RCCOLA

Sivjet investimet e para private në Brezovicë

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Komiteti Drejtues Ndër – Ministror për Projektin e Brezovicës në takimin e mbajtur sot ka aprovuar inicimin e procedurave të prokurimit, përkatësisht publikimin e shprehjes së interesit për identifikimin/angazhimin e investitorëve në Projektin Zhvillimor të Brezovicës.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, njëherësh kryesuese e këtij komiteti, Mimoza Kusari – Lila ka paralajmëruar dinamizëm të proceseve kyçe të këtij projektit si dhe ka ri-konfirmuar projektin zhvillimor të Brezovicës, si projekt me rëndësi të veçantë për ekonominë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, anëtarët e KDNMP-së kanë aprovuar unanimisht pikën që ka të bëjë me pezullimin e menjëhershëm dhe në tërësi të lëshimit të të gjitha lejeve të reja të ndërtimit në Zonën e Moratoriumit të Ndërtimit në Brezovicë. Implementimi i këtij vendimi do të bëhet nga Komuna e Shtërpcës dhe Ministria e Planifikimit Hapësinor.

Në vazhdim, Njësia për Implementimin e Projektit Zhvillimor të Brezovicës ka prezantuar planin e implementimit përkatësisht opsioneve zonale në të cilat është paraparë që të zbatohet projekti i Brezovicës.

Uji Dea

Në fund, Komiteti Drejtues Ndër-ministror është pajtuar për t’i koordinuar veprimet e të gjitha ministrive relevante në mënyrë që të ndihmohet Komuna e Shtërpcës për të zgjedhur problemin e mungesës së energjisë elektrike dhe rregullimin e teleferikëve në Qendrën e Skijimit të Brezovicës.

Qendra Turistike e Brezovicës vlerësohet si destinacion me potencial të lartë dhe pikë strategjike për zhvillimin e turizmit në Kosovë.
Projekti Zhvillimor i Brezovicës pritet që ta shndërrojë atë në qendër turistike konkurrente me Maqedoninë dhe Bullgarinë në aspektin fitimprurës dhe atë të biznesit turistik.

Shprehja e interesit do të publikohet më 31 janar në gazetat e përditshme të Kosovës dhe “Financial Times”, ndërsa më 2 dhe 9 shkurt në revistën “The Economist”. (ORAinfo)