FIDANISHTJA

“Shuttle” Diplomacia që po Zëvendësohet me “Twitter” Diplomacinë

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Faton Bislimi – Historia moderne e Evropës është përshkruar nga shumë tragjedi, që nga Holokausti e deri tek Srebrenica e më në fund edhe spastrimi etnik dhe aktet gjenocidiale të luftës së Kosovës. Nëse shekulli i 20-të mori me vete këtë histori të përgjakshme të kontinentit tone, ai po ashtu shënoi edhe suksesin më të madh të diplomacisë ndërkombëtare, veçanërisht të asaj që mandej u njohtë edhe në literaturën e shkencave politike si “shuttle diplomacy” apo diplomacia e vajtje-ardhjeve.

Ishte pikërisht tanimë i ndjeri Ambasadori Richard Hollbrooke i cili në përpjekjet e tij sublime për të arritur paqen në Kosovë kishte ndërmjetësuar pa rezervë ndërmjet palëve në konflikt. Realisht, ai kishte qene negociatori kryesor amerikan dhe ndërkombëtar që po punonte për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, dhe e gjithë diplomacia botërore i kishte sytë tek ai. Ambasadori Hollbrooke në mes Prishtinës dhe Beogradit, e mandej edhe Brukselit e Washingtonit, ishte gjithherë në lëvizje.

Diskutimet e tij në Prishtinë e në Beograd ishin të drejtpërdrejta me liderët e kohës, ishin shumë të thukta dhe gjithherë me mesazhe direkte nga Washingtoni. Përpjekjet e tij nuk shkuan huq, ani pse diplomacia në fund u dashtë të përforcohej me sulmet ajrore të NATO-s kundrejt regjimit gjenocidial të Millosheviqit. Ky intervenim i NATO-s që përfundimisht solli çlirimin e Kosovës erdhi si rezultat i shterjes së shuttle diplomacisë, bashkëpunimit të sinqertë dhe të mirëkuptuar nga Presidenti Rugova dhe Kosova në përgjithësi, si dhe kryeneçësinë diktatoriale të Serbisë.

Sot, mbi dy dekada pas çlirimit të vendit dhe mbi një dekade pas pavarësisë së Kosovës, ne gjendemi në një pike interesante të zhvillimeve politike. Dialogu me Serbinë që kishte filluar si dialog teknik tanimë është kthyer në një dialog që po përcakton shumë çështje politike jo vetëm në marrëdhëniet në mes Prishtinës e Beogradit,por edhe brenda vet organizimit shtetëror të Kosovës.

Por ajo që po definon këtë faze të re negociatash në mes Serbisë e Kosovës nuk është më shuttle diplomacia e Richard Hollbrooke por Twitter diplomacia e Richard Grenell. Nga një Richard në Richard-in tjetër, mënyra e negociimit dhe, më specifikisht, mënyra e ndërmjetësimit amerikan në çështjen Kosove-Serbi është ndryshuar fundamentalisht.

FIDANISHTJA

Twitter diplomacia, nëse vazhdon me trendin që ka filluar, do të njihet në analet e historisë dhe veçanërisht të shkencave politike si mënyrë e re e të bërit diplomaci dhe e angazhimit në marrëdhënie ndërkombëtare që fillimisht ka marrë hov nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Por, që Trump ka bërë politike përmes Twitter, kjo është vënë re qysh në ditët e para të mandatit të tij, por që kjo formë e të bërit politike edhe në arenën ndërkombëtare, pra kjo formë e diplomacisë – Twitter diplomacia – do të mund të hyjë në terminologjinë e literaturës politike vetëm tash që i dërguari i posaçëm i Trump për Ballkanin, Ambasadori Richard Grenell, mesazhet e tij politike dhe porositë diplomatike të Shtëpisë së Bardhë po i përcjelle përmes Twitter.

Normalisht, ky lloj veprimi, në të cilin kanë rënë lehtazi edhe lideri opozitar Kadri Veseli, e para tij, Presidenti i vendit, Hashim Thaci, është mënyrë e pa sprovuar e të bërit diplomaci. Realisht, njohësit e politikës amerikane dhe marrëdhënieve ndërkombëtare e shohin komunikimin diplomatik dhe atë të rëndësisë së veçantë politike përmes Twitter si papërgjegjësi dhe si mënyrë joadekuate të të punuarit për të pasur sukses afatgjatë.

Twitter diplomacia që po bëhet sot është skajshmërisht e rrezikshme sepse fut në debat opinionin publik, dhe mesazhet e cunguara ne një fjali janë jo më shumë sesa dromca të një argumenti që realisht mund të jetë me vend, por që i njëjti mund të keqkuptohet gjithsesi. Por, njerëz me fuqi të madhe politike si Presidenti Trump e po ashtu edhe sikur ambasadori favorit i tij Grenell, mund të bëjnë Twitter diplomaci sepse në fund të ditës ata janë udhëheqës të shumë proceseve politike dhe ekonomike botërore, por Twitter diplomacia e Kosovës është formulë e destinuar për dështim.

Kosova ka pas fat të mirë me Richard Hollbrooke, andaj këtë fat duhet ta kërkojë edhe me Richard Grenell – në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes sinqeritetit, dhe korrektësisë – por jo assesi përmes Twitter diplomacisë. Jemi tepër të vogël për të qenë vetmas të suksesshëm në vallën e valëve të mëdha të oqeanit politik ndërkombëtar.

Faton Bislimi është anëtar i Komitetit Këshillues Strategjik për Diplomacinë Qytetare pranë German Marshall Fund të SHBA-ve në Washington, DC, si dhe anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në New York./rajonipress/