RCCOLA

Si t’i trajtojmë alergjitë pranverore

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Tashmë kemi hyrë në stinën e pranverës. Teksa lulet fillojnë të çelin dhe pjalmi i tyre përhapet nga era, edhe simptomat e njohura të alergjisë së barit fillojnë të “lulëzojnë”. Në pranverë pjalmi i pemëve është nxitës i shumë simptomave, ndonëse edhe sporet e kërpudhave mund të shkaktojnë probleme të frymëmarrjes. Ashtu si alergjitë e tjera, edhe alergjia e barit shkaktohet nga një përgjigje jonormale imunitare ndaj një substance të parrezikshme.

Sistemi i imunitetit prodhon kundërtrupa të imunoglobulinës E, që”armatos” trupin për të luftuar ndaj “pushtuesve” të ardhur nga jashtë, i cili zakonisht është pjalmi i pemëve në rastin e alergjisë së barit në pranverë. Gjatë reaksionit, qelizat imunitare lëshojnë një numër lëndësh kimike të fuqishme, ku përfshihet histamina, i cili çon në alergjinë e barit.

Të kuptuarit nga kërkuesit i kësaj përgjigjeje imunitare përbën bazën e shumë mjekimeve për alergjitë hundore të stinës, duke përfshirë barnat antihistaminike dhe ato kundër infeksioneve që merren nga goja ose nga hunda. Hapi i parë i trajtimit të alergjisë është testi i lëkurës, nëpërmjet të cilit konfirmohet nëse problemi është vërtet alergjia dhe identifikohen shkaku ose shkaqet specifike, thotë dr. Kristofer Bejts i Qendrës Kombëtare Kërkimore dhe Mjekësore Hebreje në Denver të Shteteve të Bashkuara.

Njerëzit që punojnë ose luajnë jashtë, mund ta kenë shumë të vështirë ta shmangin pjalmin, vëren dr. Xhonatan Bernshtajn, një specialist për alergjitë në Kolegjin e Mjekësisë të Universitetit të Sinsinatit. Gjithsesi, sipas tij, mbyllja e dritareve dhe përdorimi i kondicionerit mund të ndihmojnë. Mënyra të tjera mund të jenë shmangia e veprimtarive në natyrë kur përqindja e pjalmit në ajër është e lartë, mos varja e rrobave jashtë në tel për t’u tharë dhe bërja dush pas ndenjes jashtë që të shpëlahet pjalmi i ngjitur në trup.

Shmangia e pjalmit nuk është e vetmja zgjidhje. Disa barna që mund të merren nga hunda ose goja janë të njohur për kontrollin e alergjisë së barit. Kombinimi i drejtë i tyre varet nga simptomat e pacientëve dhe nëse ata kanë efekte anësore, shpjegon Bernshtajni. Antihistaminikët, që bllokojnë veprimin nxitës të simptomave të histaminës, janë terapia kryesore ndaj alergjisë së barit.

Një nga të këqijat e tyre është se sjellin gjendje përgjumjeje, po dr. Bernshtajni thotë se disa lloje të reja të tyre që jepen pa recetë, të tilla si feksofenadina (Allegra) and loratadina (Claritin) nuk janë qetësuese. Efekte të tjera anësore mund të jenë tharja e gojës, kapsllëku, dhe te disa fëmijë, acarimi dhe nervozizmi.

Kortikosteroidët hundorë, që përfshijnë barna si budezonidi (Rhinocort) and flutikazoni (Flonase), janë gjithashtu të rëndësishme në trajtimin e këtyre alergjive. Kortikosteroidët janë të ngjashëm me hormonin e kortizolit që prodhon trupi ynë dhe mund të lehtësojnë një sërë alergjish të barit duke bllokuar lëshimin e lëndëve pezmatuese në kanalet e hundës. Këto barna duhen përdorur përditë për të parandaluar simptomat, pak përpara fillimit të stinës së pjalmit.

UBT

Steroidët që merren me frymëthithje mund të sjellin acarime të hundës, përfshirë edhe gjakrrjedhje nga hundët, dhe ka pasur shqetësime lidhur me ndikimin e mundshëm të tyre në rritjen e fëmijëve. Por dr. Bernshtajni thotë se studimet tregojnë që këto ilaçe janë të sigurta nëse përdoren në mënyrë të duhur për alergjitë dhe astmën. Sprajet hundore shkongjestuese mund të zbutin përkohësisht bllokimin e hundës, por duhet të përdoren për vetëm disa ditë, sepse nëse përdoren për një kohë të gjatë vetëm sa e keqësojnë kongjenstimin.

Opsion edhe injeksionet

Nëse alergjitë e barit janë shumë të rënda ose nuk përmirësohen pas pranverës, bërja e gjilpërave mund të jetë një opsion. Ky trajtim, i quajtur imunoterapi, ka të bëjë fjalë me injektimin e sasive të vogla të disa substancave ngacmuese për të normalizuar përgjigjen imunitare. Ka edhe alternativa të tjera për mjekimin e alergjisë, por ende jo të studiuara mirë.

Doktor Bejtsi përmend një studim, i cili tregon se ekstraktet e farave të rrushit, që mund të kenë efekte antihistaminike, për fat të keq nuk janë më shumë sesa një placebo në zbutjen e alergjive të stinës. Gjithsesi, është e pamundur të shmangim tërësisht alergjitë pranverore nëse jetojmë në një mjedis ku rriten bimë.

Megjithatë, mund të pakësojmë teshtimat dhe përlotjen e syve duke iu shmangur nxitësve kryesorë të alergjisë. Ja disa këshilla: Rrini brenda kur përqindja e pjalmit në ajër është shumë e lartë (zakonisht ai arrin kulmin në mëngjes). Mbajini dyert dhe dritaret mbyllur kur ka mundësi gjatë muajve të pranverës, që alergjenët të mos hyjnë brenda. Një pastrues ajri gjithashtu mund të hyjë në punë.

Pastrojini shpesh filtrat e ajrit në dhomë, si edhe raftet e librave, ventilatorët dhe vende të tjera ku mund të grumbullohet pjalmi. Lajini flokët pas ktheheni në shtëpi nga jashtë, sepse mund të ketë mbetur pjalm aty. Pastroni me fshesë me korrent dy herë në javë, duke vënë maskë, sepse kjo fshesë mund të lëshojë në ajër pjalmin dhe pluhurin që ndodhet në tapetet a qilimat tuaj.