ARKATANA

Si e mashtron Komuna e Gjilanit sportin gjilanas!

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Nga Hamid Azemi – Qyteti i Gjilanit njihet me një traditë të lashtë të sferën e sportit. Duke filluar që nga futbolli, volejbolli, hendbolli dhe sportet tjera. Janë evidente sukseset e klubeve nga Gjilani në periudhën e para luftës që disa nga to garonin edhe në ligat më të forta të atëhershme federative dhe gjithashtu edhe nga sportet individuale që u dallonin në atë kohën e paraluftës. Pa dashur të kujtojmë apo të përmendim emra të klubeve të suksesshme apo sportistëve të dalluar të kohës së paraluftës, rezultatet pozitive janë regjistruar.

Viteve të fundit sporti në Komunën e Gjilanit ka ngecur me të madhe, në periudhën e pas luftës nga viti 1999-2002 nuk ka fituar asnjë trofe të çmueshëm në sportet kolektive, përveç në ato individuale. Mirëpo, edhe ata sportistë që përfaqësojnë Gjilanin nuk kanë trajtimin e duhur nga komuna. Aktiviteti i vetëm që mbahet për ti nderuar sportistët është ai në fund vit ku zgjedhën sportistët e dalluar apo më mirë të themi të preferuar të komunës e që nderohen me nga një mirënjohje. Edhe ky manifestim realizohet së bashku me artistë dhe rininë e Gjilanit e që për tri kategoritë është shumë e stërngarkuar dhe të pakënaqur nëse trajtohen bashkërisht siç edhe ka ndodhur deri më tani.

Infrastruktura sportive dhe investimet e dështuara nga Komuna e Gjilanit

Nëse flasim për infrastrukturën e sportit në Komunën e Gjilanit kemi shumë vërejtje, duke filluar nga sporti më i popullarizuar që është futbolli dhe më pas sportet që zhvillohen në palestrën sportive. Dy ekipet të cilat me vite kanë zhvilluar derbin tani më të njohur edhe jashtë Kosovës më nuk ekziston, sepse siç dihet njëra nga ekipet ka rënë në një rang më të ulët pikërisht nga kriza financiare dhe mos ndihma nga komuna. Komuna e Gjilanit me rreth 90 mije banorë ka vetëm një stadium i cili është i stërngarkuar, ku ka tri ekipe të futbollit të meshkujve dhe një në konkurrencën e femrave.

Gjithashtu, dy ekipet kryesore Drita dhe Gjilani kanë të gjitha kategoritë e të rinjve duke filluar nga pionierët, kadetët dhe juniorët të cilët detyrohen të stërvitin jashtë stadiumit të qytetit nëpër fusha të cilat nuk i plotësojnë as kushtet elementare dhe për këtë arsye shumë të rinjve ju bije edhe motivi që të merren me këtë sport duke mos pasur mundësi të zhvillojnë ushtrimet në stadiumin e qytetit apo në stadiumin ndihmës të qytetit i cili nuk ekziston fare. Komuna përveç një investimi në fushën e gjelbër nuk ka realizuar ndonjë investim kapital ku do ta kthente stadiumin ndihmës të qytetit.

Nëse flasim për sportet kolektive të cilat zhvillohen në palestër, përkundër investimeve që janë realizuar nuk i plotëson as kushtet elementare për zhvillimin e ndeshjeve vendore, mos të flasim për ndeshjet ndërkombëtare. Në dy vitet e fundit investimet në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta-Petriti” arrijnë në qindra mijëra euro.

Mirëpo, investimet janë realizuar sa për të përfituar nga tenderët. Është investuar në kulmin e palestrës, ndërsa palestra prapë pikon sa të bije një rigë shiu, e mos të flasim gjatë ditëve të dimrit. Është investuar në ngrohjen qendrore të palestrës, mirëpo ngrohja nuk funksionon, për shkak të kostos së lartë të derivateve, dhe për shkak se sipas zyrtarëve të komunës nevojitet sasi shumë e madhe e derivateve për ta aktivizuar dhe komuna nuk ka mjete financiare që t`i mbuloj gjitha këto shpenzime. Por, pse atëherë u investuan me qindra mijëra euro në një teknologji të vjetër e cila shpenzon shumë dhe e rrit koston e shpenzimeve të ngrohjes. Me mjetet e investuara ka mundur të ndryshohet i tërë sistemi i ngrohjes dhe mos të investohen qindra mijëra euro në vend të gabueshëm.

Nëse flasim për infrastrukturën përcjellëse të palestrës, janë rinovuar të gjitha banjot dhe zhveshtoret, por nga gjitha ato banjo, përveç njërës nuk janë funksionale. Ende pa i përdorur janë prishur nga keq-menaxhimi prej zyrtarëve të palestrës, edhe ky investim ka shkuar në kurriz të taksapaguesve të qytetarëve dhe në dëm të sportistëve, pasi që edhe përkundër investimeve sportistët nuk kanë kushte të pastrohen pas stërvitjeve apo pas ndeshjeve sportive.

ARKATANA

Nëse e shohim infrastrukturën sportive ndihmëse jashtë palestrës, nuk është investuar fare. Edhe pse ka një sipërfaqe të madhe me disa terrene sportive të hapura, zyrtarët komunal nuk janë përkujdesur të investojnë dhe të krijojnë kushte argëtuese për sportistë dhe rinin e Gjilanit.

Gjendja financiare e klubeve dhe mashtrimet nga komuna

Çdo vit Drejtoria për Rini, Kulturë e Sport kërkon nga gjitha klubet e qytetit të Gjilanit, planin e shpenzimeve minimale për të gjitha klubet. Në ato shpenzime hyjnë kuotizimi, shpenzimet për gjyqtar, transporti, pajisjet sportive, shujtat e ushqimit për lojtarë, me një fjalë kushtet elementare të ekzistencës në ligat e tyre ku garojnë.

Në vitin 2012 kërkesa e klubeve ka arritur rreth 80 mijë euro nga të gjitha klubet që marrin pjesë në gara zyrtare. Komuna e Gjilanit momentalisht ka rreth 20 klube sportive në kuadër të Komunës. Shpenzimet e planifikuara për vitin 2013 në kuadër të Departamentit për Rini, Kulturë e Sport sipas dokumentit “Plani i ndarjeve buxhetore te shpenzimeve totale te komunës për vitin 2013” ka qenë në total 456,160 euro. Prej të cilave 191,360 euro nga Grantet Qeveritare dhe 264,800 euro nga të hyrat vetanake. Nëse i ndajmë sipas zërave për paga dhe mëditje janë planifikuar 133,360 euro, mallra dhe shërbime 85,000 euro, shpenzime komunale 17,800 dhe subvencione dhe transfere 220,000.

Sa i përket investimeve kapitale nga Zyra e Kryetarit janë planifikuar 100,000 euro për “Halla dhe terrene Sportive“ (Tabela 4.2 Financimi i Investimeve Kapitale Komunale 2013-2015).

Nga i tërë ky buxhet ne jemi të vetëdijshëm që nuk është i paraparë vetëm për sportin, mirëpo edhe për rininë dhe kulturën. Mirëpo, komuna çdo vit i mashtron klubet duke kërkuar planifikimin e shpenzimeve minimale. Por duke ju dhënë vetëm nga 500 euro për një vit dhe duke bërë kategorizimin e disa klubeve, duke ju paguar disave kuotizimit e disave vetëm nga një shumë simbolike sa për ti hequr qafe.

Gjithashtu, kryetari i komunës edhe përkundër premtimeve të dhëna disa klubeve për ti siguruar sponsor të qëndrueshëm klubeve që kanë traditë, ka dështuar në këtë drejtim. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të krizës financiare të bizneseve që ju ka shkaktuar Komuna e Gjilanit.

Vlen të përmendët që e vetmja gjë që është bërë në të mirë të sportit është transporti që komuna e mbulon për të gjitha klubet e Gjilanit.