.

Ai doli nga dhoma. Vërej një qytetar nga Lladova. Ai është i shtrirë në kanape. Edhe ai ishte i plagosur, më 2 prill (1999) në Lladovë nga dora e paramilitarëve serbë. Ky ishte Mefail Ajeti. Unë kërkova nga mjektë të dali nga spitali. E kisha banesën afër. Mjeku Sharac nuk ma dha lejen. Dola pa e pyetur askënd.

Kërceja me një këmbë rrugës gjer te banesa. Kur arrita te shkallët, mbeta në mes rrugës: as në spital e as në banesë. E morra pallton dhe e gjuaj tri shkallë më lartë. Ngjitem me trup prapa. Gjer në dhomë i bëra dy orë. Këtu, në banesë qëndrova dymbëdhjetë ditë. Pas pak kohe, me nipin tim, Musa Hoxha, nga Cërnica, u larguam nga Kosova. U gjenda në Bllacë.

Në Stankovec më morën mjektë francezë. Më shtrinë në spital. Këtu qëndrova tetë ditë. Mandej u gjenda te motra ime, Mirija anë Tetovë. Këtu qëndrova tetë muaj. Pas kësaj kohe, u ktheva në Gjilan. Kur shkova në Zhegër, shtëpinë ma kishin djegur me themel. Por, i gëzohesha që shpëtova gjallë dhe ardhjes së lirisë së pritur me shekuj. E shpëtova edhe familjen. Por, ja në Zhegër ishte bërë një plojë e madhe në njerëz. Ishin vrarë shumë njerëz të pafajshëm.

Ishte vrarë edhe i madhi Agim Ramadani, një vendas yni i shkolluar. Ai ishte vrarë në Koshare më 11 prill të vitit 1999. Falë gjakut të dëshmorëve, Kosova fitoi lirinë, rrëfeu Skender Selimi, i cili sot jeton në Gjilan, ku e gëzon jetën me familjen e tij të gjerë, por akoma ka dhembje të këmbës… (një rrëfim nga libri “Pragjet e përgjakura” që së shpejti do të dali nga botimi). /Tefik Selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.