UBT

Si e tradhtoi Assadi Gaddafin?

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Niger? Mali? Apo në Libi? Bota për një kohë të gjatë spekuloi në vitin 2011 për vendstrehimin e mundshëm të diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi. Më pas, presidenti i Sirisë, Baschar Al Assad, i dha shërbimit të fshehtë francez numrin e një telefoni satelitor.

Ata dërgojnë luftëtarë islamikë dhe anije të ngarkuara me armatim. Revolucionarët në Libi, të cilët përmbysën nga pushteti diktatorin e Libisë, Muammar Gaddafin, kanë përzgjedhur një diktator tjetër që duhet përmbysur: presidentin e Sirisë, Bashar Al assadin.

Ata e urrejnë atë, ngase është një pushtetar laik pa religjion. Por para se gjithash e urrejnë, ngase ishte mik i ngushtë i Gaddafit dhe mbështeti deri në fund regjimin e tij, madje edhe ushtarakisht. Por tani, brigadat islamike kanë marrë një lajm të pabesueshëm: Ishte Assadi ai, i cili zbuloi vendndodhjen e Gaddafit.

Për javë të tëra, në gusht të vitit 2011, pas pushtimit të kryeqytetit të Libisë, Tripoli, është spekuluar për atë se ku mund të ndodhej Gaddafi. Të gjithë besonin se Gaddafi ishte arratisur në Niger apo në Mali.

Të paktë ishin ata që besonin se Gaddafi, së bashku me një numër të vogël të njerëzve të tij besnik, fshihej në qytetin e tij të lindjes, Sirte. Qyteti ishte i rrethuar nga kryengritësit, të cilët kishin bllokuar të gjitha rrugët.

Për çdo ditë Gaddafi ishte i detyruar që të ndërronte vendqëndrimin e tij në qytet, të lëvizte me nguti nga një banesë në tjetren, nga një shtëpi në tjetren. E vetmja lidhje e tij me botën e jashtme ishte telefoni satelitor, me të cilin i telefonte miqve të tij të paktë të mbetur.

Nepërmjet këtij telefoni, Gaddafi i përcolli deklaratat e tij të fundit kanalit televiziv sirian, Al Rai. Biseda që mund ti zhvillonte pa pengesë, për aq kohë sa numri i telefonit të tij do të mbetej i fshehtë.

Disa ditë para vdekjes së tij, shërbimi i fshehtë i Sirisë ja ktheu shpinën Gaddafit. Sirianët numrin e tij të telefonit ja përcollën kolegëve të tyre francezë. Franca që nga fillimi kishte mbështetur kursin e ashpër kundër Libisë dhe aeroplanët luftarakë të Francës ishin të parët, që bombarduan Libinë.

Kur Gaddafi i telefonoi mikut të tij, Jussuf Shakir dhe udhëheqësit militant palestinez, Ahmed Jibril, francezët zbuluan sinjalin, përcaktuan vendndodhjen e tij dhe ishin në gjendje të përcillnin lëvizjet e Gaddafit.

“Në shkëmbim, Assad kishte kërkuar nga francezët që të kursenin për një kohë regjimin e tij, që të ushtronin trysni më të vogël politike, gjë që edhe ndodhi”, deklaroi Rami Obeidi, ish-shefi i shërbimit të jashtëm të fshehtë të qeverisë kalimtare revolucionare të Libisë.

Në tetor të vitit 2011, Sirte ishte qendër e të gjitha shërbimeve të fshehta të shteteve, të cilat kishin marrë pjesë në intervenimin kundër Libisë. Në mesin e agjentëve ishte edhe një pjesëtar i shërbimit të fshehtë francez, i cili me njohuritë që kishte për lëvizjet e Gaddafit, përgatiti një kurth. Për këtë operacion ishin njoftuar edhe shërbimet e vendeve tjera.

Fundamenti

“Por operacioni u planifikua nga francezët. Shërbimi francez ka luajtur një rol të drejtpërdrejtë në vdekjen e Gaddafit, përfshirë këtu edhe vrasjen e tij”, tha Obeidi.

Mahmud Jibril, kryeministër i qeverisë së përkohshme dhe sot udhëheqës i njërës prej partive më të mëdha në Libi, konfirmoi se një agjent i huaj ka qenë i përfshirë në operacionin kundër Gaddafit.

Kurthi i përgatitur nga francezët në thelb ishte një ndërmarrje e thjeshtë, por vdekjeprurëse: Gaddafi duhej të binte në duart e kryengritësve. Mundësia për këtë u ofrua më 20 tetor të vitit 2011.

Diktatori u përpoq të arratisej nga Sirte në një konvoj të vogël. Një aeroplan i NATO-s bombardoi konvojin dhe pamundësoi arratinë.

Kryengritësit arritën në vendin e ngjarjes menjëherë pas sulmit dhe e gjetën Gaddafin në nnjë gyp nën rrugë. Ata e rrahën dhe e hodhën mbi një kamion. Gjatë rrugëtimit për në Misrata, Gaddafi u vra.

Sipas versionit zyrtar, NATO nuk ka pasur njohuri për këtë komplot. Një aeroplan vëzhgues kishte vërejtur rastësisht konvojin. Konvoji është sulmuar, pa ditur se kush ka qenë në të. Vështirë të besohet, ngase Sirte në vazhdimësi është vëzhguar nga ajri nga forcat e aleancës.

Përveç kësaj, kryengritësit qysh më herët ishin informuar se Gaddafi ishte në Sirte.

“Ne duhej të mbanim informatën të fshehtë. Ngase në të kundërtën, ai ndoshta do të ja kishte arritur që të arratisej nga qyteti. Ndoshta i veshur si femër, apo ndoshta do të kishte bërë vetëvrasje”, tha Anvar Savan, një kryengritës në Sirte.

Në qarqet diplomatike flitet se presidenti i atëhershëm i Francës, Nicolas Sarkozy, ka pasur shumë arsye që ta dëshirojë Gaddafin të vdekur.

Gaddafi ishte kërcënuar se do të publikonte informata për donacionet e tij, me të cilat Sarkozy kishte financuar fushatën e tij zgjedhore në vitin 2007.