Shtyhet sërish privatizimi i PTK-së

Shtyrja e procesit të privatizimit të PTK’së duket se do të përsëritet. Qeveria pati paraparë që në fund të korrikut që shkoi, të përzgjedh kompanitë e parakualifikuara për blerjen e kësaj kompanie.
Atë s’e bëri. Dhe tash, Ministria e Ekonomisë, në fund të procesit të privatizimit, ka shpallë tender për kompani konsulente rreth privatizimit të PTK’së.
Këshilltarëve që i zgjodhi me tender Ministria e Zhvillimit Ekonomik, për ta përgatitur Postën dhe Telekomin e Kosovës për privatizim, u skadon kontrata në fund të muajit. Pikërisht në kohën kur duket se procesit të privatizimit të kësaj ndërmarrjeje po i vjen fundi.
E për të mos u përsëritur prapë shtyrja e afatit për privatizimi, ministria që i punësoi për të dhënë shërbime njësinë e implementimit të projektit “Privatizimi i PTK’së”, po planifikon që të njëjtëve t’ua vazhdojë punën.
Por, pasi që fillimisht ishin blerë si mall, derisa procedurat e punësimit të tyre janë të tilla, edhe zgjatja e mandatit duhet të shkojë në të njëjtën formë.
Për këtë, institucioni që e ka përgjegjësinë e menaxhimit të ndërmarrjeve publike e kanë hapur tenderin për punësimin e pesë këshilltarëve për njësinë e zbatimit të projektit të privatizimit të PTK-së.
Menaxheri i këtij projekti, Arsim Bruqaj, thotë se kjo është e domosdoshme.
“Neve na skadojnë kontratat dhe patjetër duhet të shpallet tender sipas ligjit”, thekson Bruqaj.(xpress)