S’ka spiunë pa fakultet

Anëtarët e Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, janë siguruar nga drejtori i inteligjencës Bashkim Smakaj, se asnjë nga agjentët e tij nuk punon pa diplomë fakulteti. Dyshime për përgatitjet universitare të pjesëtarëve të AKI-së, janë ngritur në takimin e fundit kur ka raportuar Inspektori i Përgjithshëm, Agron Selimaj.
Në këtë takim disa nga anëtarët kanë kërkuar që të shkojnë në agjenci dhe të bëjnë verifikimin e këtyre informacioneve në bazë të së cilave ka pasur dyshime, se disa nga agjentët mund të mos kenë diplomë universitetit. Pikërisht të mërkurën gjashtë anëtarë të komisionit kanë vizituar AKI-në dhe janë pritur nga udhëheqësi i saj Bashkim Smakaj. Ai u ka bërë me dije anëtarëve se të gjitha dilemat që janë ngritur në këtë drejtim, nuk kanë bazë.
Nënkryetari i komisionit Fadil Demaku, ka thënë se fjala ka qenë për katër pjesëtarë të inteligjencës, por që takimi i së mërkurës, sipas tij, i ka zgjidhur të gjitha dilemat në këtë drejtim. Të gjitha veprimet e agjencisë kanë qenë mbi bazën ligjore. “Ndoshta mund të ketë njerëz pa diplomë të universitetit, por ata janë rang më i ulët dhe merren me çështje tjera. Përgatitja universitare e pjesëtarëve të agjencisë është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore”, ka thënë Demaku.(Tribuna)