Simbolika e kryetarit
Gjilan – Jemi shumë qytetarë në numër dhe pak mbeturina në hapësirë të cilat me një organizim të të gjithë neve dhe me një përkushtim të vazhdueshëm, mund të mbajmë ambientin edhe më të pastër në Komunën tonë, konkluzion i përbashkët i cili doli nga pjesëmarrësit e përfshirë në aksionin të prirë nga kryetari i Komunës Qemajl Mustafa për pastrimin e lumit Stanishorka.
“Është një aksion për pastrim sipërfaqësor që po i bëhet lumit Stanishorka, është shumë më tepër një pastrim dhe është një simbolikë që të gjithë qytetarët ta bëjnë një gjë të tillë, jo vetëm institucionet dhe jo vetëm “kompania për grumbullim të mbeturinave”, ka thënë Mustafa. “Secili e kemi për obligim në secilën ditë të vitit, që së pari të mos e ndotim ambientin, e pastaj kudo që hasim në mbeturina e në ndotje, secili të kryej nga një punë të vogël brenda ditës dhe kaq shumë jemi në numër në këtë ambient që e thithim këtë ajër, që jetojmë nga kjo tokë nga ky ujë dhe nga këto resurse, saqë nëse të gjithë ngapak punojmë me përgjegjësi, ambienti ynë do të jetë i pastër dhe i përshtatshëm e premtues për ardhmërinë tonë dhe të fëmijëve tanë”, tha me këtë rast kryetari i Komunës.
Ndërsa Bajram Isufi, drejtor në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave tha se punëtorët e kësaj kompanie për çdo ditë merren me pastrimin e ambientit. “Ky aksion i sotëm është pjesë e projektit që do të vazhdoj edhe në të gjitha pikat ku ka mbeturina dhe ku ka deponi të egra falë një bashkëpunimi shumë të mirë që e kemi me Komunën. Në jemi duke punuar që të krijojmë një ambient pa mbeturina dhe ambient të gjelbëruar për qytetarët tanë.
Kryetari Mustafa poashtu bëri të ditur se Komuna është në realizim e sipër të projektit për kanalizimin kryesor pranë lumit “Stanishorka” dhe të humanizimit të këtij shtrati të lumit i cili do të ndodhë në vitet që do të vijnë.
Ai tha se Komuna po vazhdon me trajtimin e lumit Mirusha dhe nëse ruhet kjo dinamikë e punës pas disa vitesh nuk do të kemi problem me ujërat e zeza në qytet sa i përket sistemimit të tyre dhe ndarjes së ujërave atmosferike prej këtyre të zeza, ndërsa në një fazë të ardhme do ti trajtojmë këto ujëra pranë lumit “Morava”.
Si komunë jemi shpallur disa herë si më e mirë në pastërti të qytetit në grumbullim të mbeturinave, mirëmbajtje të zonave të gjelbra dhe kjo na ka motivuar që të vazhdojmë dhe përditë të jemi më të mirë. Ai tha se kjo nuk na vetëkënaq kur e dimë se kemi deponi të egra jashtë qytetit, kemi problem me deponinë sanitare derisa ligji i ri nuk e trajton, i cili e parasheh që deponit të kalojnë në kompetencë të komunave dhe të cilat do të menaxhohen larg më mirë se deri tash. Si komunë jemi në rrugë jashtëzakonisht të mirë për ta avancuar edhe në këtë aspekt.
Aksioni do të vazhdoj në gjithë hapësirën e Komunës, përmes fushatave vetëdijesuese por edhe përmes ndihmës së organizatave të ndryshme që marrin fonde për këtë qëllim./rajonipress/