Uji Dea

Situata dramatike, protestojnë myslimanët

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Myslimanë të shumtë kanë protestuar të premten në Lindjen e Mesme, të zemëruar nga një film që tall Profetin Muhamed. Në Sudan dhe Tunizi janë sulmuar ambasadat e Shteteve të Bashkuara. Në Kartum raportohet për një protestues të vrarë dhe disa të plagosur.

“Kjo është një situatë shumë e paqëndrueshme dhe nuk është përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj administratës, ndaj popullit amerikan. Është një përgjigje ndaj një filmi që në e kemi dënuar”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Yey Carney.

Demonstruesit në kryeqytetin sudanez kanë depërtuar, po ashtu, në Ambasadën e Gjermanisë, duke u vënë zjarrin dritareve. Ata kanë sulmuar edhe Ambasadën Britanike, para se policia të përdorte gazin lotsjellës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka dënuar ashpër sulmin.

“Do të kërkoj nga autoritetet sudaneze që të garantojnë menjëherë sigurinë e Ambasadës gjermane. Unë dënoj edhe videon anti-islamike, por megjithatë ajo nuk mund të jetë justifikim për shpërthimin e dhunës. Kjo dhunë duhet të ndalojë menjëherë”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane.

Forcat e sigurisë në kryeqytetin e Jemenit, Sana, kanë përdorur topa uji dhe të shtëna paralajmëruese për të shpërndarë qindra protestues që kanë bërë përpjekje të depërtojnë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara.

Gjetkë në Sana, dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër filmit. Një imam që udhëhiqte protestuesit, dënoi sulmin e së enjtes kundër Ambasadës amerikane, duke thënë se ai “ka fyer Islamin”, njësoj sikurse edhe filmi.

Përleshje janë raportuar edhe në Egjipt, ku Vëllazëria Myslimane fillimisht ka bërë thirrje për “protesta mbarëkombëtare paqësore”, por më vonë ka shfuqizuar apelin nga frika e dhunës. Grupi ka shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë përgjegjëse për filmin.

Presidenti i Egjiptit, Muhamed Morsi ka dalë në televizionin shtetëror për t‘iu bërë thirrje egjiptianëve që të mbrojnë ambasadat e huaja. Ai ka dënuar vrasjen e ambasadorit amerikan në Bengazi të Libisë dhe të tre bashkëpunëtorëve të tij.

Mobi Casa

Rreth 200 indonezianë kanë protestuar paqësisht jashtë Ambasadës së SHBA-së në Xhakartë, duke brohoritur “Vdekje Amerikës”, raporton Rel.
Ismail Jusanto, zëdhënës i partisë Hizbut Tahrir në Indonezi, i ka bërë thirrje Washingtonit të ndërmarrë masa kundër autorëve të filmit.
“Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të ndalojnë filmin dhe ta shkatërrojnë atë”, ka thënë Jusanto.
Gjatë protestës në Basra të Irakut, lideri fisnor, Sheik Abu Kifah al-Bakatri, po ashtu ka shprehur zemërimin e tij.

“Fiset e Basras bëjnë thirrje për mbylljen e konsullatave amerikane dhe britanike dhe dënojnë fyerjen e Profetit Muhamed. Paqja qoftë mbi të”, është shprehur ai.
Mijëra protestues janë tubuar edhe në Teheran, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnei ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të ndëshkojnë fajtorët e “filmit të tmerrshëm”.

Në provincën Nangarhar të Afganistanit protestuesit kanë djegur një portret të presidentit amerikan, Barack Obama, si dhe flamuj të SHBA-së.
Një klerik i lartë në Kabul ka thënë se filmi është “vepër e hebrenjve amerikanë”. Imami Enajatullah Baleg ka thënë se presidenti Obama “duhet të mbahet përgjegjës”, sepse “ai nuk ka mundur të kontrollojë një veprim të tillë fyes”.

Në Indi, kompania e internetit Google ka bllokuar qasjen lokale në ueb-faqen YouTube, për të parandaluar shikimin e fragmenteve të filmit. Google nuk ka sqaruar nëse autoritetet indiane kanë kërkuar këtë veprim. Video e filmit tashmë është bllokuar në Libi dhe Egjipt.

Protesta kundër amerikanëve janë shënuar edhe në Liban, Turqi e Pakistan.

Duke folur për një radiostacion amerikano-arab të premten, njeriu që pretendon se ka bërë filmin, ka thënë se nuk ndjen “asnjë keqardhje”, me gjithë dhunën e vazhdueshme.
Megjithatë, Nakoula Baselej Nakoula, një i krishterë kopt, i cili ka lindur në Egjipt dhe jeton në SHBA, ka thënë se është “trishtuar” dhe “ndihet fajtor” për vdekjen e ambasadorit Christopher Stevens dhe të tjerëve. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asgjë me filmin e tij, porse “po vuajnë pasojat e prodhimit”.
Një zyrtar i SHBA-së tha për agjencinë amerikane të lajmeve AP se në Jemen ka arritur njësia elite e Marinës amerikane për reagime të shpejta pas dhunës dhe protestave në kryeqytetin Sana, por ai zyrtar deshi të mbetej anonim, sepse informata për dërgimin e njësisë nuk është dhënë publikisht.
Një ekip i tillë është dërguar edhe në Libi.

Në Tunis protestat vijuan edhe sot, kure policia tuniziane plagosi 5 protestues derisa po përpiqeshin të hynin në ambasadën amerikane. Por, sipas agjencisë France press edhe aty, në parkingun e jashtëm të ambasadës vërehet tymi i zi që shkon deri në 100 metra lartësi.
Protesta madje pati edhe në Sarajevë, ku një grup të rinjsh protestuan kundër filmit “Pafajësia myslimane. Ata bartnin transparentin ku shkruante “Vdekje filmi ‘Pafajësia myslimane’”. “.
Zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Bosnjës, Ismet Spahiq dënoi dhunën që ka ndodhur në Libi dhe vrasjen e zyrtarëve amerikanë atje pas paraqitjes së filmit.