ARKATANA

Si bëhen miliardat ?

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ibrahim Rexhepi – Norma e rritjes së të hyrave në buxhetin e vitit 2017 nuk dallon shumë nga vitet e mëhershme, ndërkaq rritja më e madhe pritet të ndodhë te shpenzimet. Ato do të mbulohen vetëm duke rritur borxhin publik, meqenëse nuk ka siguri të madhe te të hyrat tjera jo tatimore.

Buxhetet për një vit të tërë kryesisht janë parashikime, por që duhet të mbështeten në parametra real, meqenëse ata duhet të përmbushen. Nëse ndodhë ndonjë dështim, pasojat mund të jenë të mëdha, e që ndërlidhen me funksionimin e shtetit.

Tani një muaj po bëhet një zhurmë e madhe rreth buxhetit për vitin 2017, e cila kryesisht ka për bazë faktin se ai do të arrij në dy miliardë euro ! Shifër e madhe, për ata që e promovojnë. Madje, sipas tyre, ky është moment historik, meqenëse Kosova për herë të parë do ta ketë një buxhet kaq të madh.

Por, në esencë, gati se gjithçka është normale në këtë punë, pos dy – tri momenteve, të cilat mund të duken ndryshe në krahasim me vitet e mëhershme.

Të shkojëm me radhë. Shifrat nuk duhet të trajtohen si e arritura më e madhe e buxhetit, meqenëse ato, parimisht, duhet të burojnë nga zhvillimet ekonomike në vend. Ta zëmë- shpenzimet kalkulohet të arrijnë në dy miliardë euro dhe ato marrin 30 për qind të GDP-së. Ose, sipas këtij projeksioni, prodhimi i përgjithshëm duhet të arrij në 6 miliardë euro. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës vjet BPV-ja në vend ka qenë pak më shumë se 5,7 miliardë euro, që do të thotë se me një rritje rreth 4 për qind ai arrin në gjashtë miliardë euro. Madje, ky parashikim përputhet edhe më Bankën Botërore. Mirëpo, ndryshimi nga vitet e mëhershme qëndron në faktin se rritja e shpenzimeve është shumë më e madhe – 15.5 për qind krahasuar me projeksionin e sivjetmë, në vitin 2016 pritet rritje 3 për qind, ndërsa në vitin 2015 ishte planifikuar rritja 6 për qind.

Por, si do të mbulohen këto shpenzime, kur rritja e të hyrave nuk do të ketë ndonjë ritëm të përshpejtuar. Ndonëse duhet pritur gati edhe një javë që buxheti të kaloj në qeveri, megjithatë, sipas deklaratave kuptohet se të hyrat do të jenë pak më të shumë se 1.7 miliardë euro, ose vetëm 5.5 për qind më të larta se projeksioni i vitit 2016. Ndërkaq, sivjet, po qe se realizohen parashikimet të hyrat do të jenë katër për qind më të larta, ndërsa në vitin në vitin 2015 ishin rritur tetë për qind. Nëse kemi parasysh këto shifra, atëherë del qartë se bilanci primar do të përkeqësohet, meqenëse pritet që të jetë në deficit për 275 milionë euro, përderisa sivjet ai është i projektuar në 97 milionë euro, ndërsa vjet ishte 107 milionë euro.

ARKATANA

Në mot nuk parashihet rritje e normave tatimore, pos akcizës për cigare. Kjo ka shtyrë hartuesit e buxhetit nga Ministria e Financave që të gjejnë mbulesë për deficitin. Sërish bazuar në deklaratat publike, kjo mbulesë duket se kryesisht do të orientohet në rritjen borxhit publik. Pritet që të emetohen letra me vlerë prej 100 milionë euro, ndërsa minuesi i mbetur mund të zvogëlohet edhe me paratë që Agjencisë së Privatizimit i mbeten pas likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat duhet të derdhen në buxhet. Qeveria e Kosovës do të përdorë edhe instrumentet e tjera, ashtu që të ruaj deficitin në dy për qind të BPV-së. Mirëpo, një matematikë e thjeshtë tregon një shifër tjetër: Nëse shpenzimet në BPV marrin pjesë 30 për qind, ndërsa të hyrat 27 për qind, atëherë deficiti do të jetë 3 për qind, apo më i lartë se ai i harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Sido që të jetë, pritet që buxheti të jetë mjaft ambicioz dhe me disa ndryshime cilësore. Për shembull, pritet që shpenzimet kapitale të jenë 50 për qind më të larta, apo rreth 750 milionë euro, ndërkaq, rritja e shpenzimeve për linjat sociale do të jetë simbolike. Mirëpo, krejt kjo matematikë bëhet pa pasur një përgjigje përfundimtare për pensionet e kategorive të dala nga lufta. Sa i përket shpenzimeve kapitale më e mira do të ishte sikurse të reduktohet investimi i tyre në asfalt dhe të orientohet në veprimtari të tjera, të cilat do të kenë ndikim në rritjen e qëndrueshme ekonomike, si edhe në përmirësimin e ambientit për biznes. Por, vështirë se mund të ndodhë kështu, meqenëse do të vazhdoj ndërtimi i autostradë për në Han të Elezit, mund të nisin përgatitjet për autostradën e re, atëherë për Gjilan drejt Dheut të Bardhë, pastaj duhet vazhduar rrugët magjistrale për Pejë e Mitrovicë, si edhe ndonjë investim tjetër në rrugë të karakterit lokal, me qëllim të përmbushjes së ndonjë premtimi elektoral.

Edhe të hyrat ka rrezik që të mos realizohen ashtu si projektohen, meqenëse ato kryesisht janë të bazuara në rritjen ekonomike dhe luftimin e informalitetit. Ndërkaq, burimi kryesor i të hyrave mbetet kufiri, përkatësisht ngarkesat fiskale që u bëhen mallrave të importuara. Mirëpo, çka do të ndodhë nëse bijnë çmimet nga importi, apo bie vëllimi i përgjithshëm i mallrave që vijnë nga tregjet e jashtme ? Pa dyshim se rrezikohen të hyrat, rritet deficiti, apo duhet shkruar shpenzimet, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit buxhetor.

Është edhe një kategori tjetër e të hyrave, të cilat nuk janë edhe pa ndikim. Bëhet fjalë për të hyrat jo tatimore, të cilat zakonisht sjellin rreth 15 për qind të të hyrave të përgjithshme. Pa dyshim se në tabelat buxhetore do të paraqiten shifrat konkrete se sa do të jenë të hyrat nga dividendi dhe nga taksat koncesionare. Mirëpo, këto sërish do të dalin disa parregullsi, meqenëse, po e zëmë, PTK-ja nuk mund të ngarkohet paraprakisht em shumën e parave që duhet t’i paguaj në buxhet, ndërsa taksa koncesionare e ANP-së varet krejt nga qarkullimi që do të bëhet në këtë port ajror. Prandaj, këtu shifrat shënohen për të krijuar barazim ndërmjet zërave të ndryshëm buxhetore, se sa që reflektojnë mundësinë reale që kanë obliguesit.

Marrë në përgjithësi, sipas normave të rritjes buxheti për vitin e ardhshëm nuk duket të jetë diçka i veçåntë nga vitet e mëhershme, posaçërisht kur kemi parasysh të hyrat. Ndërkaq, rritja e shpenzimeve kryesisht do të bëhet duke rritur deficitin primar, i cili do të tentohet të mbulohet me borxh publik. Prandaj, buxheti i këtillë më shumë është i kalkuluar që të duket i madh, se sa që reflekton rritjen ekonomike dhe ndryshime cilësore sa i përket burimit të të hyrave.