RCCOLA

S’ka më politikanë në ASHAK

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Me ndryshimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, njerëzit e politikës nuk mund të jenë më pjesë e Akademisë. Pos kësaj, edhe kriteret për pranim aty, pritet të ndryshohen. Deputeti i PDK’së, Ramë Vataj thotë se, Ligji pritet që shpejt të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Vataj ka apostrofuar emrin e Isa Mustafës duke thënë se nuk e ka vendin në Akademi.

Ndryshimet në Ligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të pamundësojnë që në të ardhmen, njerëz të politikës të jenë njëherësh edhe anëtarë të Akademisë. Ky është njëri prej ndryshimeve kryesore të këtij ligji, të iniciuar nga deputeti i PDK-së, Ramë Vataj. Qeveria e ka dhënë përgjigjen lidhur me deklaratën për verifikimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji, ndërsa Kryesia e Kuvendit e ka ngarkuar Komisionin për arsim që ta shqyrtojë Projektligjin dhe t’ia paraqesë Kuvendit për shqyrtim të parë. Njerëzit e politikës në të ardhmen nuk do të mund të bëhen anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nëse miratohen ndryshimet në Ligjin për Akademinë.

I fundit që nga politika është bërë anëtar i Akademisë, është kryetari i LDK-së dhe i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, i cili u pranua në Akademi katër vjet më parë. Sipas nismëtarit të ndryshimit të Ligjit, Ramë Vataj, Mustafa nuk i plotëson kushtet që të jetë anëtar, ngase sipas tij, Akademia kërkon emra të kalibrit botëror. “Isa Mustafa ka hyrë ashtu, ka konkurruar, tash njerëzit mund të thonë që ka, por unë e di që punimet që i ka nuk mjaftojnë të jetë në Akademi. Të jesh anëtar i Akademisë, duhet të jesh nivel i kalibrit botëror. Unë kam emra që kanë konkurruar para katër vjetësh dhe që nuk janë pranuar. Fetah Podvorica dhe Bajram Berisha janë emra të kalibrit botëror”, tha Vataj, transmeton RTK-ja. Sidoqoftë, Vataj thotë se me ndryshimet në ligj nuk do t’i prekin ata akademikë që aktualisht janë në politikë.

Eco Higjiena

“Ata që i gjen Ligji, tash kur të aprovohet me ndryshime, nuk preken. Për shembull, Sabri Hamiti është kohë të gjatë, para luftës, para transicionit. Nexhat Daci, po ashtu. Njerëzit që kanë hyrë në Akademi, kanë qenë të gjithë para 15 apo 20 vjetësh. Pastaj, është në moralin e tyre sa rrinë në politikë”, tha Vataj. Edhe kriteret për pranim në Akademi, pritet të ndryshohen. Derisa më herët ka qenë që anëtari i Akademisë duhet të jetë shtetas i Kosovës, me ndryshime, sipas Vatajt, kërkohet që të përfshihet edhe dikush qoftë që ka origjinë, apo që ka lidhje gjaku me Kosovën, por, gjithsesi, të jetë i kalibrit botëror. Po ashtu, parashihet edhe ndarja e seksioneve, që të ketë një gjithpërfshirje në të gjitha fushat, e jo sikur që është tani, ku 80 për qind janë njerëz nga kultura.

Vataj beson se Ligji me ndryshime shumë shpejt do të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Por, nga ana tjetër, LDK-ja ka paralajmëruar kundërshtimin e këtij ligji. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri ka thënë se ai është ligj politik. “Po ashtu, nuk do të përkrahim Projektligjin ose tentimin për hartimin e Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe Arteve, sepse, nuk ka lidhje me Akademinë, e kemi thënë disa herë, sepse është një ligj politik dhe nuk ka lidhje me Akademinë”, tha Beqiri.