Shumë fakte e dëshmi mbi vrasjet në Viti, asnjë serb i arrestuar

Gjilan – Nga të dhënat e ofruara nga tereni në Komunën e Vitisë rezulton se janë vrarë nga periudha prill 1999, qershor 1999 gjithsejtë 29 persona. Ushtria serbe ku merrnin pjesë edhe ushtar rus, rumunë, romë dhe grupe paramilitare kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm në vende të ndryshme dhe fshatra të Vitisë.

Edhe në Komunën e Vitisë forcat ushtarake serbe të ndihmuara edhe nga policia dhe grupet paramilitare kishin vrarë civil të pafajshëm duke i djegur edhe kufomat e tyre, shtëpitë, dhe plaçkitur. Komuna e Vitisë dhe sidomos familjet e viktimave kanë bërë përgjegjës për krimet, vrasjet, rrahjet, dhunimet, plaçkitjet dhe djegiet e shtëpive ish kryetarin e Komunës Vesko Periqin. Ky serb i dyshuar gjatë nisjes së aksioneve u thoshte paramilitarëve :”Çdo grua shqiptare patjetër, duhet që brenda një viti ta lind nga një serb”.

Nga të dhënat e ofruara nga tereni në Komunën e Vitisë rezulton se janë vrarë nga periudha prill 1999- qershor 1999 gjithsejtë 29 persona. Ushtria serbe ku merrnin pjesë edhe ushtar rus, rumunë, romë dhe grupe paramilitare kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm në vende të ndryshme dhe fshatra të Vitisë raporton rajonipress.

Sipas “Dosjes së Vitisë” vrasje janë bërë në fshatrat, Lubishtë, Gjylekar, Sllatinë, Verban, Sadovinë, Trestenik, Kabash, Devajë, Debëllde, Drobesh, Novosellë, Radivojc, Shushk, Smirë, etj. Në të gjitha vrasjet forcat serbe kanë përdorur metodat më çnjerëzore, deri tek dhunimi i grave dhe vajzave të reja.

Dëshmitarët e kësaj masakre, por edhe Komisioni për hulumtimin e krimeve të luftës në Viti i përbërë nga Sherif Sherifi, Alush Sinani, Hysen Imeri dhe Agim Sylejmani kanë identifikuar si të dyshuar serbët Goran Vasiq nga Tërpeza komandant i stacionit policor në Viti, Sveta Marinkoviq nga Kllokoti, Sreçko nga Zhegra, Lubisha Bosiq nga Mogilla. Nenadi nga Tërpeza, Dragani automekanik nga Parteshi i Gjilanit si dhe Rambo nga Gjilani.

Sipas dëshmitarëve dhe sipas informacioneve që janë mbledhur nga tereni grupi i paramilitarëve serb i cili kontrollohej nga ushtria serbe zullumin e kishte nisur fillimisht në fshatin Radivojc ku serbët e njohur me nofkat “Trajku”, “Truba”, “Sveta”, “Novica”, “Dragoljubi”, “Vitku”, kishin djegur e plaçkitur 51 shtëpi.

Në këtë aksion të tyre vritet edhe mësuesi Nazmi Salih Pajaziti (1945) në Radivojc të cilin e vrasin në shtëpinë (oborrin) e Zija Pajazitit. Dëshmitarja e rastit Selvete Pajaziti thotë se Nazmiu është vrarë nga forcat paramilitare serbe në prag të shtëpisë ndërsa vrasja ka ndodhur në prezencën e prindërve.

I njëjti grup i serbëve vazhdojnë dhunën edhe në fshatin Gjylekar (Skifteraj). Në këtë fshat vriten gjashtë persona më 15 prill 1999. Të vrarët janë , Sahide Ramadan Ramadani (1940) në Lubishtë të Vitisë, Hatixhe Ali Mustafa (1942) e lindur në Cërrnicë, Shkurte Xhavit Sadiku (1990), Gjylekar- nxënëse, Malsore Xhavit Sadiku (1995) në Gjylekar –fëmijë, Selami Ismajli (1976), në Gjylekar, Mehmet Ismajli (1980) në Gjylekar.

Sipas dëshmive Selami Ismajli dhe Mehmet Ismajli janë gjetur të djegur në odën e Danush Sadikut ku së bashku me viktimat e tjera janë varrosur në afërsi të fshatit Stubëll të Ulët. Në këtë masakër janë plagosur edhe Drenushë Xhavit Sadiku , Senihate e Ramize Ramadani si dhe Faton Ramadani i moshës 4 vjeçare.

Xhavit Sadiku profesor i gjuhës shqipe të cilit në masakrën e Gjylekarit nga forcat serbe i janë vrarë dy vajzat Malësorja dhe Shkurtja thotë se janë detyruar që fëmijët e vrarë t`i lënë të shtrirë për të shkuar e për t`i marrë natën. “Nuk e di kush i vrau fëmijët e mi, por e di që ka pasur mijëra ushtar serb atë ditë në fshat” shprehet Xhaviti.

Më 5 janar 1999 nga dora e zezë pushkatohet në Tërpezë të Vitisë Faruk Hazir Murseli i (1978) si dhe janë plagosur rëndë Sedat Selimi (1979) dhe Ferdin Murseli (1976)
Në Fshatin e Ri pasi paramilitarët e kishin dëbuar me dhunë popullatën më 5 prill 1999 pushkatohet Rrustem Ilaz Zeqiri (1920). Për këtë vrasje dëshmitarët përgjegjës e kanë bërë mësuesin Stanimir Stojadinoviq, Stanimir Stefanoviç.

Në fshatin Tërrstenik forcat serbe më 6 prill 1999 kanë vrarë, plaçkitur e djegur shumë shtëpi. Të pushkatuarit janë : Ruzhdi Nezir Nuredini (1936), Nazife Hamit Hajdari (1946), Sabri Salihu.

Në këtë aksion janë plagosur edhe Qamil Ahmeti(1971) , pjesëtar i UÇK-së dhe Ismajl Ibrahimi(1970) pjesëtar i UÇK-së. Në këtë fshat janë djegur 10 shtëpi. Dëshmitarët e gjallë në këtë vrasje edhe pse të maskuar kanë arritur ta identifikojnë Vule Millosheviqin, Radovanin inspektor në SPB e Ferizajit, Lubisha nga fshati Varosh si dhe inkasantët e rrymës Zharko Gjorgjeviq.

Sipas dëshmitarëve Nuredin Nuredini dhe Isuf Ibrahimi, Ruzhdi Nuredini është vrarë më 6 prill 1999 në ora 9 e 30 minuta në oborrin e shtëpisë së tij nga forcat serbe.

Në fshatin Smirë sipas dëshmitarit Nexhmedin Hetemi ka pasur të vrarë, të plagosur dhe të zhdukur. Ky fshat kishte rezistuar mjaft. Nga forcat serbe kanë gjetur vdekjen këta persona: Ilvi Demiri, pjesëtar i UÇK-së, Mirali Ymeri , pjesëtar i UÇK-së, Skënder Salihu, pjesëtar i UÇK-së, Hebib Ymeri, pjesëtar i UÇK-së, Ramadan Kadri Berati i lindur (1954), Zylfi Sadri Agushi (1953).

Më 12 prill 1999 në vendin e quajtur “Përroi i Kabashit” janë vrarë Daut Zenuni nga Kabashi dhe Zylfi Agushi nga Smira e Vitisë. Sipas dëshmitarëve ata janë vrarë nga forcat serbe . Gani Agushi vëllai i Zylfiut dhe Xhemajl Zenuni vëllai i Dautit thonë se trupat e tyre janë djegur në një furrë në Komunën e Gjilanit.

Në fshatin Smirë është plagosur Nezir Sadiku, ndërsa janë djegur dy shtëpi. Sipas dëshmitarëve në aksionin e vrasjes kanë marrë pjesë serbët e dyshuar si: Zharko Jokiq nga Gushica, Nenadi nga Kllokoti, Zhika Milkiq nga Binqa, Kiro Stefanoviq nga Gërmova , Peda, dhe Gërnqari. Në fshatin Lubishtë të Vitisë ka pasur të vrarë e të plagosur. Të ekzekutuar janë : Xhemajl Ademi , Sali Salihu, Gani Nura, Kemajl Azizi
Ramadan Riza Hajdari (1931), Hajriz Brahim Hajrizi (1947), Hajdin Veliu, Imri Idrizi
Sylbije Arif Metushi (1907), Imer Shabiu. Muhamet Muharremi i masakruar pastaj i pushkatuar, Mustafë Shema, Riza Nura i moshës 70 vjeçare është gjetur i djegur.

Banorët e Lubishtës kanë identifikuar serbët e dyshuar Dragan Nikoliq me profesion stomatolog nga Gërçari i Vitisë, Zoran Angjelkoviq, Zhika Mikiqi dhe Zvonko Bociqi nga Mogilla . Hajriz Brahim Hajrizi sipas dëshmitarëve është vrarë më 16 prill 1999 derisa forcat serbe po i depërtonin për në Maqedoni.

Dëshmitari Ibish Hajrizi thotë se Hajrizi është ndarë nga kolona dhe është zhdukur pa gjurmë. Dëshmitarët vetëm kanë dëgjuar krismat e armëve të ushtrisë serbe, ndërsa kufoma e të ndjerit është gjetur nga familjarët pas tre muajve.

Sipas dëshmitarit Avni Hajdari, Ramadan Riza Hajdari është vrarë më 7 qershor 1999 derisa ai ishte kthyer nga Maqedonia për të shikuar shtëpinë e tij. Në Debëllde has në forcat serbe ku edhe vritet dhe varroset në fshatin Gërlicë. Dëshmitari Avni Hajdari ka thënë se forcat serbe janë munduar që t`i humbin gjurmët e krimit.

Edhe, Ahmet Jahi Rama (1972) është vrarë më 7 qershor 1999 duke e kaluar kufirin Kosovë-Maqedoni tek vendi i quajtur “Kopilaq”. Në këtë fshat janë djegur 26 shtëpi.
Edhe fshati Pozharan ka përjetuar zhvendosjen e popullatës ndërsa është pushkatuar nga forcat serbe Shefqet Ramiqi inxhinier i diplomuar në Kabash. Nga ky fshat është vrarë edhe Mejdi Korrani në Koshare ushtar i UÇK-së në brigadën 139.

Në fshatin Devajë të Vitisë më 8 maj 1999 është vrarë Ramiz Kadri Bajrami (1945). Sipas dëshmitares Zymrije Bajrami, Ramizi është rrahur keq nga policët serb . Nga rrahjet e shumta Ramizi ka vdekur .

Edhe në fshatin Sadovinë e Jerlive janë vrarë Gursel Sylejmani, pjesëtar i UÇK-së, Bajram Sylejmani , pjesëtar i UÇK-së dhe Bekim Sali Miftari i lindur më 30.04.1973.
Edhe në lagjen e Shushve janë pushkatuar më 5 prill 1999 : Isuf Aziz Hyseni (1936).
Jakup Aziz Hyseni (1943). Për këto vrasje ka dëshmuar Mirvete Hyseni.

Në fshatin Sodovinë e Jerlive më 4 nëntor 1999 është vrarë Bekim Miftari (1973). Sipas dëshmitarit Zymer Miftari, Bekim Miftari dhe Qerim Rrahmani janë vrarë me armë duke shtënë mbi ta dy karikatorë plumba. Ata janë vrarë në rrugën Viti-Gërlicë.

Në fshatin Kabash forcat serbe kanë djegur 15 shtëpi si dhe kanë vrarë një qytetar dhe ka plagosur një tjetër. Daut Rexhepi (1942) nga ky fshat është ekzekutuar, kurse është plagosur Osman Osmani ( 1944). Sipas dëshmitarëve Ali Ibishi dhe Nikollë Doda , në fshatin Kabash janë torturuar dhe rrahur keq mbi 45 shqiptarë.
Në fshatin Debëllde ka pasur vetëm të plagosur, janë djegur 12 shtëpi si dhe janë plaçkitur e tërë pasuria e 400 shtëpive. Të plagosur më 6 dhe 30 maj 1999 janë , Ismet Ilazi (1968), Zijadin Rrahmani (1973).

Edhe në fshatin Sllatinë është vrarë Saqip Hysen Hoxha (1932). Nga ky fshat janë vrarë në Koshare Nijazi Rexhepi pjesëtar i UÇK-së brigada 138 dhe Fahredin Demelezi ushtar i UÇK-së.

Në fshatin Vërban të Vitisë pikërisht më 9 maj 1999 paramilitarët serb vranë para shtëpisë së tij Rexhep Halim Emërllahun (1972) . Për këtë vrasje banorët e Verbanit publikisht patën iniciuar kallëzimin penal kundër Millosh Jokiqit nga Gushica e Vitisë dhe romit Agim Ajeti. Millosh Jokiq i udhëhequr nga paramilitarët e tjerë është përgjegjës edhe për vrasjen e Ramadan Kadri Beratit nga Smira e Vitisë (1954)./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).