S’ka kush e rrëzon Qeverinë!
Partitë opozitare po tregohen të “mëshirshme” me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Pavarësisht se koalicionit qeverisës i kanë “dezertuar” një numër i caktuar i deputetëve, kjo me gjasë nuk do ta rrezikojë kryeministrin Hashim Thaçi që ta përfundojnë mandatin qeverisës.
Nga gjashtëdhjet e dy deputetë sa ka pasur koalicioni qeverisës PDK- AKR në fillim të mandatit para dy viteve, ka rënë në pesëdhjetegjashtë.
Nga Koalicioni për Kosovë të Re deri më tash janë larguar ligjvënësit Emin Gërbeshi, Muhamet Mustafa dhe Amir Ahmeti, ndërsa në situatë hiç më të mirë nuk është as Partia Demokratike e Kosovës, e cila nuk mund të llogaritë së paku në votat e tre deputetëve, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt dhe Hydajet Hysenit.
Por pavarësisht faktit se ekzekutivi nuk i ka numrat e mjaftueshëm, qoftë edhe për të kaluar një ligj në Kuvend, dhe se opozita në Kuvend të Kosovës është më e fortë se pozita, partitë opozitare nuk duken të interesuara që ta “dërgojnë në shtëpi” Qeverinë e Republikës së Kosovës, shkruan zëri.
Në fakt, drejtuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje” janë të vetmit që duan ta rrëzojnë qeverinë nëpërmjet një mocioni votëbesimi, por ata nuk janë duke gjetur mbështetje tek dy partitë tjera opozitare, te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)./Indeksonline/


