ARKATANA

S’ka zgjedhje të parakohshme

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se nuk ekziston asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Kuçi ka bërë me dije se PDK-ja do ta respektojë çdo marrëveshje politike dhe legjitimitetin demokratik që vjen nga qytetarët.

“S’ka ndonjë pozicion as nga ne, por as nga opozita për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, sikurse që nuk ka arsye të mbahen zgjedhjet nacionale”, është shprehur Kuçi.

Ai ka thënë se nëse partitë e tjera politike vendosin ndryshe, sipas tij PDK-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme.

Mobi Casa

Por, Kuçi ka thënë se prapë PDK-ja do të dalë partia e parë, duke mos përjashtuar për koalicione pas zgjedhjeve asnjë parti politike, madje as Lëvizjen Vetëvendosje!

“PDK-ja ka pasur qasje pozitive ndaj të gjitha subjekteve politike dhe nuk kemi vënë vija të kuqe për askënd. Në Kosovë është treguar se secili bën me secilin. Për PDK-në nuk ka subjekte politike refuzuese”, ka thënë Kuçi. Ai ka vlerësuar se nuk do të ishte e mirë për demokracinë në vend që partia e parë dhe e dytë të bëjnë koalicion qeverisës.

Kuçi në këtë intervistë ka folur edhe për procesin e dialogut, për të cilin ka thënë se janë duke pritur përgjigje nga baronesha Ashton.

“Jemi duke pritur përgjigje për udhërrëfyes nga baronesha Ashton se si do të procedohet më tutje. Nuk jemi ata që dalim nga gara, por presim një udhërrëfyes të qartë se si do të lëvizet më tutje”, ka thënë Kuçi, duke shtuar se BE-ja do ta shpërblejë konstruktivitetin e Kosovës në dialog sikurse do ta ndëshkojë destruktivitetin e Serbisë nëse s’do të arrihet marrëveshja për normalizim të raporteve shtetërore. /Telegrafi/