KKVITI

Si e pashë Kosovën?

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Nga Baton Haxhiu – Hymë në Hanin e Elezit më 13 qershor. Kosova duket vend ku zërat e të vdekurve flisnin po aq zëshëm sikur ata të të gjallëve, ndoshta edhe më zëshëm. Të vdekurit nuk ishin askund dhe ishin gjithkund. Ishte e qartë se disa kurrë nuk do të gjendeshin, të tjerët ishin të shpërndarë nëpër varre të paemërtuara. Eshtrat e tyre ishin të grumbulluar në gërmadhat e atyre që dikur kishin qenë shtëpitë e tyre të bukura të fshatit. Aty kishin qenë momentet e tyre të fundit, të shënuara në kujtesë dhe në fytyra të atyre që mbijetuan ato që ndodhën në Kosovë.

Liria për disa ishte klithje, për disa ferr.

Çdokush ishte në marrëdhënie të ngushta me këta të vdekur. Gati çdo fshat, çdo mëhallë, çdo familje në një mënyrë ishte prekur nga sulmi i egër i vrasjeve, dimensioni i të cilave vetëm po bëhej plotësisht i qartë, kur paqeruajtësit e NATO-s shtriheshin në tërë Kosovën dhe shqiptarët e dëbuar po ktheheshin prapa.

Ajo që shqiptarët gjenin, kur ktheheshin në vendin e tyre, ishte një shtëpi gjigante e shkatërruar. Zyrtarët ushtarakë dhe humanitarë perëndimorë thoshin se deri në 10.000 njerëz mund të ishin vrarë në një fushatë të orkestruar të krimeve nga policia dhe nga trupat e paramilitarëve serbë.

Ndonjëherë njerëzit e vdekur i gjenin në pragjet e shtëpive të tyre. Pjesë të kufomave mbushnin bunarët familjarë, kufomat ende qëndronin aty ku ishin vrarë.

Në Krushë – ishte tmerr. Një fshatar i Krushës së Madhe mendon se sytë e tij gjithnjë do të drejtohen nga vendi i krimit.
“Është aq vështirë këto ditë… Vetëm të jesh këtu”, thoshte ai.
Dhe, njerëzit, ishin të vdekur po ashtu, në një mënyrë, edhe ata që ishin lënë të gjallë.

Kishte fëmijë që ishin sikur zombi të vegjël. Nuk ishin as të pikëlluar, ishin vetëm të zbrazët. Njerëz të moshuar të Krushës vetëm qanin.

Vashat e reja që ishin dhunuar, mendonin se kurrë nuk do të flasin për atë gjë, por jeta e tyre ishte shkatërruar. Dhe për meshkujt ishte ndjenjë e tmerrshme, sepse ata donin t’i mbronin familjet e tyre nga tërë kjo, dhe nuk ia dolën. Gati në çdo mur kishte grafitë në serbisht. “Umri!” Vdis.
Tashmë kishte ditë që bombardimet e caqeve serbe nga NATO kishin përfunduar. Por, nuk mund të thuhej se kishte përfunduar lufta. Madje, që nga dita kur në tokën e Kosovës, për herë të parë nga Lufta e Dytë Botërore, hynë ushtarët ndërkombëtarë, në rajonin e trazuar nga terrori dhe ankthi kishte filluar një ballafaqim tjetër, ndonëse jo me front të hapur. Në sipërfaqe ishte KFOR-i ende i pakompletuar. Në këtë mes, bashkësia ndërkombëtare dukej paksa e vetmuar me konceptin e saj të shoqërisë shumetnike, civile, tolerante.

Një pjesë jo e vogël e njerëzve në Kosovë, të cilët tashmë nga dhuna barbare kishin humbur më të dashurit dhe më të afërmit e tyre, thirrjet dhe lutjet për bashkëjetesë me fqinjët e tyre, në radhë të parë, i kuptonin si një reprizë nga e kaluara, kur bëheshin apele lapidare për vëllazërim-bashkim. Kuptohej, bashkësia ndërkombëtare mendonte ndryshe.
Por, si ta kuptonin këtë mesazh njerëzit e thjeshtë, të cilët kur ktheheshin nga ekzili i detyrueshëm, në vend të pronave të pasura, gjenin gropa të zeza? Ishte gati e natyrshme që ndjenja e hakmarrjes vlonte në gjoksin e çdokujt. Prandaj, aktet e aty-këtushme të hakmarrjes ndaj fqinjëve, këtë e tha edhe Presidenti i SHBA, pastaj e përsëriti edhe ministri i Jashtëm Gjerman, nuk ishin aspak befasuese.

Prandaj, ato ditë shtrohej pyetja, aq shumë e diskutueshme, se a kishte faj kolektiv dhe a ekziston faji kolektiv?
Të gjithë thoshin se në këtë rast, megjithatë, ekziston përgjegjësia kolektive.

Serbia kishte shumë mëkate në shpirt lidhur me ngjarjet e gjithëmbarshme të luftës në territorin e ish-Jugosllavisë, e ata tash kishin filluar të shpërlaheshin dhe të gjithë fajin po ia hidhnin Sllobodan Millosheviqit. Ai, natyrisht, kishte faj shumë, por i tillë është rrëfimi për kurbanin. Nuk duhej dyshuar që Millosheviq tashmë bëhej kurban, nuk duhet dyshuar as që ishte fajtor, por nuk duhet dyshuar se ishin fajtorë edhe Kisha Serbe, edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, edhe intelektualët.

Ky tregim për pastrimin e mëkateve dhe kurbanin, dukej i shëmtuar.

ARKATANA

Sllobodan Millosheviq nuk ia futi flakën secilës prej shtëpive në Kosovë. Individët serbë, po. Ata e bënë këtë me vullnet dhe shpesh me kënaqësi vrasëse, sipas dëshmive të të mbijetuarve, të cilat tani mblidheshin nga gazetarët, hulumtuesit e krimeve të luftës dhe paqeruajtësit e NATO-s.
Ishte e qartë se fushata e terrorit serb nuk kishte filluar më 24 mars 1999, ditën kur NATO marshoi për ta bombarduar Serbinë, e as më 28 shkurt 1998 – kur u kryen masakrat serbe në Drenicë, madje as më 1989 – ishte një periudhë e urrejtjes, një kohë e kultivimit të racizmit, e stimulimit të idesë së rreme se serbët na qenkan racë sipërore ndaj shqiptarëve.

Natyrisht, përballë kësaj stuhie terrori fizik dhe psikik pothuaj njëshekullor edhe shqiptarët kishin konservuar në vetvete një urrejtje të madhe ndaj serbëve. Por, kjo ishte urrejtja e të nënshtruarit, ishte përbuzja e viktimës ndaj bartësit të arbitraritetit, që ishte shteti serb.

Këtu qëndron dallimi mbase qenësor mes urrejtjes serbe ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas.

Urrejtja e viktimës ndaj pushtuesit kurrë nuk është e njëjtë me urrejtjen e pushtuesit ndaj viktimës.

Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët tashti me numër të madh vendoseshin në Kosovë, kishin filluar procesin e rëndë të paqësimit. Dukej e qartë se, pas gjithë asaj që kishte ndodhur, nuk mund të kalohet në normalitetin e përditshëm, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Bashkëjetesa shihej se ishte një iluzion i bukur.

Kështu dukej Kosova e pasluftës.

Kosova ishte kështu karshi serbëve dhe Serbisë. Por, Kosova vetë kishte filluar të ndahej në feude të meritokracisë së luftës. Në Kosovë kishin ngjarë gjëra të tmerrshme, të mynxyrshme. Është vështirë të paramendohet që njerëzit, të cilët kishin duruar të gjitha ato, të pranonin të jetonin në kuadër të shtetit të Serbisë.

Për 120 vjet, serbët kishin pasur rast të jetonin dhe bashkëjetonin me shqiptarët. Por, ata për gjatë gjithë atyre viteve – kishin bërë qindra masakra dhe dëbime.
Dhe, shqiptarët nuk mund ta shlyejnë memorien çdo 20 vjet.

Krimi duhet ndëshkuar dhe shqiptarët e serbët duhet të jetojnë si fqinjë.

Serbia nuk ka më kurrfarë të drejtë të sundimit mbi Kosovën.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)