RCCOLA

Siguria në shkollat tona parakusht për ngritje të cilësisë

/ 3 minuta lexim

Nga Bekim Thaqi – Në kuloaret shoqërore por edhe në ato akademike, shpeshherë diskutohet se sa kemi siguri në shkollat tona, sa ndikon kjo në cilësinë e përgjithshme arsimoro – edukative. dhe ku janë pengesat për një siguri më të mirë në shkollat e Kosovës në përgjithësi. Fillimisht duhet ta shtjellojmë faktin se çka nënkuptojmë me siguri në shkolla? Siguria në shkollë. mund të përcaktohet sipas asaj se sa janë të sigurtë nxënësit nga dhuna e çfarëdollojshme , ngacmimet e ndryshme, bulizmi, përdorimi i substancave narkotike e të tjera (p.sh alkoholi) në procesin e gjithëmbarshëm edukativo-arsimor duke filluar nga oborri i shkollës e deri tek vijimi i papenguar i orëve të mësimit dhe aktivitetet e ndryshme shkollore dhe ato të ndërlidhura me shkollën.

Si rrjedhojë, mund të themi se siguria në shkollë e promovon mbrojtjen e nxënësve nga dhuna, ekspozimin ndaj armëve dhe kërcënimeve, vjedhjeve te ndryshme, ngacmimeve dhe shitjes ose përdorimit të substancave të paligjshme në objektet shkollore dhe përcjellës . Siguria gjithashtu përfshinë edhe objektet shkollore, sa janë të sigurta, a mbulohen nga kamerat monitoruese, sa shpejtë mund të reagohet në rast të ndonjë problemi të paraqitur etj. Shpeshherë kemi dëgjuar se dhunë dhe pasiguri ka edhe në relacionin mësimdhënës-nxënës apo anasjelltas dhe gjithashtu në relacionet nxënës-nxënës ku shpeshherë përdoren edhe armë të ftohta apo të zjarrit, dhe kjo sigurisht se ndikon në prishjen e përgjithshme të balancit të sigurisë në objektet mësimore.

Si të përmirësojmë cilësinë e sigurisë dhe arsimimit në shkolla? Në mënyrë që ta bëjmë këtë suksesshëm nevojitet një koordinim i mirëfilltë i të gjitha instancave shoqërore ku përveç punëtorëve të shkollës duhet të përfshihen edhe organet e sigurisë, ojq-të e ndryshme dhe ekspertë të ndryshëm të cilët kanë përvojë në fushën e sigurisë dhe sidomos që janë të njohtuar mirë edhe me procesin arsimoro-edukative dhe ku do të duhej të mbahen trajnime, seminare për nxënës në baza të rregullta të përfshira edhe në kurrikulën apo planprogramin e gjithëmbarshëm mësimor edukativ. Pa një përmirësim të sigurisë në shkollat tona, ku nxënësi do të ndihet i sigurtë në mesin e moshatarëve të tij, në mesin e arsimtarëve, në oborret shkollore dhe objektet shkollore pa frikë nga ngacmimet e ndryshme dhe dhuna , përmirësim i cili detyrimisht do shërbejë si ngritje në cilësinë e mësimit sepse nëse një nxënës ndihet i frikësuar, apo i kërcënuar në këtë apo atë mënyrë si dhe nëse qasja në substanca narkotike rreth objekteve shkollore është shume e lehtë atëherë kjo do të shpërfaqë pasiguri dhe nxënësit nuk do mund të nxënë mësimin ashtu si duhet dhe do jetë e vështirë për ta të bëjnë më shumë.

Uji Dea

Një shkollë e sigurtë ofron mundësi dhe cilësi më të mirë për arsim të suksesshëm

Bekim Thaqi Magjistër i shkencave të sigurisë