Uji Dea

Skandaloze : Gjykata e Qarkut i ndërpret paraburgimin Gëzim Vitisë

/ 5 minuta lexim

Gjilan –Familjarët e Egzon Kqikut i mbytur me thikë më 15 shkurt 2010 janë tronditur me vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, por edhe më shumë me atë Gjykatës së Qarkut në Gjilan e cila i ka ndërprerë paraburgimin Gëzim Vitisë.

Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës që ta kthejë në rigjykim rastin e Gëzim Vitisë i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë ka tronditur familjarët e të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku i cili me thikë u mbyt më 15 shkurt 2010.

Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që rastin e Gëzim Vitisë ta kthejë në rigjykim me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe i paqartë dhe si i tillë juridikisht është i paqëndrueshëm. Gjykata Supreme e Kosovës ndërkaq ka vlerësuar se të akuzuarit duhet t`i vazhdohet paraburgimi .

Por skandali i dytë ka të bëjë me aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan e cila të pandehurit Gëzim Vitia i ka ndërprerë paraburgimin, duke i zëvendësuar me një masë tjetër alternative -lajmërim në Stacionin Policor çdo të mërkure ora 11.00, masë e cila vazhdon ende.

Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan lidhur me ndërprerjen e paraburgimit ka paraqitur ankesë , mirëpo Gjykata Supreme e Kosovës ankesën e ka refuzuar si të pabazuar dhe e ka lënë në fuqi Aktvendimin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan për ndërprerjen e paraburgimit dhe zëvendësimin e tij me masën lajmërim në Stacionin Policor thuhet në njoftimin zyrtar që rajonipressit i ka dërguar Gjykata e Qarkut në Gjilan.

Duke parë vendimin e Gjykatës së Qarkut si të gabuar i menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit publik të Qarkut Agron Uka. Uka ka bërë një ankesë zyrtare ku ka sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe ka kërkuar që Gjykata ta anulojë këtë vendim.

Prokuroria e Qarkut ka kërkuar që t`i vazhdohet paraburgimi Gëzim Vitisë sepse ekziston rreziku që i njëjti të ikë jashtë Kosovës. Prokuroria në ankesë ka vlerësuar se rasti i Gëzim Vitisë ka qenë tronditës për opinionin gjilanas sepse ka pasur skena tmerruese që kanë të bëjnë më një vepër të ndjeshme.

Por ata që më së shumti ndihen të lënduar nga dy vendime të sistemit të drejtësisë janë pikërisht familjarët e Egzon Kqikut. Rexhep Kqiku babai i Egzonit është revoltuar tej mase dhe ende nuk mund të beson se gjykatat tona mund të bëjnë vendime kriminale.

KKVITI

“Unë s`jam pajtuar asnjëherë me vendimin e Gjykatës së Gjilanit e cila i dha vetëm 6 vite burgim të akuzuarit e lëre më që tani ai po ecë lirshëm nëpër Gjilan. Kam deklaruar hapur në gjykatë se nëse sistemi i drejtësisë nuk e kryen punën si duhet dhe nuk e qon drejtësinë në vend atëherë unë do ta zgjidhë vetë problemin” tha Kqiku për rajonipress.

Ndryshe Gjykata e Qarkut në Gjilan në nëntor të vitit 2011 kishte shpallur aktgjykimin ndaj të dyshuarit kryesor Gëzim Vitia i akuzuar për shtytje në vrasje dhe vrasje në tentativë.

Kryetari i trupit gjykues Vllastimir Dimiq duke shpallur aktgjykimin patë thënë se Gëzim Vitia dënohet dhe shpallet fajtor me gjashtë vite burgim për shkak se janë vërtetuar provat se ai ishte nxitës dhe organizator në rastin kur i janë shkaktuar plagë vdekjeprurëse të riut Egzon Kqiku i cili vdiq më 15 shkurt të vitit 2010.

Dënimi erdhi pasi gjykata ka dëgjuar katër dëshmitar të mitur të cilët kanë vërtetuar se organizator dhe prijës i grupit që shkaktoi vdekjen e Egon Kqikut ka qenë pikërisht Gëzim Vitia.

Vitia akuzohej se më 15 shkurt 2010 me dashje dhe me veprime ka shtytë personat tjerë që të kryejnë vepër penale ku pas një mosmarrëveshjeje në mes të dy grupeve të rinjsh nga plagët e marra me thikë ka vdekur i riu Egzon Kqiku i moshës 16 vjeçare.

Dëshmitarët kishin thënë se Vitia ka nxitur të miturit për t`i shkaktuar lëndime tani të ndjerit. Ndryshe, Gjykata e Qarkut kishte dënuar dhe shpallur fajtor më herët katër të mitur që dyshohet se kanë marrë pjesë në therjen me thikë të riut 16 vjeçar Egzon Kqiku .Gjykata i kishte shqiptuar pesë vite burgim të akuzuarit B.I. kurse me nga dy vite burgim i ka dënuar J.SH., M.A. dhe E.SH.

Pas shpalljes së aktgjykimit Rexhep Kqiku babai i viktimës, Egzon Kqiku patë deklaruar se do të ankohet në të gjitha instancat e mundshme gjyqësore për këtë dënim tejet qesharak. “Unë në mënyrë individuale do të padisë të gjithë ata që janë përgjegjës dhe fajtor për vrasjen e djalit tim. Madje do ta ndjek penalisht edhe ish prokurorin e Qarkut i cili me heshtjen e tij i ka mundësuar të akuzuarit që t`i fsheh provat” patë thënë Kqiku./rajonipress/

Në foto Egzon Kqiku