Shtyhet seanca e Kuvendit Komunal
Gjilan – Seanca e pestë e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e paraparë që të mbahet sot, është shtyrë për disa ditë. Në rend dite të kësaj seance, kanë qenë raporti i punës për vitin 2016 i kompanisë “Eco – higjiena”, e cila funksionon në partneritet publiko-privat si dhe raporti i Komisionit komunal për zgjedhjen e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane.
Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se në bashkëpunim me shefat e grupimeve politike që përfaqësohen në vendimmarrjen komunale, janë dakorduar që seanca e sotme të shtyhet për disa ditë, për shkak të mungesës së Bordit të Aksionarëve të ndërmarrjes “Eco – higjiena”, që do të duhej të raportonte për punën njëvjeçare si dhe mungesës, po ashtu, edhe të kryetarit të Komunës.
Propozimi për shtyrjen e seancës, për këto arsye, u përkrah edhe nga anëtarët e Kuvendit.
Kryesuesja e Kuvendit, në konsultim me shefat e grupeve politike, do ta caktojë ndërkohë datën tjetër të mbajtjes së kësaj seance./rajonipress/


