UBT

Si letërsia, si gjuhësia

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nuhi Ismajli- Vlerësimi kritik, objektiv, i letërsisë shqipe ua ka lëshuar pothuajse krejtësisht vendin vlerësimeve joserioze dhe, madje, qesharake. Në këto rrethana të dominimit të vlerësimeve aspak të denja për letërsinë, vërejmë emra studiuesish të formuar, të cilët mund të bëjnë vlerësime të denja për letërsinë, por që, për intresa aspak letrare, nuk japin vlerësime meritore dhe të nevojshme.

Vlerësime të tilla jepen në kuadër të studimeve, në katedrën e letërsisë, si dhe në veprat e autorëve të ndryshëm për letërsinë.

Në rrethanat e një vlerësimi joserioz kritik për letërsinë janë shfaqur edhe një dorë “kritikësh” të pashkolluar, të pangritur dhe të paformuar në fushën e letërsisë. Kështu, rrethanat e mungesës së shfaqjes publike të një mendimi shkencor për letërsinë dhe rrethanat e mungesës së kritikës së vërtetë letrare, kanë prodhuar edhe kritikët e rrejshëm, kritikët pa asnjë formim të duhur letrar, për t’u konsideruar studiues dhe vlerësues të letërsisë.

Në shkrimet e ndryshme për veprat e letërsisë shqipe, prandaj, vërejmë edhe emra të tillësh, të cilët quhen kritikë, por që nuk ngjasojnë aspak me kritikët letrarë, sepse, të tillët, nuk kanë as përgatitjen dhe formimin elementar letrar, siç e dëshmon këtë edhe niveli i shkrimit të tyre. Në një realitet të tillë paradoksal, çdo person që shkruan diçka për një vepër letrare quhet kritik! Në një realitet të tillë ku mungon dija, ndërgjegjja dhe përpjekja për një mendim dhe gjykim të denjë shkencor për letërsinë, kritiku i vërtetë dhe kritiku i shpifur, i rrejshëm, identifikohen plotësisht, të cilët, edhe i sjellin bashkërisht dëme të mëdha letërsisë dhe kulturës përgjithësisht.

Në këtë rast, përgjegjësinë për mungesën e vlerësimeve të nevojshme kritike letrare dhe vlerësimet e gabuara letrare e mbajnë studiuesit, por vlerësimet që i bëjnë kategoria e parë, apo ajo e dyta, pothuajse nuk kanë dallim, pasi që të dy palët shprehin mendime dhe japin gjykime paradoksale, mashtruese, për autorët dhe veprat e tyre. Kështu, p. sh. një studiues i letërsisë (edhe mësimdhënës në një katedër letërsie), në kuadër të një teze të doktoratës mund të shprehë vlerësimin e tij për një poet shqiptar duke e nxjerrë atë të barasvlershëm me Sharl Bodlerin! Nëse ne kemi poetë si Bodleri, pra, puna paska mbetur vetëm që bota ta njohë këtë poet, në përmasa botërore, siç e ka njohur e çmuar dhe siç e njeh e çmon Bodlerin.

Një tjetër “kritik”, me titullin “dr-sc”, por, për nga formimi, hiç më i mirë se kritikët e shpifur, një nga improvizuesit më monotonë të shekullit XX, e pati quajtur “homeri shqiptar”! (Nuk është këtu fjala për Gjergj Fishtën).

Nga radha tjetër e “kritikëve”, pra të kritikëve të shpifur, kemi pasur rast të shohim kurorën e paparë të marrëzirave. Kemi parë, p. sh., ndër të tjera, sesi, pa asnjë bazë, arti i dikujt krahasohet me artin e Borhesit, sesi mendimi i dikujt krahasohet me mendimin e filozofit Erih From! Etj. Etj.

Pse ndodh kjo edhe në rrethet letrare, në të cilat nuk duhet të ndodh kjo ?!
Studiuesit e ngritur, një mendim dhe gjykim jomeritor për letërsinë e japin në mënyrë të vetëdijshme, por në mungesë të etikës shkencore, në rastet kur interesat letrare i këmbejnë me interesa jashtëletrare.

Shohim sesi disa prej këtyre janë dishepujt e përulur të mësuesve të tyre, të cilët nuk guxojnë të flasin, ashtu si nuk flet mësuesi i tyre dhe nuk guxojnë të thonë diç e të japin vlerësime të tilla, të cilat, mësuesit të tyre nuk i pëlqejnë e nuk e ngrenë atë në qiell, sepse mësuesi i ka avancuar, duke i stolisur me tituj shkencorë e duke ua mundësuar pozitat…Prandaj, për mësuesin e tyre, ata nuk mund të thonë, siç ka thënë në një tekst të njohur të tij filozofi Aristotel: “Unë jam mik i Platonit, por dua më shumë të vërtetën“.
Përkundrazi, ata, në vend se, në vlerësimet e tyre, të udhëhiqen nga parimi i Aristotelit, subjektin e vlerësimit e shikojnë, jo ashtu siç është, me gjithë vlerat e të metat e tij, po si një engjëll të vërtetë, krejt hyjnor, kurse veprën e tij si kulmi i arritjeve botërore!
“Kritikët” tjerë, mendime e vlerësime të padenja për letërsinë japin për shkak të mungesës së dijes, vetëdijes e aftësive të nevojshme për vlerësime letrare, si dhe synimit të bëhen emra në një fushë të lirë, ku mungon pronari i vërtetë – kritiku i vërtetë letrar.

Pa marrë parasysh, tipin e “kritikëve letrarë” të mësipërm, pra, qoftë se është fjala për kritikët letrarë të formuar, por kritikë letrarë subjektivë, të pandërgjegjshëm, të pa etikë shkencore, faji i të cilëve është i madh, qoftë se është fjala për kritikë letrarë të shpifur, që të dy palët bëjnë marrëzira dhe i sjellin dëme të mëdha letërsisë dhe kulturës.
Një nga kritikët më të njohur të letërsisë botërore, i cili ka përcaktuar bukur kërkesat për një kritikë të vërtetë letrare, Tomas Stern Elioti, ka konstatuar se kur kritiku nuk mbështetet në argumente, kritika e tij shndërrohet ose në komedi ose në propagandë.

RCCOLA

Në letërsinë tonë, kur marrim parasysh se kush po merret me vlerësime letrare, çfarë po thuhet, çfarë vlerësimesh po bëhen, dhe kush po quhet kritik letrar, mund të thuhet, pa dyshim, se nuk e kemi vetëm propagandën ose vetëm komedinë, por që të dyja njëherësh, edhe propagandën edhe komedinë. E dimë se vlerësime jomeritore letrare bëhen qëllimisht, për propaganda të caktuara dhe për të arritur në saje të tyre interesa joletrare.

Nga njohja e atyre që shkruajnë “kritika” të tilla, si dhe e veprave të autorëve për të cilët shkruhet e qëllimet për të cilat shkruhet, nuk mund të mos ndjesh ndjenjën e receptimit të ndonjë teksti të veçantë komik.

Propagandë e komedi edhe në gjuhësi

Po, ajo që po ndodh, qe sa kohë, me letërsinë dhe po vazhdon të ndodh edhe më tutje, para pak ditësh patëm rast të mësojmë se po ndodhke edhe me fushën e gjuhësisë. Për motive të ndryshme, vlerësime të paqëndrueshme, subjektive, aspak serioze, prandaj edhe propagandë e komedi, kishte edhe në gjuhësi, madje, edhe nga emra të shquar të gjuhësisë.
Po marrim, si shembull, një rast konkret: burri i botës, kishte mbledhur gjuhëtarë, edhe nga ata me emër, me tituj, nga këtu, Kosova, e nga Shqipëria dhe, me pompozitet të paparë, do të bëjë reklama, emër të madh, të pakrahasueshëm, sa jo veç Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, (ku e kishte synimin të hynte), po edhe çdo akademi tjetër, sikur të ishte ashtu siç thuhej aty, do ta priste derëhapur dhe pa kurrfarë kontestimi e, madje, edhe vetë do ta kërkonte, sepse, me një të tillë shkencëtar, siç quhej aty, çdo akademi do të ishte e nderuar dhe do të ndjehej e respektuar po ta kishte anëtar të saj.

Kështu, më 17 tetor, të këtij viti, në Teatrin Kombëtar të Gjilanit (shih: në teatër, pikërisht në vendin e komedisë!) “dr-të”, “akademikët” e tituj të tjerë, të afërt me titujt e përmendur, ishin ftuar e tubuar, për të folur me pietet të jashtëzakonshëm për një figurë “madhështore” të studiuesit të gjuhësisë, gati-gati, sipas tyre, “i pakrahasueshëm” me studiues të tjerë. Nuk mund të mos e veçoj, në këtë rast, një nga mesi i të pranishmëve (A. J.), i cili, me gjithë praninë në atë mes marramendës propagandues e komik, burrërisht mbajti drejtpeshimin e arsyes dhe tregoi ndjenjën e masës në fjalën e tij, sikundër nuk mund të mos veçoj këtu, me habi, studiuesin e madh, Emil Lafen, ligjëratën e tij tejlavdëruese, për studiuesin “e pakrahasueshëm”, si edhe akademikun Gjovalin Shkurtajn, gjithashtu, për ligjëratë-propagandën e tij tejet komike.

Në takimin e 17 tetorit, të këtij viti, në Teatrin e Gjilanit, u fol për studiuesin e gjuhës, i cili, nuk u krahasua me asnjë gjuhëtar tjetër, përveç se me E. Çabejn dhe Idriz Ajetin! Pra, në saje të asaj që u tha aty, nga titujt e mëdhenj të gjuhësisë, protagonisti i takimit nuk mund të krahasohej me gjuhëtarët tjerë, pasi ai dilte i krahasueshëm vetëm me Çabejn dhe I. Ajetin! Një tekst i tij i gjuhës, sipas studiuesve titujmëdhenj, po ia kaluaka çdo teksti të deritashëm për gjuhën shqipe, pra, sipas kësaj, ai tekst, po ia kaluaka edhe tekstit të gramatikës së gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë!

Qëllimi i asaj propagande komike u shpalos haptazi në atë takim: protagonisti i takimit po lakmonte titullin e akademikut, prandaj ishte angazhuar burri i botës, kishte ftuar njerëzit emërmëdhenj, të cilët, me fjalët e tyre lavdëruese mund të të ngrenë edhe në qiell, po qe se duan e do, e lëre më “të të bëjnë të denjë”, për t’u bërë anëtar i ASHAK-së!

Prandaj, edhe diskursi “i lartë”, i recensioneve “tejet shkencore”, të titujmëdhenjve, për kandidatin e ASHAK-së, me ndonjë përjashtim, si u tha më lart, qëndisej me përsëritjen e vazhdueshme të urimit: “Urojmë, që, tani e tutje, të të drejtohemi me titullin: akademik!”

Mjerë ASHAK-ja!
P. s.
Derisa po i dëgjoja e shikoja disa “rituale moderne”, për t’u bërë anëtar i ASHAK-së, për një çast m’u duk ajo një punë mjaft e lehtë dhe, mendova se, edhe unë mund ta bëj lehtë ndonjë vepër “shkencore”, si p. sh., vetëm duke përshkruar frazeologjizmat nga Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe dhe, qe, u bë. Sa punë është kjo?! Por, sakaq, m’u kujtus se p. sh. përveç punës së përmendur, duhet edhe diçka tjetër, të cilën unë nuk mund ta bëj dot: t’i sjell ata titujmëdhenj të flasin si për kandidatin për ASHAK-në! “O moj paraja murdare…”!