Uji Dea

Sikur të dinit të heshtnit…!

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Nuhi Ismajli-Reagimit tonë publik, lidhur me torturimin e konkurrentëve për punë në arsim, tërthorazi iu përgjigj Sabri Tahiri, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Shtetëror për Kurikulum (www.rajonipress.com).

Duket që kryetari i Këshillit Shtetëror për Kurikulum, nuk i ka parë vërejtjet tona, as nuk ka dashur të bindet për absurditetin e mbajtjes së provimit pranues për arsimtarët, me ç’rast bëhet jo vetëm shkelje ligjore, duke injoruar institucionet e Kosovës dhe dokumentet zyrtare të tyre, për përgatitjen profesionale të kandidatëve, po edhe shkelje e të drejtave njerëzore të arsimtarëve, të cilët torturohen pa asnjë shkak.

Arsyetimet e kryetarit të Këshillit Shtetëror për Kurikulum, lidhur me punësimin e arsimtarëve, përmes provimit pranues (apo siç po quhet testim), kurrë nuk mund të quhen të qëndrueshme.

Arsimtari, përgatitjen e tij profesionale e dëshmon përmes dëshmisë zyrtare për shkollimin e tij. Përgatitjen profesionale të arsimtarit nuk mund ta injorojmë, në mënyrë të paligjshme, duke organizuar teste diturie për të, madje, në instanca shumë më të ulëta se institucioni ku ai ka kryer shkollimin, dhe nga ata që nuk janë fare kompetentë të bëjnë një gjë të tillë. Shih: Fakulteti i Edukimit teston kandidatët për punë në arsimin e mesëm!!! A ka poshtërim dhe torturë më të madhe për arsimtarin?!

Për zgjedhjen e arsimtarit më cilësor, për punë në arsim, nuk është e nevojshme testimi i dijeve të tij. Komisioni për pranim, lehtë, shumë lehtë, nëse do, në bazë të kushteve që plotësojnë kandidatët, mund të dallojë konkurrentin më cilësor.

Arsyeshmërinë e provimit pranues për punë në arsim, kryetari i Këshillit Shtetëror për Kurikulum, e sheh te fakti se për të qenka ai vetë, si kryetar i Këshillit Shtetëror për Kurikulum, e sheh te punëtorët e DKA-së, në Gjilan, dhe te disa “njerëz profesionistë të cilët qenkan kyçur në reformat arsimore”.

UBT

Të jesh kryetar i Këshillit Shtetëror për Kurikulum nuk domethënë gjithsesi të jesh edhe profesionist i madh dhe veprimet t’i kesh gjithherë të arsyeshme. As të jesh punëtor i DKA-së, nuk domethënë të jesh profesionist. Këtë e tregon realiteti. Populli e di shumë mirë se çfarë “profesionistësh” punojnë në DKA-në e Gjilanit. Për këtë nuk po flasim tani.

Gjithashtu, të mos jesh kryetar i Këshillit Shtetëror për Kurikulum dhe punëtor i DKA-së, në Gjilan, nuk domethënë se je joprofesionist dhe kundër reformave në arsim. Pse, ne çka jemi?! A nuk jemi ne profesionistë, veç pse nuk kemi pushtet dhe nuk bëjmë punë të paligjshme ?! Sa njeriu i ditur e profesionist i Kosovës sot nuk ka asnjë punë dhe nuk është në asnjë institucion! Sikur të dinit të heshtnit…!
(Po, pasi ne “joprofesionistët”, u takuam me “profesionistët”, që po dinë shumë, po punojnë mbarë dhe po bëjnë “reforma” arsimore, a mund t’ua bëjmë pyetjen: pse arsimi, sot, për nga cilësia, është në një gjendje të keqe, si asnjëherë më parë?!).

Kryetari i Këshillit Shtetëror për Kurikulum, porositë që të mos frikësohemi nga veprimet joligjore të institucioneve, që bëjnë testimin e arsimtarëve, me rastin e punësimit.
Mendojmë se prej veprimeve të atyre që mendojnë se janë profesionistë, e nuk janë, dhe prej atyre që mendojnë se bëjnë reforma, kurse në realitet bëjnë kundërreforma, siç tregon rezultati, duhet të frikësohemi shumë bile. Si të mos frikësohemi nga shkeljet ashiqare të ligjshmërisë!? Si të mos frikësohemi, në këto rrethana, kur secili paska mundësi të krijojë institucione sipas qejfit, të zhvlerësojë arritjet e njohura zyrtarisht dhe të torturojë njerëzit, duke i trajtuar në mënyrën më të padinjitetshme ?!

Ne nuk do të frikësoheshim dhe do të ndiheshim mirë vetëm në rastin e krijimit të kushteve për ngritjen e vazhdueshme profesionale të arsimtarëve dhe vlerësimit të tyre nga instucionet adekuate.

E përsërisim se për zgjedhjen e arsimtarëve më cilësor për punësim, nuk është e arsyeshme të zhvlerësohen kualifikimet shkollore të arsimtarëve, as të torturohen
padrejtësisht me rastin e konkurrimit të tyre për punësim.