Si po ndodh afrimi midis AAK-së e PDK-së

Aleanca e Ramush Haradinajt po gjykohet për mënyrën e afrimit me PDK-në. Dyshime për një afrim të tillë midis këtyre dy partive janë ngjallur edhe më shumë pas udhëtimit të njëkohshëm të kryeministrit Hashim Thaçi dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, për në New York.
Analisti Imer Mushkolaj thotë se AAK-ja nuk po zgjedh formë për të arritur në pushtet. Për të nuk është i rastësishëm as udhëtimi i dy liderëve për në New York, ngase, sipas tij, dihet se sa e dëgjueshme është Kosova karshi amerikanëve.
Por, si raporton KTV-ja, këtë e hedh poshtë zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma.
Ai thotë se s’bëhet fjalë për afrim midis PDK-së e AAK-së, por për vizitë të planifikuar prej muajsh.
Kritika karshi AAK-së, por edhe ndaj tërë opozitës ka bërë edhe instituti që mbikëqyr vazhdueshëm punën e Kuvendit.
Duke komentuar zhvillimet dhe bojkotimet e vazhdueshme në Kuvend, Driton Selmanaj ka thënë se opozita është ajo që po ia zgjat jetën kësaj Qeverie, në të kundërtën, sipas tij, ose do të duhet riformatim i Qeverisë, ose shkuarje në zgjedhje të parakohshme./Koha.net/Telegrafi/