RCCOLA

Sinisha Millosheviq nuk e pret rigjykimin

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Sinisha Millosheviq ishte akuzuar dhe dënuar me nëntë vite burg për vrasje të rëndë. Ai më 11 prill 1999 kishte vrarë Zoran Përzhiqin,duke menduar se është pjesëtar i UÇK-së.

Sinisha Millosheviq nga Vitia i dënuar me nëntë vite burg nga Gjykata e Qarkut në Gjilan për vrasje të rëndë, ka vdekur para dy muajve dhe në mungesë të tij Gjykata e Qarkut në Gjilan,ende pa filluar rigjykimi e ka shpallur të mbyllur rastin e tij.

Avokati mbrojtës Azem Vllasi tha për Rajonipress se pas ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kjo e fundit e kishte kthyer në rigjykim rastin e Millosheviqit. “Tani kur i dënuari ka vdekur gjykatësi ,Rasim Rasimi e ka mbyllur rastin, ende pa filluar procesi gjyqësor,meqë kështu veprohet në rastet e ngjashme” tha Vllasi.

Sinisha Millosheviq ishte dënuar dhe shpallur fajtor me nëntë vite burg nga ana e Gjykatës së Qarkut në Gjilan .Gjykatësi,Refik Halili e kishte shpallur fajtor Millosheviqin për shkak se më 11 prill 1999 gjatë kohës së luftës ka shtënë gjoja “gabimisht” mbi Zoran Përzhiqin nga Mogilla e Vitisë ,duke menduar se është pjesëtar i UÇK-së.

Millosheviq akuzohej edhe për disa vepra të tjera penale. Afera e Sinisha Millosheviqit është zbuluar nga Prokuroria e Qarkut në qershor të vitit 2005. Prokuroria Publike e Qarkut në Gjilan pati hapur hetime shtesë ndaj Sinisha Millosheviqit nga Mogilla e Vitisë.

Pos vrasjes së Zoran Përzhiqit më 11 prill të vitit 1999, Sinisha Millosheviq akuzohej edhe për një vrasje tjetër të një serbi nga Vitia.”Vrasësit që ju po i kërkoni ndodhen në Amerikë dhe Itali. Me pushkën time ata kanë vrarë Zoran Përzhiqin” kishte thënë para hetuesve Millosheviq,ndërkaq ndryshe ka deklaruar para trupit gjykues.

Më 20 qershor 2005, Prokuroria Publike e Qarkut kishte hapur hetime shtesë ndaj Sinisha Millosheviqit të cilat janë bazuar në shkresat e lëndës që janë gjetur në arkivin e Gjykatës së Qarkut në Gjilan.

Mobi Casa

Është interesantë fakti se më 5 qershor 1999 organet serbe në Gjilan e kanë akuzuar Millosheviqin për vrasjen e Zoran Përzhiqit,por atij i kanë thënë se nëse dëshiron të lirohesh nga burgu,duhet të deklarosh se kam shtënë gabimisht,duke menduar se është pjesëtar i UÇK-së Perzhiqi.

Fatmirësisht këto deklarata dhe dosja e Millosheviqit është gjetur në arkivin e Gjykatës së Gjilanit. Sipas “dosjes” së Gjykatës,Sinisha Millosheviqi gjatë periudhës së luftës në vitin 1999 kishte qenë i ngarkuar si polic rezervë me detyrë speciale në Viti dhe rrethinë.

Millosheviq ka pasur në zotërim pushkën automatike“Thompson” të kalibrit 45 mm. Sipas dosjes më 11 prill 1999, Sinisha Millosheviq në shoqëri me djalin e tij të mitur,i shoqëruar edhe nga Veliqko Noikiqi kanë plaçkitur shtëpitë shqiptare në fshatin Mogillë.

Ky grup duke plaçkitur makina qepëse nëpër familjet shqiptare ka hasur në një grup tjetër i përbërë prej tre personave,dhe duke menduar se janë pjesëtar të UÇK-së, Sinisha Millosheviq ka hapur zjarr në drejtim të tyre.

Me pushkën automatike “Thompson”,Millosheviq ka shtënë me rafalë edhe atë 21 fishekë në drejtim të Zoran Përzhiqit nga Mogilla,duke e lënë të vdekur në vend, derisa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe Sreqko Bosiq.

Sinisha Millosheviq së bashku me Djuziq Dragoljub nga fshati Mogillë janë arrestuar nga policia e SHPK-së më 10 prill 2005,dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza nga prokurori publik i Qarkut. Gjykata e Qarkut në Gjilan gjatë seancave ka kërkuar zyrtarisht nga Gjykata e Vranjës në Serbi që të sjellë dëshmitarët e këtij rasti,por ata nuk janë përgjigjur fare./rajonipress/