Skenarët politikë, shkallët e ngritjes dhe rënies së Hashim Thaçit

Nga Sadri Ramabaja – Prishja e skenarëve që projektojnë mbajtjen më tutje të Republikës si peng, është në dorën e popullit. Ky ndryshim në dobi të çlirimit të Republikës mund të fillojë pikërisht më 17 shkurt.
Koalicioni PDLK, bazuar në fuqinë e numrave të marionetave që ka në parlament, e që paturpësisht njihen si deputetë të popullit, ka mundësi reale ta vazhdojë aventurën e zgjedhjes së kryetarit të Republikës, por edhe retushimin e qeverisë. Krahas kësaj, segmente të kësaj qeverie, marionetë e interesave serbe në Kosovë, ndërkohë nuk do të lënë gurë pa lëvizur që opozitën ta prezantojnë si faktor me prirje anarkiste dhe të ardhme politike!
Paralajmërimi i protestës së radhës (17 shkurt 2016) dhe rrita e masës kritike në popull, që ka gjasë të përkthehet me pjesëmarrje edhe më masive se më 9 janar, ka mundësi të vënies në lëvizje të ndonjë plani rezervë, që do t’ i krijonte alibinë kësaj qeverie që ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme pak para 17 shkurtit. Lojëra me eksploziv në Drenas para ca ditëve dhe kjo sot në Fushë-Kosovë, shpjegon qartë se qeveria ka ngritur shkallën e alarmit.
Kjo gjendje e tensionuar e bën polarizimin e shoqërisë edhe më të skajshëm. Shih për këtë, si për të shmangur vëmendjen nga protesta e 17 shkurtit, media zyrtare dhe ajo kuazi e pavarur, por e blerë nga qeveria, janë përqendruar të zhurmojnë me çështjen e zgjedhjes së “presidentit”!
Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe arsyen përse termini i paralajmëruar për 11 shkurt për zgjedhjen e kryetarit të Republikës, që PLDK preferojnë ta cilësojnë si president, pavarësisht sistemit tonë politik parlamentar, u demantua, duke u zhvendosur për periudhën mes 25 e 29 shkurtit, siç pohojnë qarqe të afërta me qeverinë, duke potencuar se 8 marsi është data e fundit.
Në gjithë këtë zallamahi, më ngjet disi e pabesueshme që Hashim Thaçi, si kandidati i vetëm për postin e të parit të Republikës, nëse nuk e llogarisim kundërkandidatin e vetëshpallur dr. Ismet Hebibin, do të lejonte që të kurorëzohet “mbret”, më falni “president”, në rrethana kur sallën plenare të Kuvendit do ta mbulonin retë e tymit të gazit irritues (lotsjellës). Kundërkandidati i tij, dr. Ismet hebibi, po, do të mund ta pranonte, meqë ai vije nga fusha e mjekësisë dhe duket që e kishte një çik më të ngatërruar realitetin me ëndrrat.
Në këtë klimë politike, pikërisht më 23 janar, Thaçi publikon në llogarinë e vet në fb, një status disi atipik për botën e tij shpirtërore e politike. Ai kishte shkruar se “është i gatshëm që të sakrifikojë interesat e tij personale në dobi të interesit shtetëror”!
Kështu qëndronte e zeza në të bardhë! Vështirë të merret si e vërtetë, kur kihet parasysh se në karrierën politike të Thaçit gjithmonë ka ndodhë e kundërta, por mrekullitë nuk përjashtohen! Dikush me prirje më të theksuara për të analizuar këtë fenomen si vazhdimin e lojës, që Thaçi e njeh më së miri – talljes me popullin, ka kohë që nuk ia vë veshin fare se çka flet ai.
Por, pavarësisht kësaj, skenarët për sjelljen e tij në fronin e “Mbretit”, respektivisht “Presidentit” duken se po marrin kontura më të qarta.
I. Me Thaçin do të veprohet disi ngjashëm siç është vepruar edhe me të plotfuqishmin Gruevski në Maqedoninë fqinje. Nuk përjashtohet fare mundësia që, gjatë vizitës së tij të paralajmëruar për fillimin e shkurtit në SHBA, atij do t’i bëhet e qartë se “nuk i ka rendet” të vijë në krye të Republikës. Në këtë rast, atij do t’i jepen udhëzimet e qarta se me t’ u kthyer në Prishtinë, duhet ta marrë përdore xhuxh-marionetën me emrin Isa Mustafa dhe si “burrë shteti që është dëshmuar” ta ridëshmojë se është i gatshëm të sakrifikojë “interesat personale në dobi të Shtetit” dhe të ulet me opozitën e të dakordohen për datën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.
II. Thaçi do ta shpjerë deri në fund lojën me Popullin dhe Shtetin (me kusht që Deux ex Machina mos ta urdhërojë disi që ngjet me skenarin e parë) dhe, qoftë edhe pa prezencën e opozitës së bashkuar në Kuvend, do të zgjidhet “president”.
III. Deri më 8 mars, për rrethana tashmë të njohura, zgjedhjet për kryetar të Republikës nuk do të mund të mbahen. Në rast se ndodhë të realizohet ky skenar, atëherë automatikisht, bazuar në Kushtetutën e vendit, detyrën e kryetarit të Republikës e merr kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Pjesën dërmuese të PDK-së ky skenar do ta bëjë të ndjehet larg më mirë. Me këtë rast, Kuvendi do të shpërbëhej dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të ishte çështje e vetëkuptueshme.
***
Pavarësisht se a do të realizohet skenari i parë apo ky i treti, për PDK-në do të ishte me rëndësi jetike mbajtja e LDK-së nën “sqetulla”, duke ia imponuar një Listë të përbashkët parazgjedhore. Brenda kësaj strategjie do të hynte edhe yshtja që do t’ ju bëhej asaj zallamahie partizash që i kishte PDK-ja nën “ombrellën e saj” në zgjedhjet e kaluara (PD, LB, PSHDK, PLK…).
Krijimi i dy blloqeve politike me këtë rast do të legjitimohej edhe publikisht, ndërkaq si i tillë do të promovohej në zgjedhjet që mund të mbahen në pjesën e parë të këtij viti.
Ndërkaq nëse do të realizohej skenari i dytë, do të ridëshmohet se fjalën kryesore në Ksoovë tutje, si fill pas përfundimit të luftës (1999), e ka Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë Franceze ( DGSE), pa çka se ish-agjenti i këtij shërbimi, e miku i Hashim Thaçit, Arnaud Danjea, tashti është deputet në Parlamentin Evropian.
* * *
Prishja e plotë e skenarëve që projektojnë mbajtjen tutje të Republikës si peng i dy marionetave të katapultuara në piramidën e pushtetit – Isa M. & Hashim Th., është në dorën e popullit. Ky ndryshim në dobi të çlirimit të Republikës mund të fillojë pikërisht më 17 shkurt, me rastin e rikonfirmimit të energjive të pashtershme që prodhon ky vend e ky popull. Shkatërrimi i fijeve që mbajnë këtë piramidë pushteti në lidhjeve organike dhe hierarkike me interesat e Serbisë dhe aleatëve të saj, është vetëm një parakusht për liri./epoka e re/