Skandali i pasaportave, suspendohet sekretari Gashi

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Sekretari Permanent i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi ka gjasë të mos mbajë më postin që kishte në MPB.

Burime të Express thonë se ai është suspenduar nga puna sot nga Ministri Bajram Rexhepi. Sipas burimeve, ky suspendim ka të bëjë me hetimet që po i bëhen disa zyrtarëve të MPB’së rreth zhdukjes së 1.4 milionë eurove të dedikuar për pasaportat biometrike të kosovarëve.

Mos vazhdimin e punës së Gashit në MPB nuk e ka konfirmuar për Express Ministri Rexhepi, por as nuk e ka mohuar.

“Kontaktoni me zyrën për informim ju them, pas pak do të lëshohet njoftimi”, ishte përgjigja e vetme për Express nga Ministri.

Nga Zyra për Informim e MPB’së, ndërkaq, Express i është thënë se Gashi nuk është shkarkuar por që në lidhje me të do të ketë një komunikatë brenda gjysmë ore.

“Nuk është shkarkuar nga puna por për detaje i merrni vesh të gjitha në komunikatë e cila del më së largu pas gjysmë ore”, ka thënë për Express, Rroksana Qarri.

Ndryshe, muaj më parë në media ishte raportuar se MPB pa kurrfarë autorizimi të shkruar ka devijuar adresën ku duheshin paguar paratë për pasaportat e prodhuara nga ndërmarrja austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD) dhe Ilhami Gashi, sekretar i përgjithshëm i kësaj ministrie, ka thënë se këtë e dinte prej kohësh.

Eco Higjiena

Përkundër kësaj, Gashi nuk ka treguar gatishmëri për të marrë ndonjë masë kundrejt vartësve të tij.

Këtij zyrtari që bën administrimin dhe menaxhimin e gjithëmbarshëm të Ministrisë, nuk i është dukur lajm ajo çfarë është raportuar në media. Prandaj, ka thënë se nuk ndikohet nga ajo që raportojnë mediet.

“Unë me gazeta nuk merrem. Merrem me argumente. Jemi institucione shtetërore dhe nuk marrim veprime në bazë të asaj që shkruajnë gazetat”, ka thënë Gashi për media.

“Në gazetë kurrgjë nuk ka dalë, sepse të gjitha pagesat janë bërë me pëlqim”.

Në ndërkohë që tashmë dihet se skandali i pasaportave shpërtheu pikërisht pasi 1. 4 milion eurot e dedikuara për pasaportat biometrike, e të cilat prodhoheshin nga OeSD nuk kishin shkuar në adresën e kësaj të fundit.

E dyshuara kryesore për zhdukjen e këtyre parave, Natalie Velija në deklaratën e saj të dhënë në Prokurorinë e EULEX’it që po udhëheq me hetimet pati përfshirë edhe zyrtarë të MPB’së në skandalin, që u përmend edhe në vlerësimet e Komisionit Europian për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.