Sindikata e pensionistëve gjilanas të premten proteston
Gjilan – Sindikata e pensionistëve gjilanas ka paralajmëruar protestë për këtë të premte, ngase siç kanë thënë drejtues të saj, vullneti i institucioneve të Kosovës për zgjidhjen e kësaj çështjeje po mungon.
Muharrem, Bajrami, kryetar i degës së Sindikatës së Pensionistëve dhe të Invalidëve të Punës në Gjilan, ka thënë se po anashkalohen e privohen nga e drejta e tyre legjitime për sigurim pensional dhe invalidor dhe sipas tij vetëm Gjilani i ka mbi 4000 pensionistë dhe invalidë të punës.
“Të flasësh për këtë kategori duhet të jesh nën lëkurën e tyre e ta përjetosh gjendjen e tyre”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se nuk po mungon vullneti i sindikatës që kjo çështje të zgjidhet, por sipas tij, po mungon vullneti dhe angazhimi i institucioneve.
Muharrem Bajrami, ka thënë se organet e vendit duhet ta kuptojnë këtë gjendje e të angazhohen që ta përmirësojnë atë.
Protesta e organizuar nga Koalicioni i Pensionistëve fillon të premtën në ora 11.00 dhe niset nga qendra e qytetit,duke u ndalur para teatrit të qytetit dhe zgjatë një orë./rajonipress/